Ndërlidhjet

Kryetari i Himarës, Beleri dënohet me dy vjet burgim për blerje votash


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Gjykata e Posaçme e Shqipërisë e ka dënuar të martën me dy vjet burgim kryetarin e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, pasi e shpalli fajtor për blerje votash në zgjedhjet vendore të vitit 2023.

Beleri, nga pakica greke, u arrestua më 12 maj të vitit 2023, dy ditë para se të mbahej votimi në zgjedhjet vendore për kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiake në Shqipëri.

Policia në atë kohë deklaroi se Beleri dhe tre bashkëpunëtorë të tij u arrestuan nën dyshimet se u kishin ofruar të holla personave të ndryshëm për të blerë vota.

Greqia i kishte bërë thirrje Shqipërisë ta ndalte procesin gjyqësore kundër Belerit, duke thënë se ai mund të ndikonte në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian.

Por, kryeministri Edi Rama kishte theksuar se kjo ishte çështje e drejtësisë dhe jo e politikës.

Beleri i fitoi zgjedhjet, por nuk ka mundur të betohej si kryebashkiak derisa ndodhej në paraburgim, pasi Gjykata nuk e kishte pranuar kërkesën e tij.

Pas vendimit të shkallës së parë, Beleri ka drejtë që brenda 15 ditësh të ankohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar për Belerin dy vjet e gjashtë muaj burg. Ashtu si në çdo seancë edhe gjatë vendimit, procesi u ndoq nga përfaqësues të ambasadës greke, por dhe të medias greke dhe mbështetësve të tij.

Gjithashtu në seancë ishte i pranishëm edhe Vangjel Dule, kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, parti që përfaqëson minoritetin grek në Shqipëri.

Avokati i Fredi Beleri tha për mediat se vendimi ishte politik, dhe se gjykata “veproi siç u porosit” nga kryeministri Edi Rama. Çështja Beleri ka qenë në qendër të një debate në distancë mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG