Veriu: Në kërkim të zgjidhjes

Kosovo -- A view shows the Ibar river at the flashpoint Kosovo town of Mitrovica, 12Nov2010

Debati, i cili u mbajt të premten në Çagllavicë me temën “Veriu i Kosovës – cili është problemi?”, shpërfaqi kundërshtitë dhe qasjet e ndryshme që kanë ndaj kësaj çështjeje Prishtina dhe Beogradi. Përderisa zyrtarë nga Kosova theksuan se problemi ekziston për shkak të grupeve kriminale, analistët serbë nga Beogradi thanë se problemi qëndron te shpallja e pavarësisë, siç e quajnë ata, e njëanshme e Kosovës dhe tentimi i autoriteteve kosovare për ta integruar veriun e vendit.


Gjatë debatit, të cilin e ka organizuar “Media Qendra” në Çagllavicë, me temën “Veriu i Kosovës – Cili është problemi”, Naim Maloku, këshilltar politik i presidentit të Kosovës, tha se pjesa veriore e Kosovës, vazhdon të ketë probleme me funksionimin e ligjit dhe rendit edhe 12 vjet pas përfundimit të luftës.

Qeveria e Kosovës ende nuk ka arritur që të vë në funksion rendin dhe ligjin në veri të vendit, por Maloku tha se kompetencat për një gjë të tillë i ka gjithashtu edhe misioni evropian, EULEX, dhe organizatat tjera ndërkombëtare.

Maloku theksoi se në mungesë të rendit dhe ligjit, në veri ekzistojnë grupet kriminale, të cilat, sipas tij, janë problemi kryesor në këtë pjesë të vendit.

Naim Maloku

“Problemi i asaj pjese, mendoj që është funksionimi i grupeve kriminale që merren me krim të organizuar dhe me kontrabandë të mallrave, të cilat, kryesisht, kanë akciza. Në manipulim me to, ato grupe që funksionojnë dhe kryesisht financohen prej këtyre veprimeve kriminale, mendoj se janë problemi kryesor edhe i qytetarëve të Kosovës, të përkatësive të ndryshme, pra, të të gjitha përkatësive etnike atje”
, tha Maloku.

Ai, gjithashtu, potencoi se një sasi e madhe e derivateve, që hyjnë në Kosovë, e marrin vulën e Serbisë për të hyrë në Kosovë, me të cilën lirohen nga tatimi. Sipas Malokut, të njëjtat sasi kthehen dhe shiten në Serbi gjë që, siç thotë ai, e dëmton vetë Serbinë.

Ndërkaq, Milovan Drecun, analist i çështjeve politike nga Beogradi, theksoi se përkufizimi i problemit të veriut të Kosovës vetëm në çështjen e ekzistimit të grupeve kriminale, është e destabilizues.

Sipas tij, dokumentet sekrete të KFOR-it, UNMIK-ut dhe EULEX-it, flasin për ekzistencën e klaneve kriminale, të cilat janë nën kontrollin e Prishtinës, ndërkohë që grupet kriminale në veri janë ndihmëse në veprimtaritë kriminale të grupeve kriminale shqiptare.

Drecun tha se problemi i pjesës veriore të Kosovës është shpallja e pavarësisë së Kosovës, të cilën, sipas tij, populli serb nuk e pranon.

“Absolutisht jam i bindur se problemi qëndron në faktin që serbët në veri të Kosovës nuk dëshirojnë të integrohen në institucionet e Prishtinës, sepse nuk e pranojnë shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Për ta është ende në fuqi rezoluta 12 44, ndërkaq recesioni i Kosovës është në kundërshtim me këtë rezolutë”
, u shpreh Drecun.

Ndërkaq, Maloku rikujtoi se Serbia tashmë ka marrë përgjigjen nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë lidhur me ligjshmërisë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ndryshe, në debat nuk u anashkalua as çështja e dialogut Kosovë-Serbi. Drecun tha se situata në veri të Kosovës është e tillë që pavarësisht se për çfarë do të merren vesh Prishtina dhe Beogradi, e që, sipas tij, do të ishte në dëm të serbëve, këtë nuk do ta pranojnë serbët e veriut të Kosovës.
Vendosmëria e serbëve të veriut është e fuqishme dhe ata nuk do të pranojnë asnjë zgjidhje të pafavorshme.

Kjo, sipas Drecunit, do të sillte sërish probleme.

“Në veri, situata është mjaft e tensionuar. Vendosmëria e serbëve të veriut është e fuqishme dhe ata nuk do të pranojnë asnjë zgjidhje të pafavorshme. Sa i përket pritjeve se do të ketë presion nga bashkësia ndërkombëtare mbi Beogradin dhe kushtëzimi i saj me Bashkimin Evropian, mendoj se nuk është reale, sepse populli nuk do të pranojë
”, shtoi Drecun.

Në këtë çështje, Maloku u përgjigj:

“Problemi i grupeve kriminale në veri është i lidhur ngushtë me politikën zyrtare të Serbisë. Mendoj, personalisht, se rezultat i bisedimeve me Serbinë duhet të jetë padyshim heqja dorë e politikës zyrtare serbe në implikimet e saj në punët e brendshme ose brenda territorit të Kosovës dhe ndalimi ose pezullim-ndalimi i plotë i përkrahjes së politikës zyrtare serbe ndaj këtyre grupeve”.


Sidoqoftë, në debat ishte paralajmëruar edhe pjesëmarrja e anëtarit të Këshillit Kombëtar Serb në veriun e Kosovës, Nebojsha Joviq.

Por, siç thanë organizatorët e këtij debati, ai kishte refuzuar të vinte në debat me arsyetimin se frikohet nga arrestimi i mundshëm i tij nga organet e rendit dhe ligjit në Kosovë, ndonëse nuk kishte shpjeguar arsyet se pse do të mund të arrestohej.

Lexoni edhe këto:
Veriu i “rrezikshëm” e i paintegruar
Kohen: Veriu i Kosovës, mollë sherri e bisedimeve