Shërbimin diplomatik të Kosovës, që nga formimi i tij, e kanë përcjellë emërimet brenda tij nëpërmjet ndikimeve politike dhe nëpërmjet lidhjeve familjare dhe si pasojë e kësaj politike, Kosova ka një nga shërbimet më të dobëta diplomatike të rajonit, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare, të Institutit Demokratik të Kosovës dhe Organizatës për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu.
Emërimi i Flakron Shalës, djalit të deputetit Haxhi Shala, si konsull i Përgjithshëm në Pragë, i cili është kundërshtuar më pas nga ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, dhe nga kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, por edhe nga shoqëria civile, ka ngritur debatin lidhur me emërimet e deritashme, të cilat janë bërë në shërbimin diplomatik të Kosovës.
SHIKONI EDHE: ‘Rigjenerimi’ i diplomacisëFlakron Shala është djali i deputetit të Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala. Vota e këtij të fundit ka qenë vendimtare në votimin e Qeverisë aktuale të drejtuar nga Avdullah Hoti.
Pavarësisht që Ligji për shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, lejon që 50 për qind e shërbimit të jashtëm të jetë i përbërë nga elementë politikë, emërimet e tilla sipas përfaqëuesve të shoqërisë civile, në mjaft raste janë bërë sipas ndikimeve politike dhe partiake.
SHIKONI EDHE: Diplomacia që ka nevojë për diplomatëPraktika e emërimeve me nepotizëm dhe në bazë të favoreve politike
Analistja Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që është e domosdoshme edhe të emëruarit politikë në shërbimin e jashtëm të Kosovës, duhet të kenë pas vetes një sfond, me të cilin mund t’i shërbejnë avancimit të interesave të shtetit të Kosovës.
SHIKONI EDHE: Përplasje e re, mospajtime të vazhdueshmePor, sipas saj, emërimet e tilla nuk duhet të jenë rezultat i shpërblimeve për vota të caktuara dhe shpërblime për personat e caktuar.
“Tash, personat që nuk kanë qenë fare të përfshirë në diplomaci dhe në politikë të jashtme, marrin pozita të larta në arenën ndërkombëtare që ta përfaqësojnë shtetin e Kosovës. Normalisht, lind pyetja se si mund ta bëjnë ata këtë përfaqësim, kur nuk kanë aspak informacione apo nuk kanë asnjë eksperiencë profesionale të mëparshme, që të dëshmojnë që në fakt, ata do të jenë në gjendje t’i çojnë përpara interesat e Kosovës. Pra, duhet të kuptohet që nuk e ka Kosova luksin që të shpërblejë me pozita publike në ambasada secilin që i kryen një favor politik një personi tjetër”, thekson Krasniqi.
Por, siç thotë për Radion Evropa e Lirë, Arton Demhasaj, drejtor i Organizatës për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, emërimet politike në shërbimin e jashtëm të Kosovës, gjatë gjithë kohës janë bërë në emër të favoreve politike dhe me nepotizëm.
“Vazhdimisht ka shkuar kështu. Kjo e ka sjellë pasojën që ne e kemi mbase shërbimin diplomatik në rajon, përkundër që ne, si shtet i ri, ishte dashur që ta kemi një shërbim tepër të fortë diplomatik dhe konsullor, në mënyrë që ta zgjerojmë numrin e njohjeve dhe njëkohësisht të mbajmë numrin e njohjeve që kemi, si dhe të tentohet që të tërhiqen investimet e ndryshme ndërkombëtare që të vijnë në Kosovë. Kjo nuk ka ndodhur pikërisht për shkak se kemi pasur ambasadorë dhe persona të emëruar me lidhje familjare, me ndikime politike, partiake dhe të gjitha këto, me meritë dhe pa meritë”, thekson Demhasaj.
A duhet vettingu në shërbimin e jashtëm?
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë të mërkurën se emërimi i Flakron Shalës për konsull në Pragë, ishte bërë pa pasur një koordinim me të.
SHIKONI EDHE: Hoti: Askush nuk është koordinuar me mua për emërimin e Konsullit të Përgjithshëm në Pragë“Qeveria është në proces të analizimit dhe rishikimit funksional të rrjetit të misioneve diplomatike. Pas kësaj analize do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar funksionim efikas të misioneve diplomatike dhe do të sigurohemi që përbërja e këtyre misioneve të jetë në përputhje me ligjin”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook.
Por, a nënkupton ky rishikim i rrjetit të misioneve diplomatike të Kosovës nga ana e kryeministrit Hoti, një lloj vettingu për të gjithë të emëruarit në shërbimin e jashtëm të Kosovës? Kjo ende nuk është sqaruar nga kryeministi Hoti.
Por, analistja Krasniqi vlerëson që nuk ka nevojë për një vetting në shërbimin e jashtëm të Kosovës, por duhet vetëm të respektohet ligji dhe të ekzistojë një moral politik lidhur me atë se si bëhen emërimet.
“Nuk e di se çfarë lloj vettingu do të mund të kishte në diplomaci. Pra, nuk mund të vazhdojmë në këtë mënyrë, ku ne shohim emërime politike dhe të presim struktura mbi struktura, sepse ka mungesë të vullnetit politik. Jo. Kryeministri (Hoti) në vazhdimësi flet për politika kundër korrupsionit, për politika kundër nepotizmit. Atëherë duhet të kërkohet përgjegjësi prej anës së tij që emërimet të mos ndodhin në këtë formë dhe që qeveria dhe kryeministri të jenë gardianë të rregullave dhe ligjeve, për hir, mbi të gjitha, të vlerave demokratike. Kemi institucione dhe ato duhet ta zbatojnë mandatin e tyre. Kaq”, thekson Krasniqi.
SHIKONI EDHE: Këndellje e diplomacisë përmes ‘spastrimeve’Sipas Demhasajt, fenomeni i emërimeve përmes ndikimit plitik dhe nepotizmit në shërbimin e jashtëm të vendit, mund të ndalet në dy mënyra: me vullnet politik të partive politike parlamentare dhe përmes procedurave gjyqësore në aspektin penal apo administrativ, për të personat që bien ndesh me ligjin. Por, sipas tij, është vështirë ndryshimi i mentalitetit ekzistues për një kohë të shkurtër. Për më shumë, ai shpreh mendimin që është i nevojshëm një vetting në shërbimin e jashtëm të Kosovës.
“Duhet që komplet shërbimi diplomatik të futet në një lloj vettingu. Duhet të ketë një proces të rishikimit komplet të emërimeve që kanë ndodhë, se a kanë qenë emërime të duhura apo jo dhe a kanë qenë në përputhje me bazën lgjore ose jo. Aty ku nuk kanë qenë, menjëherë të merren masa ndaj të gjithëve që kjo mos të jetë e pjesshme vetëm për disa individë. Kjo mund të ketë ndalues dhe parandalues".
SHIKONI EDHE: Osmani shfuqizon dekretet për konsujt në Pragë, Lubjanë, Shkup e Tiranë"E para, rishikohen të gjitha pozicionet aktuale që janë dhe ata që nuk janë meritorë, i nxjerr prej sistemit dhe e dyta, e përdorë këtë si shembull që në të ardhmen të mos ndodhë që të ketë emërime të tilla të pamerituara në shërbimin diplomatik. Por, për të ndodhur këto, njëmend duhet të ndodhë një mrekulli, ndërkaq unë atë mrekulli nuk po e shoh dikund që po ekziston momentalisht”, thekson Demhasaj.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën, më 25 nëntor, ka shfuqizuar katër dekrete për konsuj të përgjithshëm, konkretisht për konsujt në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë. Dekretet ishin nënshkruar nga ish-presidenti Hashim Thaçi.
“Për tri rastet e para (Pragë, Lubjanë, Shkup), bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe Ambasada”, ka sqaruar Osmani. Ndërkaq për shkarkimin e konsullit në Tiranë, sipas saj , kjo është bërë me kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.