Ndërlidhjet

Osmani shfuqizon dekretet për konsujt në Pragë, Lubjanë, Shkup e Tiranë


Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani .
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani .

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka shfuqizuar katër dekrete për konsuj të përgjithshëm, konkretisht për konsujt në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Dekretet ishin nënshkruar nga ish-presidenti, Hashim Thaçi.

“Për tri rastet e para (Pragë, Lubjanë, Shkup), bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe Ambasada. Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte pëlqim nga shteti pritës”, thuhet në njoftimin e presidencës, në të cilin sqarohet se për konsullin në Tiranë, Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Këtë vendim, Osmani e kishte paralajmëruar më herët gjatë ditës së mërkurë pasi mediat lokale raportuan për emërimin e Flakron Shalës, djalit të deputetit Haxhi Shala, si Konsull i Përgjithshëm në Pragë.

Vota e Haxhi Shalës ka qenë vendimtare në votimin e Qeverisë aktuale të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, kur është votuar për qeverinë e re, deputeti Shala pati deklaruar se ai ka ndryshuar mendimin për ta votuar qeverinë, pasi një natë më parë kishte takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Emërimi i Flakron Shalës në këtë pozitë ishte kundërshtuar edhe nga shoqëria civile në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë të mërkurën se ky emërim ishte bërë pa pasur një koordinim me të.

Ai tha se është informuar nga mediat për këtë rast.

Ndërsa vetë Flakron Shala përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se në pozitën Konsullit të Përgjithshëm është “emëruar sipas ligjit në fuqi”.

“Prindi im, Haxhi Shala, si një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk ka as më shumë e as më pak autoritet ligjor e politik se deputetët tjerë- pra deputeti nuk ka kompetencë të emëroj apo shkarkoj zyrtarët e MPJ-së dhe as Konsujt e Përgjithshëm”, ka shkruar Shala.

Të shkarkuarit tjerë janë: Blendi Kilaj – Lubjanë, Lindon Kqira – Shkup dhe Halim Krasniqi – Tiranë, raporton kallxo.com.

Blendi Kilaj, është djali i Isni Kilajt, ish-zëvëndësministër i Financave në Kosovë dhe zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, tha përmes komunikatës se “si udhëheqëse e politikës së jashtme, është e përkushtuar që të mbrojë ligjshmërinë dhe profesionalizmin përgjatë emërimeve në shërbimin e jashtëm”.

Osmani është zotuar se do të vazhdojë të insistojë, që të mos tejkalohet kuota e emërimeve politike, e paraparë me Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, dhe që emërimet të bëhen nga radhët e diplomatëve të karrierës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG