Ndërlidhjet

Hoti: Askush nuk është koordinuar me mua për emërimin e Konsullit të Përgjithshëm në Pragë


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se askush nuk është koordinuar me të për emërimin e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës Kosovës në Pragë të Çekisë.

Ai tha se është informuar nga mediat për këtë rast.

“Qeveria është në proces të analizimit dhe rishikimit funksional të rrjetit të misioneve diplomatike. Pas kësaj analize do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar funksionim efikas të misioneve diplomatike dhe do të sigurohemi që përbërja e këtyre misioneve të jetë në përputhje me ligjin”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook.

Në Kosovë ka ngjallur reagime të shumta emërimi i Flakron Shalës, djalit të deputetit Haxhi Shala, si Konsull i Përgjithshëm në Pragë.

Kujtojmë se vota e Haxhi Shalës ka qenë vendimtare në votimin e Qeverisë aktuale të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, kur është votuar për qeverinë e re, deputeti Shala pati deklaruar se ai ka ndryshuar mendimin për ta votuar qeverinë, pasi një natë më parë kishte takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Emërimi i Flakron Shalës në këtë pozitë është kundërshtuar edhe nga shoqëria civile në Kosovë.

Më herët, Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka thënë se do të shfuqizojë dekretet e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që janë në kundërshtim me praktikat diplomatike.

Ndërsa vetë Flakron Shala përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se në pozitën Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës është “emëruar sipas ligjit në fuqi”.

“Prindi im, Haxhi Shala, si një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk ka as më shumë e as më pak autoritet ligjor e politik se deputetët tjerë- pra deputeti nuk ka kompetencë të emëroj apo shkarkoj zyrtarët e MPJ-së dhe as Konsujt e Përgjithshëm”, ka shkruar Shala.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG