Zgjidhet qeveria e re e Maqedonisë

Kryeministri në detyrë i Maqedonisë, Emil Dimitriev

Zgjedhjes së kabinetit të ri qeveritar në Maqedoni i ka paraprirë konstatimi i dorëheqjes së kryeministrit të deritanishëm, Nikolla Gruevski,si dhe vendimi për shpërndarjen e Kuvendit, që do të hyjë në fuqi më 24 shkurt.

Këto vendime janë marrë nga partitë në pushtet, VMRO DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim.

Opozita kryesore maqedonase, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë ka kundërshtuar vendimet, duke paralajmëruar bojkotimin e zgjedhjeve, që sipas partive në pushtet, do të mbahen më 24 prill.

Kjo parti vlerëson se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve pa pastrimin e plotë të listës së votuesve dhe krijimin e kushteve tjera për zgjedhje të lira dhe demokratike.

“Vetëm zgjedhjet e tilla do të ishin në interes të Maqedonisë, dhe vetëm në zgjedhje të tilla opozita do të marrë pjesë. Për LSDM-në dhe partnerët e koalicionit nuk janë të pranueshme zgjedhjte më 24prill. LSDM dhe opozita e bashkuar nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet që do të organizohen më 24 prill”, thuhet në njoftimin e LSDM-së.

Por, kryeministri ri, Emil Dimitriev, pas votimit në Kuvend tha se kabineti i ri do të sigurojë kushte për zgjedhje të lira dhe demokratike.

“Qeveria e re që do ta udhëheq unëdo të evitojë të gjitha dilemat rreth parregullsive zgjedhore. Qëllimi ynë është të kemizgjedhje të lira dhe demokratike, qëllim që ne do ta realizojmë dhe mbështesim. Neinkurajojmë KSHZ-në që të jetë një forcë shtytëse për një proces zgjedhor,i cili do na bëjëkrenar si komb dhe zgjedhje të cilat do të jenë të besueshme për të gjithë”, tha Dimitriev.

Deklaratat solemne nuk i nënshkruan ministrat e LSDM-së, Oliver Spasovski dhe Frosina Remenski.

Nga LSDM-ja njoftuan se vendimin për largimin e tyre ose jo nga qeveria kalimtare do ta marrin së shpejti organet drejtuese të partisë.

Këto zhvillime erdhën dy ditë pas dështimit të bisedimeve mes partive për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve dhe njoftimit nga komisioneri Johanes Hahn se partitë po negocionin 5 qershorin si datë të mundshme për mbajtjen e tyre.

Pas refuzimit të opozitës dhe kërkesës për shtyrjen e mëtejmë të zgjedhjeve, partitë në pushteti iu rikthyen datës së parë, 24 prillit, për të cilën partitë ishin dakorduar me marrëveshjen e korrikut të vitit të kaluar.

Gruevski tha se vendi ndodhet para sfidave të mëdha, si pasojë e politikës destruktive të opozitës, andaj edhe më nuk do të lëshojnë pe në kërkesat e saja të vazhdueshme për shtyrjen e zgjedhjeve.

“Me krenari j’u informoj se vendi ynë vendosi t’i japë fund krizës politike dhe të ecim guximshëm drejt së ardhmes. Kjo fillon me zgjedhjet e 24 prillit. Qëndrimi i fortë pas zgjedhjeve për të cilat ishim marrë vesh të gjitha partitë në Përzhinë, konfirmon besimin tonë demokratik”.

“Ky është riafirmim i besimit thelbësor se e gjithë fuqia e qeverisë sonë vjen nga ju, nga qytetarët. Ky është riafirmim se mënyra e vetme për të përparuar si shtet dhe komb, është që liderët ta vendosin interesin e përgjithshëm përpara interesave të tyre personale”, deklaroi Nikolla Gruevski.

Edhe partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim tha se marrëveshja duhet respektuar dhe zgjedhjet duhet të mbahen më 24 prill.

“E vetmja zgjidhje që mund t'i jap fund krizës është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme dhe këto zgjedhje duhet të mbahen më 24 prill. Kjo datë është vendosur me marrëveshjen e muajve qershor-korrik të vitit të kaluar dhe ne kemi insistuar që kjo marrëveshje të mos cenohet dhe të respektohet nga të gjitha palët nënshkruese të marrëveshjes“, ka deklaruar Ahmeti.

Por, me këtë qëndrim nuk pajtohen edhe partitë e vogla opozitare shqiptare. Ato, ngjashëm si opozita maqedonase, kanë paralajmëruar bojkotin e zgjedhjeve, nëse paraprakisht nuk sigurohen kushte që ato të jenë demokratike, me një rezultat të pranueshëm nga të gjitha partitë.

Ndërkohë në reagimin e parë të Komisionit Evropian kërkohet nga partitë që të punojnë për arritjen e një zgjidhjeje konsensuale nga të gjitha palët.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që aktorët politikdhe institucional në vend të bëjnë të pamundurën për të siguruar zgjedhje korrekte në linjë me standardet demokratike. Për të arritur këtë duhet punuar jashtëzakonisht dhe në mënyrë urgjente, veçanërisht mbi listën e votuesve”.

“Pavarësisht dështimit për të gjetur një marrëveshje të përbashkët mbi një datë për zgjedhjet, unë sërish pres që partitë politike të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive dhe t’i përmbahen angazhimeve të marrëveshjeve politike të qershor/korrikut, përfshirë edhe prioritetet e reformave urgjente”, thuhet në një reagim të komisionerit evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë, Johanes Hahn.