Ndërlidhjet

Dështojnë bisedimet në Maqedoni


Ilustrim
Ilustrim

Kanë dështuar bisedimet ndërmjet partive politike në Maqedoni për datën e zgjedhjeve, duke e thelluar edhe më shumë krizën politike në vend.

Pas bisedave maratonë që kanë përfunduar në mesnatën mes së premtes dhe së shtunës, euro-komisionari Johannes Hahn ka shprehur keqardhjen e tij për dështimin e bisedimeve.

"Vendi është në një situatë shumë të vështirë. Nuk duhet harruar kriza e migrantëve që po përjeton Evropa, dhe kjo situatë mund të ndikojë akoma më shumë në vendin tuaj".

"Unë besoj se elita politike, Parlamenti dhe çdo institucion tjetër, duhet t'i kushtojnë vëmendje të veçantë kësaj situate. Nuk është vetëm kjo, por edhe kriza ekonomike, perspektiva euro-atlantike! Vendimmarrja tani është më e rëndësishme se kurrë. Duhet të arrihet një pajtim politik. Sot ishte e pamundur të arrihej një marrëveshje”, ka deklaruar Hahn.

Pas dështimit të bisedimeve Hahn ka theksuar se tashmë, ka lënë ndërmjetësuesin belg, Piter Vanhaute, që t’i ndihmojë palët përkatësisht partitë politike, që të gjejnë zgjidhje për kapërcimin e dallimeve rreth marrëveshjes politike, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me rregullimin e punës së medieve.

Me një dozë të theksuar nervozizmi ai ka theksuar se zgjidhja mbetet në duart udhëheqësve politikë të vendit.

"Tani le të vendosin vetë palët, të merren vesh dhe t'i japin fund krizës”, është shprehur komisionari Hahn.

Ndërkohë, lideri i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, të shtunën ishte shumë i prerë se pa u pastruar lista zgjedhore, opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 24 prillit.

“Për ne nuk janë të pranueshme zgjedhjet, pa u rregulluar në kohë çështja e medieve dhe pastrimi i listës zgjedhore. Nëse zgjedhje të tilla, pa këto kushte, mbahen më 24 prill, ne nuk do të marrim pjesë. Përkundrazi, do të vazhdojmë të luftojmë për kushte korrekte për mbajtje zgjedhjesh. Do vazhdojmë të luftojmë për një Maqedoni të lirë. Negociatat dështuan”, ka deklaruar Zaev.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, fajin për dështimin e bisedimeve ia hodhi opozitës, pasi, sipas tij, komisionari Johannes Hahn, që ndërmjetësoi negociatat, pas takimeve që kishte me drejtuesit e KSHZ-së, kishte dhënë garanci se nuk ka pengesa për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Ka kohë që të përgatitet gjithçka që zgjedhjet të mbahen më 24 prill. Vetëm një njeri me sjelljen e tij angazhohet që të vazhdojë ta thellojë krizën”, ka deklaruar Gruevski, duke akuzuar opozitën për përkeqësimin e gjendjes në vend.

Edhe partitë shqiptare janë shprehur për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill. Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka theksuar se partia e tij gjatë bisedimeve, ka kërkuar respektimin e marrëveshjes së qershor/korrikut.

“Sigurisht që të gjitha palët kishin dallimet e tyre, nuk arritëm për fat të keq të pajtohemi me datën e zgjedhjeve. Tri parti politike ranë dakord për respektimin e plotë të saj, por njëra nga partitë, jo. Në ditët në vazhdim do të tentohet të arrihet pajtueshmëri”.

“Duhet të veprojmë të gjithë së bashku, të vëmë interesat e shtetit me ato partiake dhe të bëjmë përpjekje për një zgjidhje konsensuale. Pres që në ditët në vijim, palët të reflektojnë dhe të marrin angazhime e përgjegjësi”, ka theksuar Ahmeti.

Përderisa lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, nuk ka pranuar të prononcohet për mediat, pas takimit të liderëve, por paraprakisht ai ka theksuar se është për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill.

Do theksuar se dështimi i bisedimeve nënkupton edhe tërheqjen e dorëheqjes së kryeministrit Nikolla Gruevski, pasi ajo ishte kushtëzuar me datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, të caktuara të mbahen më 26 prill.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG