Ndërlidhjet

Maqedonia drejt zgjedhjeve


Ilustrim
Ilustrim

Të premten, në orët e pasdites, euro-komisionari Johanes Han, i shoqëruar dhe nga ambasadori i SHBA-së në Shkup, Xhes Bejli, dhe ai i Bashkimit Evropian në Shkup, Aivo Orav, ka mbledhur në një takim të përbashkët liderët e katër partive kryesore, nënshkrues të marrëveshjes për zgjidhje të krizës politike në Maqedoni.

Në këtë takim, me theks të veçantë, është pritur të diskutohet përcaktimi i metodologjisë për pastrimin e listës zgjedhore ose mundësia e shtyrjes së datës së përcaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Pas këtij takimi, komisionari Han do të shpalosë qëndrimin përfundimtar, nëse zgjedhjet do të mbahen më 24 prill, apo të njëjtat do të shtyhen për në qershor apo shtator, siç është theksuar në qarqe të caktuara politike.

Han shkurt ka deklaruar para mediave se shpreson që dita e sotme të jetë e mirë.

“Momentalisht nuk kam çfarë të deklaroj, mund t’ju them se shpresoj që dita do të jetë e mirë”, ka thënë Han.

Paradite, euro-komisionari Han ka realizuar takime të ndara me përfaqësuesit e katër partive kryesore politike: VMRO-DPMNE-së, Lidhjes Social-Demokrate, Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Partisë Demokratike Shqiptare.

Lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev nga lidhja Social-demokrate e Maqedonisë, pas takimit me komisionerin Hahn, ka deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, në datën e përcaktuar, ose shtyrja e eventuale e zgjedhjeve, është ngushtë e lidhur me pastrimin e listës zgjedhore dhe krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve në një frymë demokratike.

Ndërsa, pas takimit me Hahn, kryeministri në dorëheqje, Nikolla Gruevski nuk është prononcuar për medie.

Përderisa për liderin e partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetin, shtyrja e datës së mbajtjes së zgjedhjeve nënkupton thellim të krizës politike në vend.

“Nuk mendoj se ka hapësirë të shtyhen zgjedhjet. Gjithçka varet prej konsultave që do të kemi me zotin Hahn. Shtyrja e zgjedhjeve mund ta thellojë krizën, mund të krijojë pasiguri për vendin dhe ekonominë”, tha Ahmeti.

Në pyetjen se a ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në frymë demokratike, në përputhje me kriteret që janë përcaktuar nga faktori ndërkombëtar, Ahmeti e ka hedhur topin tek institucionet shtetërore, të cilat, sipas tij, “duhet t’i përveshin krahët dhe t’i vërtetojnë kushtet për zgjedhje demokratike”.

“Unë mendoj se të gjitha institucionet duhet që të prononcohen në këtë drejtim, që të japin mendimet e tyre, se deri ku kanë arritur me përgatitjen e zgjedhjeve”, ka theksuar lideri i Bashkimit për Integrim, Ali Ahmeti.

Edhe lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi ka theksuar se data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme duhet të jetë ajo që është caktuar për 24 prill.

“Kemi marrëveshje se kur do të duhet të mbahen zgjedhjet”, ka theksuar pas takimit me eurokomisionerin Johanes Hahn, lideri PDSH-së, Menduh Thaçi.

Ndërkohë, dorëheqja e kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, është dorëzuar të premten edhe në parlamentin e Maqedonisë.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski, përmes një komunikate me shkrim ka theksuar se tanimë ka pranuar letrën e dorëheqjes së kryeministrit Gruevski.

Ai është zotuar se si kryetar i Kuvendit do të veprojë në përputhje me detyrimet kushtetuese, ligjore dhe të rregullores për punën e Kuvendit.

Veljanovski theksoi se, duke marrë parasysh obligimet e marra nga liderët politikë, do të ndjekë rrjedhën e bisedimeve të së premtes, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.

Nga ana tjetër, VMRO - DPMNE ka propozuar që sekretarii përgjithshëm i kësaj partie, Emil Dimitriev, të jetë kryeministër i qeverisë kalimtare.

Në bazë të marrëveshjes politike mes katër partive kryesore politike në Maqedoni, të arritur me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, kryeministri duhet të tërhiqet 100 ditë përpara datës së caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të caktuara me 24 prill 2016, në mënyrë që të krijohen kushte për organiziminzgjedhjeve në frymën demokratike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG