Ndërlidhjet

Maqedoni: Përpjekje të reja për zgjidhjen e krizës politike


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Pas dështimit të bisedimeve ndërmjet partive për datën e mbajtjes së zgjedhjeve, grupet e punës sërish janë takuar në përpjekje për të kapërcyer dallimet rreth pastrimit të listës zgjedhore dhe çështjes së medieve, që edhe kanë bllokuar gjithë procesin të ndërmjetësuar për orë të tëra nga komisionari për zgjerim i BE-së, Johanes Hanh.

Bisedimet nën monitorimin e diplomatit evropian, Piter Vanhojt, do të vazhdojnë deri në harmonizimin e qëndrimeve ndërmjet partive dhe caktimin e datës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që fillimisht ishin paraparë më 24 prill.

Në bisedimet e së dielës ka raportuar edhe kreu i KSHZ-së, Aleksandar Çiçakovski, i cili ka shprehur dyshime nëse deri më 24 prill mund të pastrohet lista zgjedhore.

Ai ka thënë se procesi zgjedhor mund të organizohet, por jo edhe të sigurohet një listë e pastër zgjedhore.

Ndërkohë, nëpërmjet një deklarate me shkrim është prononcuar edhe presidenti Gjorgje Ivanov, duke i ftuar partitë që të tregojnë përgjegjësi për dhënien fund të krizës politike.

“Ata nuk mund t’u ikin përgjegjësive ndaj marrëveshjes dhe me këtë të sjellin në pikëpyetje perspektivën euroatlantike të vendit, si dhe prosperitetin qytetarëve të Maqedonisë. Ata u kanë dhënë atyre besimin jo që të jenë peng të interesave të veta, por që të punojnë për interesat e tyre dhe të shtetit në përgjithësi“, thuhet në reagimin me shkrim të presidentit Ivanov.

Njohësit e çështjeve politike thonë se vendi ndodhet në krizë edhe më të thellë. Ata shohin disa variante që mund të përdoren nga partitë në pushtet, si mbajtjen e zgjedhjeve pa opozitën, apo dështimin e plotë të marrëveshjes dhe vazhdimin e punës së Qeverisë aktuale deri në zgjedhjet e rregullta në vitin 2018.

Por, sipas analistit Xhelal Neziri, dy këto mundësi do të ishin shumë të dëmshme për vendin.

“Dy variantet, pra edhe i pari edhe i dyti janë mundësi që nuk do të zgjidhin krizën. Nëse LSDM-ja nuk merr pjesë në zgjedhje, por edhe partitë e vogla opozitare shqiptare, atëherë ato zgjedhje do të jenë edhe më shumë të kontestuara, sesa ato që e sollën krizën, pra zgjedhjet e vitit 2014".

"Ndërsa, në variantin tjetër, nëse rikthehet Qeveria e mëparshme, kjo do të nënkuptonte një ballafaqim edhe më serioz për sigurinë ndërmjet pushtetit dhe opozitës, që mund të sjellë pasoja edhe shumë të rrezikshme për të stabilitetin e vendit”, thotë Neziri.

Ai shton se zgjidhja e vetme për dalje nga kriza, është respektimi i plotë i marrëveshjes aktuale, e para së gjithash pastrimi i listës zgjedhore dhe krijimi i kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, pasi këto, sipas tij, janë shumë më të rëndësishme sesa caktimi i datës së zgjedhjeve.

“Dalja nga kriza është zbatimi i plotë i marrëveshjes së Përzhinës, me qëllim që të sigurohet fillimisht ambient për zgjedhje të lira dhe demokratike dhe më pas të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve pasi nuk mendoj se data do të ishte më shumë e rëndësishme se sa terreni apo ambienti, i cili duhet të jetë demokratik“, vlerëson Neziri.

Nga ana tjëtër, Jove Kekenovski, njohës i çështjeve politike, pret që të rritet edhe më shumë presioni nga jashtë, që partitë, megjithatë, në ditët në vijim të arrijnë marrëveshjen përfundimtare edhe për datën e zgjedhjeve.

“Këtyre ditëve pres që të kenë një presion edhe më të ashpër nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, përdorim të mekanizmave detyrues për arritjen e marrëveshjes apo zbatimin e pikave të saj. Zgjedhje nuk besoj se do të ketë më 24 prill, ndoshta do të jenë një muaj më vonë, do të jetë periudha më e pranueshme dhe ndërkohë të pastrohet lista zgjedhore“, konsideron Kekenovski.

Lidhur me dështimin e bisedimeve, partitë në vazhdimësi kanë përcjellë akuza ndaj njëra-tjetrës, ndërkohë që dorëheqja e kryeministrit Gruevski është pezulluar deri në caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve.

Ajo është deponuar në Kuvend dhe do të jetë efektive vetëm në rast se partitë arrijnë marrëveshje për datën e zgjedhjeve.

Pra, dorëheqja do të jetë e plotfuqishme vetëm 100 ditë para mbajtjen së zgjedhjeve, ashtu siç parashihet në marrëveshjen e korrikut të vitit të kaluar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG