Shtatori ka qenë edhe një muaj i gjatë i vrasjes, terrorit dhe brutalitetit për banorët e Mosulit, qytet verior i Irakut, i cili kontrollohet nga militantët e Shtetit Islamik (IS).
Ata kanë vrarë 455 banorë për “krime” të zakonshme: spiunim, braktisje të fesë, blasfemi, tradhti dhe tallje me të ashtuquajturin kalifat.
Vrasjet janë dokumentuar në një raport të publikuar më 24 tetor nga Syri i Mosulit, një pseudonim ky për një historian irakian, i cili ka publikuar aktivitetet e militantëve të Shtetit Islamik në Mosul prejse ata kanë marrë kontrollin e qytetit në qershor të vitit 2014.
Shteti Islamik ka përdorur sistemin e tij brutal të vrasjeve dhe ndëshkimeve, për të terrorizuar popullsinë lokale.
Raporti përmend vrasjen e një pronari të një restoranti lokal. Karim Alumar, 63 vjeç, ka refuzuar të mbyllë lokalin e tij gjatë faljes së Xhumasë dhe militantët e Shtetit Islamik e kanë rrahur publikisht me kamzhik në lagjen Bab al-Tub.
Gjatë rrahjes, Alumar ka bërë komente blasfemike dhe i është prerë koka menjëherë.
Dhjetë shtatori ka qenë ditë veçanërisht e përgjakshme. Personat e armatosur të Shtetit Islamik kanë vrarë një grup prej 45 ish-punonjësish të një komisioni zgjedhor të Irakut.
Viktimat e shtatorit kanë përfshirë edhe pesë vajza Yazidi, por mosha e tyre nuk dihet.
Përveç këtyre vrasjeve, në shtator, militantët e Shtetit Islamik kanë rrahur publikisht edhe 118 veta për kundërvajtje të ndryshme, si rruajtje të mjekrës, shpërfillje të lutjeve, argumente për fenë, veshtje të rrobave të gabuara, pirje të duhanit në publik dhe lojë me domino.
Militantët u kanë prerë duart publikisht edhe 88 banorëve të tjerë të Mosulit, të akuzuar për vjedhje.
Raporti i Sytrit të Mosulit po ashtu ka zbuluar detaje të tjera për sundimin e Shtetit Islamik. Thuhet se grupi militant është duke trajnuar profesionistë të huaj për të udhëhequr spitalet e Mosulit. Këto pretendime përkojnë edhe me propagandën e militantëve.
Në muajin prill, për shembull, ata kanë publikuar një video, e cila tregonte pediatrin australian, Tareq Kamleh, duke prezantuar “Shërbimin Shëndetësor të Shtetit Islamik” dhe duke iu bërë thirrje profesionistëve të tjerë shëndetësorë që t’i bashkohen atij.
Por, realiteti i spitaleve që udhëheq Shteti Islamik, është shumë ndryshe nga propaganda e tij. Banorët e Mosulit që kanë nevojë për trajtim, duhet të paguajnë tarifa të larta. Ky është një problem shumë i madh në një qytet, ku shumica e banorëve janë të papunë.
Shteti Islamik ka imponuar tarifa edhe për prindërit e fëmijëve që mësojnë në shkollat fillore, ka thënë Syri i Mosulit.
Sipas burimit të njëjtë, militantët kanë vazhduar indoktrinimin e fëmijëve në Mosul edhe gjatë muajit të kaluar.
Mësohet se 176 fëmijë, nga mosha 13 deri në 15 vjeç, i janë bashkuar Shtetit Islamik dhe janë transferuar nëpër qendra të ndryshme trajnimi në qytet. (v.tela)