Ndërlidhjet

Rusia “mund të përshkallëzojë” konfliktin në Siri


John Kerry (djathtas) dhe Sergey Lavrov (majtas)
John Kerry (djathtas) dhe Sergey Lavrov (majtas)

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka shprehur shqetësim mbi raportet për përfshirjen ushtarake të Rusisë në Siri. Në lidhje me këtë çështje, ai ka biseduar në telefon me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

“Sekretari e ka bërë të qartë se nëse raportet e tilla janë të sakta, këto veprime mund ta përshkallëzojnë më tej konfliktin, mund të çojnë në humbje më të mëdha të jetëve, të rrisin fluksin e refugjatëve dhe të rrezikojnë konfrontimin me koalicionin kundër Shtetit Islamik, që operon në Siri”, thuhet në një komunikatë për media të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Kerry dhe Lavrov janë pajtuar se bisedimet për konfliktin në Siri do të vazhdojnë këtë muaj në Nju Jork, ku mblidhet edhe Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Raportet e mediave perëndimore sugjerojnë se Rusia mund të ketë vendosur, kohët e fundit, personel ushtarak dhe avionë në Siri.

Më 4 shtator, gazeta The New York Times, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar të administratës amerikane, ka raportuar se Rusia ka dërguar një ekip të avancuar ushtarak në Siri dhe njësi banimi për qindra njerëz në një aeroport sirian, ashtu si edhe një stacion për kontrollin e trafikut ajror.

Gazeta ka raportuar se disa zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë thënë se njësitë e banimit sugjerojnë se Rusia mund të vendosë rreth 1,000 këshilltarë në aeroportin që i shërben Latakias, qytetit kryesor port të Sirisë.

Raporti ka thënë se rusët kanë paraqitur kërkesat ushtarake për fluturim nëpër vendet fqinje gjatë muajit shtator.

Po ashtu, është thënë se zyrtarët amerikanë kanë frikë se këta hapa mund të sinjalizojnë zgjerimin e mbështetjes së Rusisë për presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad.

Gazeta Los Angeles Times ka raportuar se inteligjenca amerikane i ka mbledhur provat e njësive të mundshme ushtarake nga fotografitë satelitore.

Uashingtoni ka thënë se është duke i monitoruar nga afër raportet.

Rusia ka qenë aleate e afërt e Assadit gjatë konfliktit në Siri dhe ka ofruar mbështetje diplomatike dhe armë ushtarake për të ndihmuar forcat qeveritare të Sirisë.

Moska ka po ashtu një strukturë të vogël detare në portin sirian Tartous, në Detin Mesdhe.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë të premten se do të ishte “e parakohshme” të flitej për përfshirjen e Moskës në luftime direkte në Siri.

Në luftimet e fundit në terren, së paku 47 njerëz janë vrarë gjatë përleshjeve të ashpra midis militantëve të Shtetit Islamik dhe rebelëve të tjerë në qytetin Marea të Sirisë.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG