Ndërlidhjet

A munden “nuset xhihadiste” të hedhin veten në erë?


Ilustrim
Ilustrim

A munden militantet femra të Shtetit Islamik (IS) të bëjnë sulme kamikaze?

Nëse po, ku mund ta hedhin veten në erë?

Në cilat rrethana “nuset xhihadiste” mund të shkrepin snajper? Ose kallashnikov? Dhe, çfarë aftësish duhet të posedojë një grua militante?

Të gjitha këto pyetje dhe të tjera i kanë përgjigjet në një traktat të ri, i publikuar javën e kaluar nga Fondacioni Zora, një grup mediatik që mbështet të ashtuquajturin Shtet Islamik.

Traktati, i cili tregon se kur mund të përfshihen gratë në “xhihad”, është shpërndarë në Twitter.

“Ky dokument nuk është një deklaratë zyrtare e politikave të Shtetit Islamik për lejueshmërinë e gravë që luftojnë, por sigurisht se ai reflekton mbi to”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Charlie Winter, studiues në Institutin kundër ekstremizmit, Quilliam.

Traktati është shkruar në përgjigje të kërkesës së një gruaje në Arabinë Saudite, e cila ka pyetur një dijetar me emrin Sheikh Abu Abdullah al-Mansur nëse gratë lejohen të marrin pjesë në luftime dhe si duhet t’iu shërbejnë ato muxhahedinëve, ose luftëtarëve xhihadistë.

Gruaja duhet t’i mbështesë muxhahedinët “në bazë të aftësive të saj”, duke trajtuar sëmundjet, duke qepur, gatuar dhe larë, thuhet në traktat.

Në të po ashtu thuhet se gratë, në fushën e betejës, mund të luftojnë vetëm në kapacitete mbrojtëse.

Me fjalë të tjera, gruaja nuk mund të përdorë bomba vetëvrasëse në operacione, përveç nëse i jep leje “amiri” ose komandanti.

Megjithatë, gratë lejohen të përdorin rripa vetëvrasës në rastet kur duhet të mbrojnë veten e tyre.

Për shembull, një militante e Shtetit Islamik lejohet të hedhë veten në erë ose të përdorë armë për vetëmbrojtje nëse shtëpia e saj bastiset.

Sipas traktatit, gruaja po ashtu lejohet të shpërthejë rripin vetëvrasës, nëse ka një të tillë, në rast se “të pafetë” sulmojnë spitalet ose vendet e tjera publike ku ajo është e pranishme.

Sipas studiuest Winter, traktati “qartëson në mënyrë të qartë” pozitën e e femrave brenda Shtetit Islamik.

“Gratë nuk mund të angazhohen në operacione të ofensivës derisa ‘amiri’ të mos vendosë ndryshe. Nëse atyre u lejohet të përdorin armë ose të hedhin veten në erë, kjo bëhet vetëm në kapacitete mbrojtëse”, ka theksuar Winter.

Shumica e arsyetimeve në traktat janë bërë me qëllim që të ruhen rolet gjinore dhe të ndalohen gratë nga përzierja me burra.

Traktati, në anën tjetër, i mëson gratë se si të bëjnë rripa vetëvrasës ose granata dore. Por, të gjitha këto trajnime duhet të kryhen në prani të një “mahremi” ose shoqërueseje, në një mjedis ku ndodhen vetëm gra.

“Nuk ka asnjë problem nëse gratë takohen për të ushtruar me armë, por ato duhet të jenë larg burrave”, thuhet në traktat.

I themeluar në vjeshtë të vitit 2014, Fondacioni Zora ka lëshuar edhe më parë udhëzime se si të përgatiten gratë për xhihad, si të gatuajnë dhe qepin për militantët, si të përdorin programet për përhapjen e propagandës së të ashqtuquajturit Shtet Islamik dhe si të japin ndihmën e parë.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG