Ndërlidhjet

Natyra, kafshët, shpezët - propaganda e çuditshme e IS-it


Një fotografi e përdorur nga Shteti Islamik...
Një fotografi e përdorur nga Shteti Islamik...

Çfarë kanë të përbashkët mbarështuesit e devesë, vjelësit e pjepërit dhe gurëpunuesit? Ata të gjithë janë përfshirë në propagandën e grupit ekstremist të Shtetit Islamik (IS) këtë verë.

Derisa bota është mësuar më shumë të shohë imazhe shqetësuese të dhunës së militantëve - si prerje kokash, vrasje me gurë, të shtëna masive - më shumë se gjysma e propagandës së Shtetit Islamik, e publikuar në korrik dhe gusht, ka dokumentuar jetën civile, thuhet në një raport të ri.

Raporti “Dokumentimi i ‘Kalifatit’ virtual” është publikuar më 6 tetor nga instituti kundër ekstremizit Quilliam, me seli në Londër. Ai analizon 1,146 artikuj propagandues, përfshirë video, ese, fotografi, audio-deklarata dhe “ilahi” apo këngë, të publikuara nga Shteti Islamik në periudhën 17 korrik – 15 gusht.

Zbulimi më i madh i raportit është shkalla në të cilën Shteti Islamik përdor imazhet e jetës së përditshme në “kalifatin” e tij, për të tërhequr mbështetës.

Ideja se është shtet legjitim, i cili është në gjendje të qeverisë zonat që ka nën kontroll sipas Ligjit të Sheriatit, ka qenë në qendër të mesazheve propaganduese të Shtetit Islamik prejse ka shpallur veten “kalifat” në qershor të vitit të kaluar.

Fotografitë e militantëve që tregojnë përpjekjet për mbarështim të deveve në provincën Raka të Sirisë dhe një turne të gurpunuesve në Sirte të Libisë mund të duken zgjedhje e çuditshme e propagandës, por pikërisht përmes këtyre imazheve, grupi ekstremist përpiqet të demonstrojë aftësinë e tij për të qeverisur.

Raporti i Institutit Quilliam thotë se “shumica e sfidave aktuale të propagandës së Shtetit Islamik kufizohen në çështjet e legjitimitetit të tij dhe besueshmërisë të pretendimeve të tij”.

Disa prej “ngjarjeve utopike”, të përfshira në propagandën e militantëve - si dyqanet dhe tregjet e mbushura me mallra - kanë për qëllim informomin e mbështetësve dhe kritikëve se jeta nën sundimin e Shtetit Islamik është e mirë.

“Për ata miliona njerëz që kanë kaluar vite duke jetuar pa ligje dhe me korrupsion, premtimet për mjaftueshmëri ekonomike janë të fuqishme me të vërtetë”, thuhet në raport.

Imazhet e tjera, si ato të fëmijëve duke luajtur së bashku, e përshkruajnë jetën në “kalifat” si të lumtur.

“Në thelb, Shteti Islamik po tregon se mund të jetë alternativë e vërtetë dhe e zbatueshme e status quo-së”, thotë raporti.

Imazhet e militantëve të Shtetit Islamik duke kryer krime brutale, janë bërë të njohura. Por, thuhet se ka një arsye përse grupi prodhon aq shumë propagandë për, siç thotë, “drejtësi”.

Raporti dokumenton 41 mesazhe të propagandës për “drejtësi”.

Te njerëzit lokalë, këto mesazhe përcjellin idenë se tokat e kontrolluara nga Shteti Islamik janë “kalifat i ligjit”, ku krimet civile dënohen “me shpejtësi”, thuhet në raport.

Propaganda për “krimet fetare” dhe homoseksualitetin e tradhtinë bashkëshortore synon të apelojë te mbështetësit ideologjikë.

Por, ndoshta, aspekti më i çuditshëm i propagandës së Shtetit Islamik, janë 31 fotografi që përshkruajnë natyrën.

Sipas raportit, këto përfshijnë deve të egra, stuhi pluhuri dhe shpezë të egra.

Përse Shteti Islamik përfshin imazhe të tilla në arsenalin e tij propagandistik?

Raporti thotë se grupi dëshiron ta bëjë më romantike jetën në “kalifat” dhe të përcjellë mesazhin se mbështetësit e tij nuk janë të gjithë të çmendur gjakatarë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG