Me 82 vota për, 5 kundër dhe një abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar të hënën ndryshimet kushtetuese, me të cilat hapet rruga ligjore për ngritjen e Gjykatës së Posaçme për krime lufte.
E gjithë seanca u përshkua me një debat të ashpër dhe akuza të ndërsjella si "tradhtarë e patriotë", ndërmjet atyre që mbanin qëndrim në favor të miratimit dhe atyre që ishin kundër.
Kjo ishte hera e dytë që Kuvendi nxorri për miratim këto ndryshime, pas dështimit për të bërë një gjë të këtillë në seancën e 26 qershorit, në mungesë të 5 votave.
Forcat politike në opozitë kanë kundërshtuar edhe kësaj radhe atë që ata e quajnë ,“karakterin selektiv” të gjykatës.
Por, miratimin e ndryshimeve e mundësoi ndryshimi i qëndrimit të 5 deputetëve nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, të udhëhequr nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deri sa ka arsyetuar rikthimin për votim të amendamenteve, ka thënë se Kosova duhet t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me faktorin ndërkombëtar.
Ai tha se Kosova dhe institucionet e saj duhet të tregohen se janë të përgjegjshme të përmbushin obligimet që kanë marrë.
“Qeveria është e vetëdijshme se ka mendime të ndryshme për këto amendamente dhe për vetë themelimin e dhomave të specializuara, por po ashtu qeveria vlerëson se zbardhja e së vërtetës dhe drejtësisë për disa dyshime të pretenduara gjatë luftës dhe për një periudhë të pas luftës është e rëndësishme”.
“Është një sfidë me të cilën duhet të ballafaqohemi si vend i cili ka përqafuar vlerat e demokracisë evropiane”, tha Mustafa.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha se Kosova ka nevojë për partneritet ndërkombëtar dhe se formimi i kësaj gjykate është më se i nevojshëm.
“(Me themelimin e kësaj gjykate) gjysmën e dytë të vitit 2015 mund ta shndërrojmë në vit evropian të Kosovës edhe me nënshkrimin e marrëveshjes për stabilizim – asocim edhe për rekomandimet pozitive për liberalizimin e vizave edhe për anëtarësim në UNESCO, në INTERPOL, por edhe për aplikim të suksese në Këshillin e Evropës”, tha Thaçi.
Partitë politike në opozitë, në seancën e së hënës, para se të hidheshin në votim ndryshimet kushtetuese, debatuan për bazën ligjore që ka ose jo Kuvendi, për të riproceduar edhe një herë të njëjtat ndryshime kushtetuese.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deri sa ka kritikuar qeverinë për riprocedimin e amendamenteve kushtetues për formimin e dhomave të veçanta për Gjykatën e Posaçme, ka kritikuar edhe deputetët për ndryshimin e qëndrimeve të tyre.
“Është kontrolli më i madh i qeverisë mbi Kuvendin dhe kontrolli gjithsesi më i madh i burokrateve ndërkombëtar mbi qeverinë”.
“Me gjithë këtë trysni vendore e ndërkombëtare ajo që po shohim në këtë seancë plenare të Kuvendit është që Kuvendi më shumë është bërë vendi në të cilin ndërrohet mendimi se sa që shprehet ai”, tha Kurti.
Kurse, deputeti i AAK-së njëherësh kryetar i kësaj partie Ramush Haradinaj, gjatë debatit për formimin e dhomave të veçanta, ka ftuar deputetët të votojnë kundër kësaj gjykate.
Ai ka propozuar, se një gjykatë si kjo, duhet ta formojnë vetë institucionet e Kosovës.
Kurse deputeti nga radhët e partisë politike Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, theksoi se në asnjë mënyrë nuk duhet votuar Gjykata e Posaçme.
Sipas tij, votimi “për” i kësaj gjykate, do t’i kushtojë shumë Kosovës.
“Në asnjë mënyrë ky parlament nuk guxon dhe nuk duhet të refuzojë ndjekjen e krimeve të luftës kudo që janë bërë”.
“Por nuk guxon ky parlament të ngreh dorë dhe t’i thotë “po” gjykimeve selektive, “po” një ligji që është dënues, inkriminues pa asnjë standard ndërkombëtar, “po” ndryshimeve kushtetuese për të kthyer vendin prapë në shantazh. Këtë po e themi ne, mos e bëni . Mos e ndërroni ju mendimin që e keni pasur për qëndrimet”, tha Limaj.
Votimin e së hënës, të vështirë e kanë cilësuar edhe partitë politike në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, përfaqësues të të cilave kanë thënë se ngritja e Gjykatës së Posaçme për krime lufte, është një detyrim ndërkombëtar të cilin Kosova duhet ta përmbush.
Ngritja e Gjykatës së Posaçme për krime lufte u mundësua me votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit prej 120 vendesh, si dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e minoriteteve.
Tri subjektet politike në opozitë kishin edhe një mocion procedural, me të cilin kërkonin vendosjen në rend të ditës të një rezolute për krimet serbe në Kosovë, mocion ky i cili nuk arriti të marrë vota të mjaftueshme.
Ndryshe, Gjykata e Posaçme për Krime Lufte, apo siç do të emërohet me ligj si Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendon të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj disa civilëve serbë gjatë luftës së fundit.
Autoritetet më të larta ndërkombëtare i kanë bërë thirrje Kuvendit që gjykata të votohet, për të shmangur mundësinë që ajo të themelohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.