Riprocedimi i amendamenteve kushtetuese, që do t’i hapte rrugë themelimit të Gjykatës Speciale për Krime Lufte, është në kundërshtim me rregullat e Kuvendit, thonë përfaqësuesit e partive politike opozitare në Kuvendin e Kosovës.
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Kosova po hyn në një fazë të re të funksionimit, ku më nuk vlejnë rregullat dhe nuk respektohen vendimet e Kuvendit, e as Kushtetuta.
“Çështja tash ka shkuar shumë më thellë, se kemi edhe një problem shumë më të madh procedural apo që i përket rrafshit të demokracisë. Një vendim i Kuvendit të Kosovës është i plotfuqishëm dhe që është vullnet i deputetëve të zgjedhur të popullit, e ka rrëzuar Gjykatën Speciale në votimin e fundit”.
“Tash, Qeveria me riprocedimin e Gjykatës Speciale në Kuvend, mendoj që po e fut pushtetin politik në Kosovë në një cikël të ri, të cilin unë do ta kisha quajtur diktaturë e Qeverisë në Kosovë”, thotë Konjufca, duke shtuar se shtetet demokratike dhe moderne funksionojnë vetëm me rregulla të shkruara.
Konjufca përsërit se formimi i dhomave të veçanta të Gjykatës Speciale për Krime Lufte, duhet të refuzohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Edhe shefja e Grupit Parlamentar të partisë politike Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami, thekson për Radion Evropa e Lirë se riprocedimi në Kuvend i amendamenteve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte është në kundërshtim me të gjitha rregullat e Kuvendit.
“Qeveria sjell amendamente pa i futur fare në Komisionin për legjislacion dhe në komisionet funksionale. Do të thotë, çdo herë e më shumë po shkohet duke u rritur shkelja e normave të Kuvendit dhe në përgjithësi në procedura të tjera”, shprehet Bajrami.
Shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se në seancën e së hënës partitë opozitare janë pajtuar që të dalin me një propozim për miratimin e një rezolute për dënimin e krimeve të luftës në Kosovë të viteve 1998 -1999.
“Si pikë të parë të rendit të ditës do ta fusim në seancën e së hënës miratimin e një rezolute, e cila së pari e dënon gjenocidin serb në Kosovë, të cilin e ka ushtruar Serbia gjatë luftën në Kosovë, pra viteve 1998/’99 dhe kjo është shumë me rëndësi. Rezoluta përmban një pikë, e cila thotë që Qeveria duhet ta marrë rrugën e prioritizimit të trajtimit të të gjitha krimeve të luftës pa përjashtim”, thekson Konjufca.
Edhe nga partia politike Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, vlerësojnë se Kuvendi i Kosovës ka votuar për amendamentet kushtetuese që lidhen me Gjykatën Speciale dhe rezultati ka qenë negativ.
Rikthimi i së njëjtës çështje, edhe një herë tjetër në votim, është i panevojshëm dhe në kundërshtim me praktikat parlamentare, thonë në AAK.
Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, thotë se për të kundërshtuar riprocedimin dhe votimin e Gjykatës Speciale, janë në kontakte të vazhdueshme me të gjitha subjektet politike opozitare.
Në prononcimin dhënë për Radion Evropa e Lirë, Isufi thotë se për ta kundërshtuar këtë çështje, do të shfrytëzohen të gjitha alternativat e mundshme ligjore.
“Do të mbajmë konsulta të vazhdueshme deri në mbajtjen e seancës, por konsiderojmë se nuk është e drejtë që të bëhen shantazhe ndaj deputetëve ashtu siç po vepron Qeveria e Kosovës. Po ashtu, do të shohim të gjitha format në koordinim, të cilat pamundësojnë arritjen e aprovimit të Gjykatës Speciale”, bën të ditur Isufi.
Kuvendi i Kosovës nuk arriti për 5 vota të sigurojë miratimin për ngritjen e Gjykatës Speciale për Krime Lufte në senacën e mbajtur më 26 qershor, duke qenë se 13 ligjvënës nga Partia Demokratike e Kosovës e drejtuar nga Hashim Thaçi, votuan kundër, abstenuan apo munguan fare nga seanca.
Gjykata Speciale për Krime Lufte, apo siç do të emërohet me ligj si Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendon që të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ndaj disa civilëve serbë gjatë luftës së fundit.
Këto dhoma do të jenë nën kompetencë të plotë të prokurorëve e gjykatësve ndërkombëtarë.