Ndërlidhjet

Williamson: Prova të mjaftueshme për krime kundër njerëzimit


John Clint Williamson
John Clint Williamson

Prokurori kryesor i grupit hetues të Bashkimit Evropian, Clint Williamson, mbi pretendimet e të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty për trafikim organesh dhe krime lufte në Kosovë, ka thënë sot në Bruksel se “është përballur me sfida për mbledhjen e provave për të dëshmuar akuzën për trafikim organesh”.

Por, sipas zotit Williamson, kjo nuk nënkupton se grupi hetues ka hequr dorë nga ky pretendim. Ai ka thënë se hetimet do të vazhdojnë, meqë ekziston dyshimi se një krim i këtillë ka ndodhur në shkallë të kufizuar.

"Ka shenja bindëse që kjo praktikë ka ndodhur në një shkallë shumë të kufizuar dhe që një numër i vogël njerëzish janë vrarë me qëllimin e nxjerrjes dhe trafikimit të organeve të tyre”, ka thënë zoti Williamson.

Ai ka paralajmëruar ndërkaq ngritjen e aktakuzës kundër disa zyrtarëve të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për "shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare, duke përfshirë krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës".

Kryeprokurori Williamson tha se "viktimat e këtyre krimeve ishin kryesisht serbë, romë dhe pakica të tjera, por gjithashtu shqiptarë të Kosovës, të cilët u etiketuan si kolaboracionistë të serbëve ose të cilët ishin thjeshtë kundërshtarë politik të udhëheqësisë së UÇK-së".

“Elementë të caktuar të UÇK-së qëllimisht i vunë popullsitë pakicë në shënjestër me veprat e persekutimit që përfshinin vrasje të paligjshme, rrëmbime, zhdukje të detyruara, burgime të paligjshme në kampe në Kosovë dhe në Shqipëri, dhunë seksuale, forma të tjera të trajtimit çnjerëzor, zhvendosje me dhunë të individëve nga shtëpitë dhe komunitetet e tyre si dhe përdhosjen dhe shkatërrimin e kishave dhe vendeve të tjera fetare”, tha kryeprokurori.

Sipas tij, e gjithë kjo rezultoi me “spastrimin etnik të sasive të mëdha të popullsive serbe dhe rome nga ato rrethina në anën jugore të lumit Ibër në Kosovë, me përjashtim të disa enklavave pakicash të shpërndara”.

“Ne besojmë se provat janë bindëse që këto vepra nuk ishin vepra të individëve batakçi, të cilët kishin vepruar sipas dëshirës së vet, por ishin vepra të kryera në mënyrë të organizuar dhe ishin miratuar nga individë të caktuar, në nivelet më të larta të udhëheqësisë së UÇK-së”, tha zoti Williamson.

Ai shtoi se ekipi hetues ka konstatuar se këta individë kanë vënë në përdorim elemente të caktuara të UÇK-së, “të ushtrojnë dhunë për të fituar fuqinë politike dhe pasuri personale për veten e tyre".

Megjithatë, zoti Williamson tha se të gjitha gjetjet që dolën pas tre vjet hetimesh do të mbeten të vulosura, deri në finalizimin e punës për funksionalizimin e Gjykatës së Posaçme për krime lufte.

Themelimi i kësaj Gjykate është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në muajin prill të këtij viti.

Kjo natyrisht do të ndikojë edhe në ngritjen e aktakuzës, me qëllimin që, siç u tha, të sigurohen standardet më të larta për një proces gjyqësor të paanshëm dhe transparent.

“Kjo është një situatë e pazakontë, në fakt e pa-precedent në drejtësinë ndërkombëtare, ku zyra e prokurorit të posaçëm është e themeluar, me përgjegjësi të plotë për të zhvilluar hetime dhe mandat për të ngritur aktakuzë, por pa një gjykatë ku mund të deponohen këto aktakuza”, tha Williamson.

Një vëmendje të posaçme Williamson ia kushtoi asaj që ai e quajti klimë të frikësimit të dëshmitarëve, duke thënë se “ka pasur përpjekje për ta penguar gjithë procesin hetimor" që prej fillimit të punës së grupit hetues, përmes ndërhyrjes te dëshmitarët.

Në raportin e zotit Marty, të publikuar në dhjetor të vitit 2010, pretendohej se përfaqësues të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë këtu edhe kryeministrin në largim, Hashim Thaçi, ishin të përfshirë në krim të organizuar gjatë luftës në Kosovë.

Prishtina zyrtare kishte hedhur poshtë të gjitha pretendimet e ngritura, duke ofruar bashkëpunim në zhvillimin e hetimeve mbi këto pretendime.

Të njejtin hap e kishte bërë edhe Tirana zyrtare, duke qenë se veriu i Shqipërisë, në kufi me Kosovën, ishte përmendur si lokacion i mundshëm ku është zhvilluar “tregu i zi i trafikimit të organeve”.

Ndryshe, shërbimi i zotit Williamson si kryeprokuror i grupit hetues merr fund më 23 gusht të këtij viti.

Duke u përgjigjur në kritikat jo të pakta se i gjithë ky proces është sulm mbi luftën e Kosovës për liri, Williamson tha se të tilla portretizime kanë ardhur nga ata njerëz që për synim kanë të mbrojnë veten e tyre dhe se ky hetim dhe çdo akuzë që del nga ai është i drejtuar te veprimet penale të individëve dhe jo të UÇK-së si tërësi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG