Krimi rajonal, sfidë për sigurinë

Krimi i organizuar, i cili tejkalon kufijtë, duke u shndërruar në krim të organizuar i nivelit rajonal, ka shtrirë veprimtarinë edhe në Kosovë. Si i tillë, kjo dukuri është sfidë mjaft e madhe për organet e rendit dhe të drejtësisë në Kosovë, theksojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Republika e Kosovës, sikurse edhe shtetet tjera të Ballkanit perëndimor, është një nga shtetet që vazhdimisht është ballafaquar me sfida që mund të konsiderohen mjaft shqetësuese për sigurinë e përgjithshme dhe atë rajonale.

Sipas tij, Kosova, përmes mekanizmave të sigurisë e në veçanti përmes Policisë së Kosovës ka luajtur në rol të rëndësishëm në luftën kundër krimit te organizuar dhe atij, siç e ka quajtur ai, transkufitar.

“Ballafaqimi me krimin e organizuar, migrimet e paligjshme të popullsisë, trafikimi me njerëz, kontrabandimi me narkotikë, duke mos lënë anash edhe krimin kibernetik, janë sfida që kërkojnë një bashkëpunim edhe më intensiv me shtetet e rajonit për një luftë sa më efikase dhe efektive kundrejt këtyre aktiviteteve ilegale”, ka thënë Hoxha.

Naim Maloku, ekspert për çështje të sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se krimi i organizuar nuk njeh kufi dhe i kalon ata.

Këtë dukuri, sipas tij, e lehtëson edhe fakti që Kosova kufizohet me vende, të cilat në kufijtë me të, kanë bashkësi etnike të ngjashme me ato të Kosovës.

“Krimi i organizuar praktikisht nuk ka kufij tani. Është shumë më lehtë të merren vesh dhe të hyjnë në veprimtari kriminale kriminelët e rajonit së bashku, njëri me tjetrin, se sa me të tjerë që nuk i njohin. E dyta është që ende nuk ka mekanizma të sigurisë, në atë nivel, si dhe kontroll të shtetit që t’iu bien në gjurmë, të bëjnë luftë me ta dhe të dalë fitues shteti”.

Maloku ka theksuar se e ardhmja e rajonit në luftë kundër krimit të organizuar të përmasave rajonale, dhe rrezikut në rritje nga ai, duhet të bazohet në bashkëpunimin e segmenteve dhe mekanizmave të sigurisë të rajonit, si dhe të drejtësisë.

Zëdhënësi i policisë, Hoxha, thekson se Policia e Kosovës në vazhdimësi ka treguar gatishmëri për një bashkëpunim me shtetet e rajonit dhe më gjerë..

“Si rezultat i këtij bashkëpunimi janë realizuar edhe operacione të përbashkëta policore në nivel rajonal dhe janë shënuar edhe rezultate konkrete në arrestimin e personave të dyshuar dhe shkatërrimin e grupeve kriminale”.

Hoxha ka shtuar se anëtarësimi i Policisë së Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë si Europoli dhe Interpoli, do të jepte rezultate edhe më të mira në funksion të luftimit të krimit të organizuar dhe do të eliminonte çdo barrierë që ndikon në luftimin e krimit të organizuar që tejkalon kufijtë vendor.

Sipas tij, deri më tash, Policia e Kosovës ka dëshmuar se nuk është prodhues i sigurisë vetëm brenda Kosovës por edhe jashtë saj.

Në anën tjetër, Maloku shpreh mendimin se fakti që Kosova ende nuk është pjesë e Interpolit, e vështirëson ndjekjen e kriminelëve nga ana e organeve të rendit.

Mbetja e Kosovës, edhe për një kohë të gjatë jashtë organizmave ndërkombëtarë të sigurisë, sipas Malokut, do ta dëmtoj Kosovën, dhe jo vetëm atë.

“Në qoftë se edhe një kohë e gjatë kalon dhe Kosova nuk bëhet pjesë e Interpolit, atëherë Kosova mund të shndërrohet në një strehimore për të gjithë ata kriminelë, të cilët janë të ndjekur nga Interpoli. Praktikisht, Kosova mundet me qenë një oazë, ku i ikin drejtësisë, i ikin ekstradimit ose kapjes nga ana e Interpolit, kriminelë që kanë kryer vepra të ndryshme kriminale jo vetëm në rajon, por edhe në botë”.

Maloku ka theksuar se ekzistojnë rrethana reale që të shpresohet që Kosova brenda një viti mund të anëtarësohet në Interpol, gjë që do të ishte me interes jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet e rajonit, si dhe vendet që janë pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare të sigurisë.