Ndërlidhjet

Përpjekje të intensifikuara kundër krimit të organizuar në kufij


Në Prishtinë, të enjten është mbajtur konferenca përmbyllëse për projektin e Binjakëzimit, i cili ka përfshirë “Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe Luftën kundër trafikimit të drogave”.

Objektivi i projektit ka qenë përkrahja e autoriteteve të Kosovës në fuqizimin e sundimit të ligjit, në veçanti zbatimin e Strategjisë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe Planin e saj të veprimit, si dhe luftën kundër trafikimit të narkotikëve.

Christof Stock, shef i Seksionit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, ka theksuar se gjatë 31 muajve sa ka zgjatur zbatimi i projektit, është arritur mjaft.

Ai ka theksuar që bashkëpunimi i mirë do të vazhdojë edhe pas përfundimit të këtij projekti të binjakëzimit.

“Fuqizimi i menaxhimit të integruar të kufijve dhe vendosja e ligjit i kontribuon luftës kundër trafikimit të drogës, por në këtë mënyrë i kontribuon edhe luftës kundër krimit të organizuar. Qëllimi i projektit është që t’i përparoj procedurat për lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve përtej kufijve. Funksionimi i dobët i menaxhimit të kufijve sjellë deri te vonesat, frustrimet, korrupsioni dhe kërcënimet për sigurinë”, ka thënë Stock.

Skënder Hyseni, ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, u ka shprehur mirënjohje qeverive të Mbretërisë së Bashkuar dhe Finlandës për përkrahjen e projektit, i cili, sipas tij, është me rëndësi vitale.

Ministri Hyseni ka theksuar se projekti ka dhënë rezultate në shumë drejtime. Ndër të tjera, ai ka përmendur kontributin e projektit në krijimin e qasjes të udhëhequr nga inteligjenca, që sipas tij, tashmë ka treguar rezultate në zbulimin e shkeljeve në kufi.

“Kemi shënuar një rritje të zbulimeve prej 36 për qind, si dhe në hartimin e raporteve të intelegjencës, që po ashtu ka shënuar rritje prej 82 por qind. Ulja e kohës së pritjes në kufi ka qenë gjithashtu një nga rezultatet e synuara të projektit, gjë që është arritur me anë të ristrukturimit dhe riorganizimit të doganave, si dhe nga masave të ndërmarra nga policia kufitare për përmirësimin e qarkullimit të trafikut dhe mallrave. Projekti ka ofruar mbështetje gjatë këtyre proceseve me anë të këshillave për institucionet e Kosovës”, ka thënë Ministri Hyseni.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruari O’Conell, ka theksuar se vendi i tij dhe Kosova e kanë interes të përbashkët që Kosova të jetë e sigurt, e qëndrueshme dhe e përparuar.

Ai ka thënë se ekziston nevoja që Kosova të jetë e pajisur me strukturë të pavarur efektive dhe efikase që merret në mënyrë të shpejtë dhe efikase me sfidat në vend dhe në rajon, siç janë: kontrabanda, të gjitha llojet e trafikimit, emigrimi i paligjshëm, terrorizmi dhe krimi i organizuar.

“Menaxhimi i mirë i kufirit dhe siguria është një pjesë thelbësore në luftë kundër krimit. Nëpunësit publik në kufi janë mu në vijën e frontit. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi, për t’i mbështetur ata".

"Por, në anën tjetër, menaxhimi efektiv kufitar mundëson dhe përmirëson njohjen e të drejtave të personave që kalojnë kufirin, rregullon inspektimin e udhëtarëve si dhe menaxhimin e emigracionit. Menaxhimi efektiv kufitar përmirëson qarkullimin e mallrave dhe mbledhjen e të hyrave dhe në të njëjtën kohë zvogëlon rrezikun nga krimi dhe terrorizmi, si dhe përmirëson zbatimin e ligjit”, tha ambasadori O’Conell.

Ndryshe, në kuadër të projektit, Kosova ka marrë donacion pajisje për zbulimin e drogave.

Mark Mc Dowell, udhëheqës i projektit, ka thënë se Kosova është në një fazë të rëndësishme në rrugën drejt integrimeve evropiane dhe projekti i binjakëzimit dëshmon përparimin në këtë rrugë.

“Kosovës i nevojitet mbështetja edhe më tej në luftën kundër trafikimit të drogave. Pajisjet i janë dhuruar Policisë së Kosovës, në kufi dhe të tjerëve. Detektorët i janë dorëzuar vendkalimeve kufitare dhe ato do t’i përdorin doganierët dhe policët. Këta detektorë, deri më tash nuk janë dorëzuar askund në Evropë”, theksoi Mc Dowell.

Projekti i binjakëzimit i Bashkimit Evropian, ka pasur buxhetin prej 2 milion eurove.

Ai ka nisur në nëntor të vitit 2012 dhe është financuar dhe menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ndërkaq është zbatuar nga qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Finlandës, gjatë periudhës prej 31 muajve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG