Ndërlidhjet

Krimi ekonomik “vret” bizneset


Ilustrim
Ilustrim

Niveli i lartë i krimit ekonomik në Kosovë po pengon zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe zvogëlimin e të hyrave në buxhetin e Kosovës,thonë ekspertë për çështje ekonomike në Kosovë.

Sipas tyre, pastrimi iparave, krimeve tjera ekonomike dhe financiare, në pjesën më të madhe konsiderohen krime të fshehura.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit vlerësojnë se korrupsioni, shkeljet tatimore, krimet që lidhen me prokurimin, kontrabandën, krimet financiare, krimet e drogës janë krimet më të shpeshta, por që ende nuk dihet se në çfarë përmasash.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, konsideron se kjo dukuri po shkatërron veprimtarinë e bizneseve, të cilat aktivitetin e tyre e zhvillojnë në mënyrë të rregullt.

“Sipas të gjitha perceptimeve, analizave, hulumtimeve, ekziston krimi ekonomik. Po në çfarë mase asnjëherë nuk mund të vërtetohet kjo, ashtu siç nuk mund të vërtetohen shifrat e sakta për korrupsionin dhe ekonominë joformale”.

Ky fenomen negativ karakterizohet edhe me haraç, shantazhe të ndryshme, që iu bëhen njerëzve dhe bizneseve”, thotë Shahini.

Ekonomia kriminale është e pranishme në Kosovë dhe kjo po pengon ekonominë reale, zhvillimin e shoqërisë, por edhe buxhetin e Kosovës, thotë edhe Ismail Kastrati, ekspert për çështje ekonomike.

Ai në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se krimi ekonomik pengon edhe në mundësitë e zhvillimit të arsimit, shëndetësisë dhe veprimtarive tjera publike.

Kastrati konsiderojnë se autoritetet kompetente nuk po tregojnë një gatishmëri për të luftuar këtë dukuri.

“Në realitet, ekonomia kriminale nuk luftohet fare , përveç deklaratave dhe formimin e disa grupeve, komisioneve dhe strategjive, të cilat vetëm në aspektin formal e plotësojnë vakuumin,përndryshe në aspektin real kurrgjë nuk bëhet në këtë drejtim”, thekson Kastrati.

Ndërkaq, Agim Shahini thekson se prania e kësaj dukurie në Kosovë është për shkak të mosfunksionimit të duhur të sistemit të drejtësisë.

“Kjo vjen si pasojë e mosfunksionimit të rendit dhe ligjit, e cila është e nxitur nga njerëzit e papërgjegjshëm, por dhe njerëzit e përgjegjshëm, sepse janë të nxitur nga të parët. Përderisa në Kosovë ende nuk janë të mbrojtur dëshmitarët në nivelin e duhur, kjo do të vazhdojë të jetë në rritje, për shkak se askush nuk e ka atë guxim shpirtëror që të denoncojë gjithë këto dukuri, apo njerëz të caktuar në organet e drejtësisë”, shton Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, zyrtarë qeveritarë tashmë sa herë kanë pohuar se lufta kundër këtyre krimeve është përparësi e institucioneve të Kosovës. Madje, për luftimin e kësaj dukurie janë krijuar disa strategji.

Në Strategjinë kombëtare për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave, financimin e terrorizimit dhe krimeve ekonomike për vitin 2014- 2018 thuhet se do të reduktojë shkallën e ekonomisë joformale në 5 për qind mes 2014 dhe 2018.

Kurse, gjatë vitit 2015 deri në 2018, vlera e konfiskimit të të ardhurave nga krimi duhet të jetë 1,000 000 euro për vit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG