Përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veteranë dhe qytetarë të shumtë kanë protestuar në Prishtinë, kundër formimit të Gjykatës Speciale për Krime Lufte.
Organizatorët e protestës kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi që në asnjë rast, siç kanë thënë ata, të mos pranojnë formimin e kësaj gjykate.
Kryetari i organizatës së veteranëve të UÇK-së, Smajl Elezaj, tha para protestuesve se Kosova dhe institucionet e saj nuk duhet të lejojnë që t’u bëhet padrejtësi ish udhëheqësve të UÇK-së.
“Është koha që shteti i Kosovës, Kuvendi dhe Qeveria, të dëshmojnë se janë përfaqësues të popullit, e jo të emëruar të zyrave të huaja. Liri për të dënuarit politikë të luftës sonë çlirimtare, stop gjyqeve politike”, tha Elezaj.
Organizatorët e protestës i bënë thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare që para se të kërkojë nga Kosova formimin Gjykatës Speciale për krime lufte, të shkojë në Serbi dhe të gjejë, siç thanë ata, persona që kanë bërë krime në Kosovë.
“Ne themi me plot të drejtë, mjaft më, mos shkoni më tej, mos e gjykoni luftën tonë të drejtë. Mos i burgosni çlirimtarët, sepse jetën ne e kemi prej tyre. Nga lufta dhe qëndresa e tyre jetojnë brezat e sotëm. Thuhet se nuk po gjykohet UÇK-ja, por gjykimi i drejtuesve të shumicës së zonave operative e dëshmon të kundërtën”, tha Smail Elezaj.
Edhe Avdyl Mushkolaj nga Shoqata e Veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rajonin e Dukagjinit, me tone kërcënuese tha se ata që përfaqësojnë popullin duhet të heqin dorë nga tendenca për formimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.
“Kryeni detyrat dhe obligimet tuaja e mos e detyroni këtë popull të derdh gjak të ri. Adresa e krimeve të luftës e spastrimit etnik e gjenocidit kundër njerëzimit është në Beograd”, tha Mushkolaj.
Ndërsa Xhavit Jashari, kryetar i Organizatës së Veteraneve të Luftës, tha se “djemtë dhe vajzat e Kosovës kanë realizuar shumë mirë luftën pasi populli ka qenë i robëruar dhe nga robëria ka dalë me anë të luftës”.
Protestuesit në duar kanë mbajtur parulla me mbishkrimet "Drejtësi ku je fshehur”, "Stop aktgjykimeve politike".
Protestuesit kanë mbajtur në duar edhe fotografi të pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga grupi Drenica, të dënuar ditë me parë nga Gjykata Themelore, për krime lufte.
Vesel Tahiri i cili kishte ardhur nga fshati Polluzhë i Drenicës, tha se po proteston kundër themelimit të Gjykatës Speciale për krime të luftës.
“Gjykata Speciale është vetëm një hakmarrje që t'u plotësohet dëshira serbëve të cilët kanë bërë masakra në popullin shqiptar”, tha Tahiri.
Edhe Hajdin Kastrati shprehet ngjashëm.
“Po shihet se çka po ndodh para se të formohet ajo gjykatë e lëre më se çka do të ndodh pas formimit të saj ”, tha Kastrati.
Themelimi i dhomave të veçanta, apo siç njihet edhe me termin Gjykatë Speciale për krime lufte, rrjedh edhe nga letërkëmbimi ndërmjet presidentes Atifete Jahjaga dhe ish-përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton në prill të vitit 2014, të cilën në formë marrëveshjeje e kishte miratuar më pas Kuvendi i Kosovës.