Ndërlidhjet

Shtatë vjet pas fuqizimit, Kushtetuta sfidohet nga "Specialja"


Në shtatë-vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës, Kosova po ballafaqohet me një prej sfidave më të mëdha të amandamentimit të saj.

Fjala është për themelimin e dhomave të veçanta apo Gjykatës Speciale për Krime Lufte, me të cilën do të bëhej transferimi i një pjese të kompetencave dhe sovranitetit shtetëror te prokurorët dhe gjykatësit ndërkombëtarë.

Kushtetuta parasheh që amandamenti mund të bëhet vetëm përmes votimit të dyfishtë, që nënkupton dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve dhe dy të tretave të votave të deputetëve nga radhët e komuniteteve pakicë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se pritet që projektligji për Gjykatën Speciale për Krime Lufte, i negociuar me Bashkimin Evropian, të procedohet në Kuvend në mënyrë që ai të votohet bashkë me amandamentin e propozuar nga qeveria e Kosovës.

Tash për tash ai ka konfirmuar se projektligji nuk i është proceduar Kuvendit, por nëse kjo ndodhë, nuk e ka përjashtuar mundësinë e shqyrtimit të tij edhe me procedura të shpejtuara.

"Po e ritheksoj që me rëndësi është ta ruajmë partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, e të njëjtën kohë të mundohemi me çdo kusht ta arrijmë konsensusin e përbashkët brenda nacional. Do të aprovohet një ligj, i cili do t'i përmbushë interesat e Kosovës, do t'i mbrojë të drejtat e njeriut të qytetarëve të Kosovës dhe të njëjtën kohë nuk do të cenojë sovrantitetin e Republikës së Kosovës", ka deklaruar Veseli.

Nevoja që Kosova të bartë një pjesë të përgjegjësive kushtetuese te faktori ndërkombëtar edhe shtatë vjet pas hyrjes në fuqi të aktit më të lartë juridik, po shihet si tregues i dështimit të organeve të drejtësisë në vend.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova duhet ta themelojë këtë gjykatë dhe të çojë në vend zotimin që ka marrë para bashkësisë ndërkombëtare.

"Republika e Kosovës duhet të ushtrojë sovranitetin e vet dhe të drejtat e saj kushtetuese, duke e themeluar këtë gjykatë në mënyrë që të ketë drejtësi për të gjitha viktimat, pavarësisht se kush kanë qenë ato dhe në mënyrë që njëherë e mirë të tregojmë se Republika e Kosovës nuk ka se çfarë të fsheh sa i përket luftës së saj çlirimtare".

"Arsyeja pse kjo gjykatë po themelohet, fatkeqësisht është se institucionet e Kosovës kanë dështuar për t'u marrë me krime të tilla të ndjeshme", ka theksuar Osmani.

Konsensusi politik rreth miratimit të amandamentit kushtetues për gjykatën speciale nuk ka të bëj me opozitën, pasi që të tri partitë në opozitë janë deklaruar kundër saj.

Kështu që, subjektet partnere në qeveri, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike bashkë me pakicat mbetet të sigurojnë votat e nevojshme për themelimin e saj.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda mendon se nuk është e drejtë që Kosovës në vazhdimësi t'i kërkohet të zbatojë vendime, përderisa ajo nuk shpërblehet asnjëherë për këto vendime të dhimbshme që i merr.

"Në qoftë se pra po kërcënohet Kosova me dëmtime të proceseve politike, atëherë pyetja tjetër mundet me qenë - në rregull, nëse do të votohej Gjykata Speciale, a do të na njohin pese vendet e Bashkimit Evropian që nuk na kanë njohur ende? Nuk mund të ketë vetëm shkop e jo edhe karrotë për Kosovën", ka thënë Dedaj.

Përderisa autoritetet në Kosovë flasin për konsensus dhe një projektligj sa më të favorshëm, në anën tjetër Bashkimi Evropian edhe njëherë e ka konfirmuar se për Brukselin drafti i ligjit për dhomat e veçanta ishte i përmbyllur.

Së fundi, shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Samuel Zbogar ka deklaruar se nuk sheh më asnjë arsye të qëndrueshme për çfarëdo vonese të mëtutjeshme lidhur me formimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë.

Përveç amandamentit për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, Kushtetuta e Kosovës pritet të pësojë ndryshime edhe në lidhje me formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe ka nisma për ndryshimin e saj në kompetencat dhe zgjedhjen e presidentit.

Që nga 15 qershori i vitit 2008, Kushtetuta e Kosovës është plotësuar me 24 amendamente, të cilat kryesisht kanë mundësuar kalimin e kompetencave nga misionet mbikëqyrëse ndërkombëtare tek institucionet e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG