Dështimi eventual i Kosovës që të themelojë dhomat e veçanta për trajtimin e rasteve të dyshuara për krime lufte do të kishte pasoja të mëdha, thonë analistët politik në Prishtinë.
Sipas tyre, pasojat nuk përfundojnë vetëm me bartjen eventuale të çështjes në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ngase ato shtrihen edhe në rrafshe tjera.
Gjykata Speciale për krime lufte, pretendon që të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë gjatë periudhës së viteve 1999 - 2000.
Analisti Imer Mushkolaj mendon se me mosthemelimin e kësaj gjykate, Kosova do të tregonte se nuk është e interesuar t'i zbardhë këto pretendime.
Po ashtu, sipas tij, çështja më pas do të përfundonte në Këshillin e Sigurimit me çka do të mund të ri-fuqizohej ndikimi i OKB-së në Kosovë.
"Nëse nuk votohet krijimi i Gjykatës Speciale, institucionet dhe shteti i Kosovës do të dalë se nuk është i interesuar që t'i zgjidh krimet e pretenduara që kanë të bëjnë me të kaluarën".
"Së dyti, natyrisht që paralajmërimet e disa prej anëtarëve të Këshillit të Sigurimit për bartjen e kësaj çështje në OKB do të ishte po ashtu me pasoja të mëdha për Kosovën, ngase do të ringjallej edhe njëherë Rezoluta 1244", ka thënë Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq, analisti Artan Muhaxhiri vlerëson se themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte nuk ka alternativë.
Sipas tij, shteti i Kosovës ka treguar një zhvillim të ulët në sistemin e saj të drejtësisë, me çka edhe i ka krijuar parakushtet që ndërkombëtarët të krijojnë këto dhoma të specializuara për hetimin e dyshimeve të ngritura për krime lufte.
"Moskrijimi i kësaj gjykate do të konsiderohej si një lloj pranimi i fajësisë për të gjitha ato akuza të tmerrshme që janë duke u bërë kundër ish-UÇK-së dhe kundër disa personaliteteve të larta që kanë marrë pjesë në luftë", ka thënë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.
Në vijim, Artan Muhaxhiri thotë po ashtu se injorimi i mesazheve që i vijnë Kosovës nga shtetet mike për themelimin e Gjykatës Speciale, do ta dëmtonte edhe imazhin e saj.
Me këtë veprim, sipas tij, Kosova do të dëshmonte se nuk është në gjendje të zbatojë një prej marrëveshjeve të arritura me Bashkimin Evropian.
"Mosthemelimi i kësaj gjykate do të ndikonte edhe në prishjen e raporteve me partnerët tanë kryesorë, gjë që është një hap krejtësisht i pafalshëm dhe që do të krijonte probleme shumë të mëdha në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe drejt institucioneve tjera ndërkombëtare", ka deklaruar Muhaxhiri.
Megjithatë, krijimi i Gjykatës Speciale nuk po pritet aspak mirë nga një pjesë e subjekteve politike dhe organizatave të ndryshme, sidomos atyre që përfaqësojnë strukturat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, kanë bërë me dije se do të organizojnë të mërkurën në Prishtinë një protestë përmes të cilës kundërshtojnë themelimin e Gjykatës Speciale.
Përfaqësuesi i këtyre organizatave, Xhavit Jashari u ka bërë të martën thirrje edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos e votojnë krijimin e kësaj gjykate.
"Do të kundërshtojmë fuqishëm krijimin e Gjykatës Speciale e cila mendojmë se është shumë e dëmshme jo vetëm për vlerat, jo vetëm për luftën, por është e dëmshme edhe për institucionet sepse e suprimon autonominë, suprimon shtetësinë, suprimon drejtësinë në Kosovë dhe mendojmë që ne duhet t'i fuqizojmë organet e drejtësisë që i kemi këtu", ka deklaruar Jashari.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Task Forcës Speciale Hetuese në lidhje me pretendimet e shprehura në raportin e Këshillit të Evropës, për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë, Joao Sousa, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se është në interesin e të gjitha palëve të përfshira që "pa vonesa tjera" të themelohen dhomat e veçanta të gjykatave dhe prokurorisë për t'i trajtuar rastet e dyshuara.
Ai ka rikujtuar se themelimi i këtyre dhomave të veçanta, apo siç njihet edhe me termin Gjykatë Speciale për krime lufte, rrjedh edhe nga letërkëmbimi ndërmjet presidentes Atifete Jahjaga dhe ish-përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton në prill të vitit 2014, të cilën në formë marrëveshjeje e kishte miratuar më pas Kuvendi i Kosovës.