Ushqyeshmërinë e diktojnë edhe kushtet ekonomike

Plani i Ministrisë së Shëndetësisë për të ushqyerit ka për qëllim përmirësimin e gjendjes shëndetësore sidomos për nënat dhe fëmijët.

Të enjten shënohet Dita Botërore e Ushqimit. Ekspertët shëndetësore thonë se mënyra e të ushqyerit, si dhe orari i ushqimit, janë shumë me rëndësi për organizmin e njeriut. Rreth asaj se sa kujdesen njerëzit për shëndetin dhe si ushqehen ata, Radio Evropa e Lirë ka anketuar disa qytetarë.

Behare Gashi, 19-vjeçare, e cila vijon mësimet në shkollën “Sami Frashëri” në Prishtinë, mendon se njerëzit sot nuk bëjnë jetë të shëndetshme:

“Për shkak të orareve të gjata mendoj se njerëzit nuk kanë kohë të ushqehen si duhet. Mendoj se dreka është shtyrë, pra shumica e njerëzve e hanë drekën vetëm në orën 17, apo edhe më vonë. Mendoj se edhe aktivitetet fizike janë shumë të nevojshme, e që, sipas mendimit tim, njerëzit nuk kanë kohë shumë për t’u kushtuar aktiviteteve dhe kjo ndikon në mënyrën e jetesës. Të gjithë njerëzit qarkullojnë me vetura, nuk ecin e jo më të dalin dhe të vrapojnë”.

Mentor Muharremi, 30 vjeç, ekonomist me profesion, jeton në Prishtinë. Ai thotë se jeta dinamike nuk e lejon të ushqehet ashtu siç do të kishte dëshirë. Por, Mentori përmend edhe një faktor tjetër që po ndikon sipas tij në këtë mënyrë të të ushqyerit. Ai thotë se as tregu nuk ofron ushqime kualitative, për shkak se tregu ofron ushqime të rritura në mënyrë artificiale.

“Mundësia për t’u përkujdesur për veten është shumë e vogël, për shkak se jeta dinamike të kufizon shumë dhe s’mund t’u dedikohesh shujtave kualitative. Por, edhe mundësia për të gjetur diçka të shëndetshme është shumë e vogël, sepse perimet që ofrohen ne treg, janë të rritura në mënyrë artificiale edhe mungon produkti vendor”, vlerëson Mentori.

Ndryshe, zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, kanë deklaruar se për ushqyeshmërinë ka rekomandime të ndryshme, në bazë të hulumtimeve që janë bërë nga ky institut. Por, sipas tyre, ushqyeshmëria në vend është e mangët.

Ata kanë shtuar se është bërë përpjekje që të bëhet ngritja e standardit të jetesës në nivel optimal, në mënyrë që të mund t’i parandalojnë me programe të posaçme ato sëmundje që vijnë si mungesë e mikronutrientëve në ushqim, duke shtuar se tashmë është pasuruar mielli me acid folik dhe hekur.

Derisa një tjetër qytetare, Antigona Hyseni, thotë se ushqyeshmëria nuk është në nivelin e duhur për shumë arsye.

“Ka shumë varfëri, dhe mendoj se si për të rinjtë, po ashtu edhe për të moshuarit, është e njëjta situatë. Mendoj se edhe ata që kanë kushte financiare, për shkak të dinamikës së jetës, nuk ushqehen si duhet”, shprehet Antigona.

Edhe Rrita Pllana jep të njëjtin mendim:

“Disa ushqehen mirë, por shumë nga qytetarët mendoj se jo, për shkak të kushteve ekonomike. Por, mendoj se të rinjtë edhe po qe se kanë kushte ekonomike të mira, më shumë preferojnë fast food, gjë që tashmë është vërtetuar se nuk është ushqim i shëndetshëm”.

Veçanërisht të domosdoshëm ushqimin cilësor për të moshuarit e konsideron edhe pensionistja Rabije Aliu. Por, Rabija thotë se pensionet e ulëta kanë bërë që ushqyeshmëria të jetë e dobët.

“Shumë vështirë është të jetosh si pensionist, për shkak se pensioni është shumë i ulët. Pensionistët ballafaqohen me gjendje socio-ekonomike dhe shëndetësore shumë të vështirë. Me pensionet që marrin, ata nuk kanë mundësi të blejnë ushqim kualitativ, pasi që ushqimi është shumë i shtrenjtë”, thotë Rabija.

Sidoqoftë, Ministria e Shëndetësisë ditën e enjte, për hir të Ditës Botërore të Ushqimit, ka zyrtarizuar grupin punues për përpilimin e planit të veprimit për të ushqyerit për periudhën 2015 - 2020, me qëllim për të përmirësuar gjendjen e të ushqyerit.

Grupi punues është i përfaqësuar nga institucionet e ndryshme për të adresuar në mënyrën sa më gjithëpërfshirëse dhe multi-sektoriale aspektet e të ushqyerit.

Plani për të ushqyerit do të udhëzojë dhe koordinojë aktivitetet lidhur me të ushqyerit, me qëllim të përmirësimit të përgjithshëm të gjendjes shëndetësore të popullatës, në veçanti për nënat dhe fëmijët.

Ministria e Shëndetësisë thotë se është e përkushtuar për të përmirësuar gjendjen e të ushqyerit, ndërsa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës do ta udhëheqë këtë proces, me përkrahje të Fondacionit për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara, UNICEF.