Ndërlidhjet

Mielli i Kosovës, i pasuruar


Ilustrim
Ilustrim
Në Kosovë nuk ekziston një sistem i mirëfilltë i regjistrimit të kualitetit të ushqimit dhe nuk ka të dhëna se sa ushqim shpenzohet brenda një viti për kokë banori.

Shkalla e lartë e varfërisë bën që të konsumohet sasi e pamjaftueshme e ushqimit, kanë deklaruar zyrtarë që merren me këtë çështje.

Selatin Kaçaniku, drejtor i organizatës joqeveritare’’Konsumatori’’, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në shtator të vitit 2012, Ligji mbi pasurimin e miellit me hekur dhe acid folik, u miratua nga Kuvendi i Kosovës, si vendi i 75-të në nivelin global me legjislacion për të përmirësuar shëndetin publik, përmes kësaj praktike efektive.

Dhe tashmë, sipas zotit Kaçaniku, pasurimi i miellit me acid folik dhe hekur ka filluar.

Kjo praktikë do të zbatohet në bashkëpunim dhe përkrahje me Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Agjencinë për Ushqim dhe Veterinë, Shoqatën e Mullisëve të Kosovës dhe Fondin e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë - UNICEF.

"Prodhuesit vendorë e kanë obligim ligjor pasurimin e miellit me acid folik dhe hekur. Këta edhe përkrahen nga Ministria e Bujqësisë dhe UNICEF-i, ku aditivët ju ofrohen gratis. Kjo do të jetë obligim i përhershëm, dhe janë siguruar nga UNICEF-i donacion sasitë e para të aditivëve të acidit folik dhe hekurit", bëri të ditur Kaçaniku.

Zyrtarë nga UNICEF-i, organizatë kjo që ka një sërë aktivitetesh për përmirësimin e gjendjes shëndetësore, e që kanë të bëjnë me program të të ushqyerit, kanë bërë të ditur se pasurimi i miellit është mënyra më e mirë dhe më e lirë që redukton mungesën e disa elementeve, si acidi folik dhe hekuri.

Mungesa e këtyre përbërësve shkakton shumë anomali, e ndër to edhe lindje të parakohshme dhe lindje të fëmijëve të vdekur.

Dafina Zuna Hoxha, zyrtare në UNICEF, për Radion Evropa e Lirë tha se janë marrë mostrat e miellit në më shumë se 400 furra, ku edhe ka rezultuar pozitive furnizimi me acid folik dhe hekur.

"UNICEF konfirmon se prej 400 mostrave sa janë testuar se a janë pasuruar me acid folik dhe hekur, 350 mostra kanë rezultuar se tashmë pasurimi me acid folik dhe hekur ka filluar", u shpreh Zuna Hoxha.

Por, zoti Kaçaniku ka shprehur një shqetësim për faktin se mielli i cili po importohet duhet të kontrollohet nëse po pasurohet me acid folik dhe hekur.

"Mielli i cili importohet nga rajoni, sipas mullistëve, hyn pa qenë i pasuruar duke bërë konkurrence lojale me çmime më të lira dhe duke e destabilizuar tregun dhe duke e sabotuar prodhimin vendor. Ne jemi duke i përcjellë situatën dhe jemi duke kërkuar më shumë kontroll në importin e miellit dhe me këto kapacitetet tona jemi vigjilent në treg", tha Kaçaniku.

Sidoqoftë, hulumtimet e ndryshme tregojnë se raste të shumta të vdekshmërisë së fëmijëve, rastet e shumta të vdekjes së nënave, si dhe lindje të fëmijëve me anomali të ndryshme vijnë edhe si pasojë e mungesës së hekurit dhe acidit folik.

Dy studime që janë bërë në Kosovë sipas zyrtarëve të UNICEF-it, tregojnë për shkallën e ngecjes në rritje dhe thuhet se ka mungesë të hekurit te popullata dhe ngecje në rritje te fëmijët.

Kjo ngecje është se mungon ushqimi cilësor për një kohë të gjatë.

Edhe zyrtarë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit publik thonë se për ushqyeshmërinë ka rekomandime të ndryshme, në bazë të hulumtimeve që janë bërë, por që në Kosovë , ushqyeshmëria është e mangët.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG