Liberalizimi i tregut energjetik siguron rrymë

Ilustrim

Vendet e rajonit janë shumë të varura nga importi i energjisë elektrike dhe për këtë qëllim duhet të ketë liberalizim të tregut të energjisë elektrike, në mënyrë që të ketë furnizim pa ndërprerë dhe njëherësh konsumatorët të zgjedhin kompaninë për blerjen e këtij produkti.

Kështu u tha në konferencën ndërkombëtare të mbajtur në Prishtinë “Tregu Energjetik në Evropën Juglindore”, në të cilën morën pjesë përfaqësues të kompanive të ndryshme energjetike nga shtetet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian.

Fadil Ismaili, ministër në largim i Zhvillimit Ekonomikë, tha se Kosova ka potenciale të mjaftueshme energjetike që mund shndërrohen në megavat, jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin.

Hapja e tregut nënkupton çmime dhe kualitet më të mirë për konsumatorët , prandaj është bërë dhe po bëhet punë që të ketë një treg sa më të hapur, tha Ismaili, duke shtuar se Kosova është shumë e përkushtuar të jetë pjesë e një tregu të gjithëmbarshëm evropian të energjisë

Ai përmendi procesin e ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, si dhe mospajtimet e shoqërisë civile kundër ndërtimit të këtij termocentrali me thëngjill.

“Do të vazhdojmë me këtë, sepse nuk do të ndërtohet elektrana në një moment vetëm për nevojat e Kosovës, por me një hapje të tregut këto elektrana, do të shërbejnë për furnizim të energjisë elektrike edhe në rajon. Dhe, me hapjen e tregut, atëherë sigurisht se do të kihen parasysh edhe burimet e ripërtërishme të energjisë, burimet nga era apo dielli”, tha Ismaili.

Termocentrali “Kosova e Re” është një projekt, i cili ka filluar vite më parë dhe vazhdimisht ka pësuar ndryshime.

Ndërtimet për këtë termocentral, sipas autoriteteve kompetente, ishin parashikuar të nisin në janar të vitit 2015, pasi në garë për ndërtimin e tij janë ende katër konsorciume ndërkombëtare.

Por, ditë më parë është njoftuar se është shtyrë edhe për tre muaj afati për dorëzimin e ofertave dhe zgjedhjes së investitorëve për fazën e parë.

Edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff, tha se Kosova ka nevojë për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, sepse Termocentrali “ Kosova A” duhet të mbyllet.

Pavarësisht se kush do të qeverisë në Kosovë, sipas ambasadorit Cliff, duhet të krijojë kushte për tërheqjen e investitorëve ndërkombëtarë në fushën energjetike.

“Kosova ka nevojë të ndërtojë një termocentral të ri për të mbuluar nevojat e saj energjetike. Duhet rinovohet sistemi i tanishëm, por edhe të punohet për energji të ripërtërishme”, theksoi Cliff.

Konferenca ndërkombëtare për energji është organizuar nga kompania gjermane “Evroenergie” më seli në Prishtinë. Drejtori i kësaj zyre, Hamdi Malushaj, tha se Kosova nuk mund të arrijë integrim politik pa arritur integrim ekonomik.

E, për të arritur integrim ekonomik, atëherë Kosova, sipas tij, duhet të shfrytëzojë edhe potencialet që ka në fushën e energjetikës.

Me liberalizimin e tregut energjetik, sipas Malushajt, qytetarët vetë do të vendosin për blerjen energjisë dhe jo të varen nga një kompani e caktuar.

“Liberalizimi i tregut energjetik do të vijë si fuqi dhe nuk varet nga Kosova, sepse konsumatori është konsumator dhe prodhuesit e dëshirojnë konsumatorin. Liberalizimi i tregut do të thotë zgjidhje e problemit të qytetarit. Nëse nuk ke mundësi që të prodhosh energji, dikush tjetër prodhon për ty. Por, është bursa ajo që e përcakton çmimin”, u shpreh Malushaj.

Ndryshe, në kuadër të negociatave që po zhvillohen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, zëvendëskryeministrja në largim, njëherësh udhëheqëse e dialogut, Edita Tahiri, tha se kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me shtetin e Serbisë për transmisionin e energjisë.

Zëvendëskryeministrja në largim, Edita Tahiri, këtë marrëveshje e konsideron arritje të suksesshme, pasi do të ndikojë edhe stabilitetin energjetik rajonal.

“Me aprovimin dhe nënshkrimin e këtyre dokumenteve po hapet një kapitull i bashkëpunimit ndërshtetëror në mes Kosovës dhe Serbisë, sipas standardeve evropiane në bazë të marrëveshjeve të Brukselit dhe me garantimin e Bashkimit Evropian për zbatimin e tyre”.

“Ne, si Republikë e Kosovës, mendojmë se bashkëpunimi ndërshtetëror në çështjet e energjisë, është shumë i rëndësishëm, jo vetëm në rritjen e cilësisë për qytetarët në të dyja shtetet, por bashkëpunimi i tillë kontribuon edhe në stabilitetin energjetik rajonal”, deklaroi Tahiri.

Me këtë marrëveshje, sipas Tahirit, shuhen të gjithë operatorët ilegalë që kanë vepruar në pjesën veriore të Kosovës që nga përfundimi i luftës së fundit.