Ndërlidhjet

Maqedonia liberalizon tregun energjetik


Ilustrim
Ilustrim
Nga një prilli i sivjetmë ka hyrë në fuqi faza e dytë e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, me atë që 222 kompani të Maqedonisë, të cilat kanë mbi 50 të punësuar dhe njëkohësisht të ardhurat e tyre të përgjithshme vjetore kalojnë vlerën 10 milionë euro, përmes tregut të lirë, do të furnizohen me energji elektrike.

Kompanitë private presin që me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, të zvogëlohen dhe harxhimet për energji elektrike. Ulja e çmimeve, sipas afaristëve, pritet të arrijë deri më 25 për qind.

“Çështja e liberalizimit të energjisë elektrike në Maqedoni, pritet që të sjellë efekte pozitive, respektivisht më tepër paraqitet si një shpresë për ato kompani që janë harxhueset më të mëdha të energjisë elektrike. Pritjet janë që të ketë një rënie të çmimit furnizues me energji elektrike për këtë kompani, sepse fundja vetë politika e liberalizmit të energjisë elektrike, e ka si pikësynim”, thotë Arben Halili, drejtor i Odës Ekonomike për Maqedoninë Veri-perëndimore.

Tashmë mbi 115 konsumatorë të kualifikuar kanë lidhur marrëveshje për furnizim të energjisë elektrike me EVN- në, ndërsa kompanitë tjera me energji elektrike do të furnizohen përmes EDS - Energy Delivery Solutions.

Duke komentuar këtë fenomen, Halili thotë se “fenomeni i të qenët besnik ndaj furnizuesit të mëhershëm, respektivisht kompanisë EVN, është e lidhur me përshtypjet se biznesi, duke mos lëvizur nga furnizuesi ekzistues, do të ketë një stabilitet më të qëndrueshëm të furnizimit me energji elektrike. Respektivisht, ata kanë frikë se duke kaluar nga furnizuesi aktual, në një furnizues tjetër, doza e destabilitetit të furnizimit, do të ishte më e pranueshme”.

Por, me liberalizimin e tregut energjetik në Maqedoni, ndryshohet edhe modeli, me të cilin tarifohej energjia elektrike . Sipas modelit të deritashëm, për energjinë elektrike kompanitë paguanin një pjesë të harxhimit të rrymës së amvisërive.

Mirëpo, pas kësaj, vetë qytetarët do të paguajnë tërë harxhimin për energjinë elektrike. Kjo njëherësh do të sjellë çmime më të larta, të cilat pritet të aplikohen nga një janari i vitit të ardhshëm.

“Në të gjitha vendet që u zbatuan këto procese, nuk u bë lirimi i energjisë elektrike për amvisëritë. Ky proces parasheh lirimin nga subvencionimi i kompanive ose participimin në çmimin e amvisërive. Gjithkund, në të gjitha shtetet, ky proces, si qëllim kryesor e ka pasur shtrenjtimin e energjisë elektrike për amvisëritë”, vlerëson Dimitar Petrov, kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë.

Petrov shton se megjithatë nuk pret rritje drastike për amvisëritë:

“Nuk presim rritje drastike të çmimit të energjisë elektrike dhe nuk do ta lejojmë këtë, pasi ka mekanizma që kjo të bëhet në vitet e ardhshme. Por, zbritje mendoj se nuk do të ketë”.

Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike do të thotë që qytetarët nga 1 janari i vitit të ardhshëm, vetë do të zgjedhin nga cila kompani do të blejnë rrymë.

Në treg, tash për tash, ka 5 kompani të tilla. Deri në fund të shtatorit të këtij viti, qytetarët do të marrin njoftime se deri më 1 janar do të duhet të përcaktohen për kompaninë nga e cila do të blejnë rrymë. Nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë me rrymë do të furnizohen nga ajo kompani që e kanë pasur deri më parë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG