Ndërlidhjet

Maqedoni: Tarifat për ngrohje e energji - në Kushtetuese


Ilustrim
Ilustrim
Pas vendimit të partisë maqedonase në opozitë, Partia Liberale, e cila ka dorëzuar nismën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rregullores për ngrohjen qendrore, të miratuar nga Komisioni Rregullator për Energjetikë, edhe Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Maqedonisë thotë se është duke sublimuar vërejtjet e shumta që vijnë në adresë të kësaj organizate nga konsumatorët, e që lidhen me shtrenjtimet e fundit të energjisë elektrike dhe ngrohjes qendrore dhe kostot e larta në faturat për këto shërbime.

Kryetarja e Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Marijana Loncar, thotë se pavarësisht vërejtjeve që ka shprehur kjo organizatë para se të sillet rregullorja e re për ngrohje qendrore, para Komisionit Rregullator për Energji Termike edhe më tej mbeten shumë elemente kontestuese si dhe çështje të paqarta gjatë faturimit të shpenzimeve për shfrytëzimin e shërbimeve të ngrohjes dhe energjisë elektrike.

“Nuk janë të qarta sa duhet metodologjitë , pra metodologjia sipas së cilës bëhet faturimi ka shumë mangësi në përpilimin e faturave - jo gjithkund është përcaktuar gjendja faktike e sipërfaqeve që ngrohen etj. Ne i mbledhim vërejtjet. Pasi t’i kemi analizuar, do të vendosim për format e veprimit”, thotë Lonçar.

Ndërsa, Partia Liberale Demokratike njofton se ka ngritur procedurë para Gjykatës Kushtetuese për Rregulloren e furnizimit me ngrohje, ku pos tjerash parashihet 10 denarë për metër katrorë të paguajnë edhe ato amvisëri që për shkaqe të ndryshme janë shkyçur nga sistemi i ngrohjes qendrore.

Iniciativa e Partisë Liberale ka të bëjë me vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë për rregulloren e miratuar kohë më parë për furnizim me ngrohje qendrore.

“Ne insistojmë që Gjykata Kushtetuese të sjellë sa më shpejtë vendim, ndërkohë që deri sa të sillet vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese - të miratohet një masë e përkohshme, përmes së cilës do të ndalohet zbatimi i këtyre rregullave, si dhe goditja që u bëhet qytetarëve në buxhetin familjar me çmime të larta të energjisë për ngrohje dhe asaj elektrike”, shprehet Zoran Shapuriç, nënkryetar i Partisë Liberale Demokratike.

Edhe zyra e Avokatit të Popullit bën të ditur se vitin e kaluar kanë shënuar rritje ankesat individuale që kanë të bëjnë me përmbajtjen e faturave, ku përfshihen edhe ato të ngrohjes qendrore dhe energjisë elektrike.

Ndërkohë, që për ekspertët juridikë, ngritja e proceduarave për vlerësimin e kushtetutshmërisë së shtrenjtimit dhe tarifimit të energjisë elektrike dhe asaj për ngrohje, paraqet dëshmi se organet përkatëse nuk i mbrojnë sa duhet qytetarët.

“Për fat të keq, kjo flet se disa organe kompetente nuk e kryejnë si duhet detyrën që u është përcaktuar me ligj. Vetë shteti duhet të ketë mekanizma mbrojtës në kuadër të vetë institucioneve për t’u përballur me mbrojtjen e konsumatorëve, duke krijuar më shumë alternativa, hapësirë të mirëfilltë konkurrence, e jo të vijë çështja deri te Gjykata Kushtetuese”.

“Në fund të fundit, Gjykata Kushtetuese është institucion që mbron Kushtetutën, ligjet, po në radhë të parë kur cenohen liritë dhe të drejtat e njeriut. E përsëris, funksionimi i shtetit juridik kur kemi të bëjmë me raste siç është çështja e mbrojtjes së konsumatorëve, duhet të krijojë mekanizma mbrojtës të institucioneve përkatëse pa pasur nevojë që çështja të mbërrijë në Gjykatën Kushtetuese”,
vlerëson Mersim Maksuti, ekspert për çështje kushtetuese - ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Maksuti përkujton se jo rrallë herë vendimet e këtij institucioni pastaj janë quajtur si vendime, të cilat miratohen nga direktivat politike.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese ka hedhur një vendim të ngjashëm për tarifimin e ngrohjes qendrore të Komisionit Rregullator për Energjetikë lidhur me ngrohjen qendrore në vitin 2009, duke e vlerësuar antikushtetuese.

Do theksuar se pas rritjes së madhe të çmimit për ngrohje qendrore, si dhe faturave të qershorit që vlerësohen si të papërballueshme për konsumatorët, ka pasuar shkyçje të më shumë amvisërive të vendit, që me miratimin e rregullores së re, ata detyrohen të paguajnë sërish, edhe pa i shfrytëzuar shërbimet e ngrohjes qendrore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG