Ndërlidhjet

Kosova me ekonomi të izoluar


Ilustrim
Ilustrim
Ekonomia e Kosovës është konsideruar të jetë shumë pak e integruar në ekonominë globale, por pritet që me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim (MSA), situata të ndryshojë pasi që Bashkimi Evropian do ta hapë tregun e saj edhe për Kosovën, vlerësojnë përfaqësues të autoriteteve të Kosovës dhe ekspertë të çështjeve ekonomike.

Kosova ka përmbyllur javën e kaluar negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, negociata këto të cilat kishin filluar në tetor të vitit të kaluar, derisa hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, tani varet nga procedurat e brendshme të institucioneve të BE-së.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se MSA-ja është një hap i madh kualitativ në drejtim të integrimit të përgjithshëm të Kosovës drejt BE-së, por në veçanti drejt integrimit ekonomik.

“Ne kemi përfunduar negociatat për këtë marrëveshje dhe në kuadër të këtyre negociatave, unë besoj se ne kemi negociuar një marrëveshje që është shumë e beneficueshme për bizneset dhe ekonominë vendore, duke siguruar treg të qëndrueshëm në vendet e BE-së, si dhe kushte mjaft të volitshme për prodhuesit vendorë ndaj tregjeve evropiane. Në të njëjtën kohë, duke siguruar edhe mbrojtje të mjaftueshme për prodhuesit vendorë nga fluksi i prodhimeve nga vendet e BE-së
”, thotë Nikaj.

Problemet e integrimit të ekonomisë së Kosovës në ekonominë globale, thekson Nikaj, fillimisht kanë pasur të bëjnë me lirinë e lëvizjes nga Kosova drejt vendeve tjera.

Por, këto probleme, shton Nikaj, tashmë janë adresuar dhe Kosova aktualisht është në fazë të konkurrueshmërisë së kompanive dhe produkteve e shërbimeve vendore me produktet dhe shërbimet që janë në dispozicion në vendet rajonale dhe evropiane.

“Kemi filluar një fond të granteve prej rreth 4 milionë eurosh që t’i ndihmojë kompanitë vendore të bëhen më konkurrente, posaçërisht në aspektin e eksportit të produkteve dhe shërbime nga Kosova drejt vendeve tjera dhe në të njëjtën kohë, të gjenerojë vende të reja të punës. Besoj që ka shumë potencial që kompanitë tonë ta ngrenë konkurrueshmërinë dhe standardin e tyre dhe të jenë më konkurrente në vendet tjera”, thekson Nikaj.

Integrimi i ekonomisë kosovare në ekonominë e përgjithshme globale, duhet të shihet në bazë të disa kategorive kryesore. E para është integrimi financiar, e dyta është lëvizja e fuqisë punëtore dhe e treta është lëvizja e kapitalit anasjelltas.

Profesori i ekonomisë, Naim Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, i cili do të ndihmonte integrimin e ekonomisë së Kosovës në atë globale, po vonohet nga ana e Komisionit Evropian, për arsye se jo gjithmonë Kosova i plotëson të gjitha kriteret.

“Në rastin e Kosovës, kemi shumë paqartësi brenda Komisionit Evropian dhe ato paqartësi politike për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga 5 vende anëtare të BE-së, po reflektojnë negativisht në avancimin e procesit të mekanizmit të Stabilizim - Asociimit, por edhe në anëtarësimin e Kosovës në iniciativa ekonomike rajonale dhe evropiane”, vlerëson Gashi.

Sidoqoftë, hyrja në fuqi e kësaj marrëveshje, përveç tjerash, sipas Gashit, ekonomikisht promovon interesat dhe përfitimet e ndërmarrësisë së Kosovës.

“Stabilizim-Asociimi sjell përftime financiare për Kosovën, sa më tepër që Kosova të ofrohet në rrugën drejt Bashkimit Evropian, aq më të mëdha janë fondet investuese nga ana e BE-së, pasi që politika e BE-së është që vendet nëpërmes procesit të Stabilizimit-Asociimit të përafrohen me nivelin, qoftë zhvillimor, qoftë politik, qoftë shoqëror me vendet e BE-së. Vetëm atëherë kur ne të bëhemi të përafërt me BE-në, vetëm atëherë do të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian”, konsideron Gashi.

Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, vlerësohet se është sinjali më i mirë që do t’u dërgonte investitorëve të jashtëm se Kosova është një ekonomi, e cila i plotëson kriteret bazike evropiane sa i përket funksionimit të ekonomisë së tregut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG