Ndërlidhjet

Investime, as nga afaristë kosovarë, e as nga ndërkombëtarë


Ilustrim
Ilustrim
Kosova nuk po arrin të krijojë ambient të favorshëm për investime, qofshin ato të afaristëve kosovarë, apo investitorëve ndërkombëtarë, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë të çështjeve ekonomike.

Për më shumë, ata kërkojnë nga autoritetet kompetente që të marrin masa konkrete në përmirësimin e ambientit afarist në vend.

Ramiz Kelmendi, drejtor i kompanisë” Elkos Group”, tregon se ka pasur shumë raste kur investitorët kosovarë nuk dëshirojnë të investojnë për shkak se autoritetet e Kosovës nuk kanë krijuar politika të mirëfillta për ta.

Proceset e gjata administrative dhe burokratike, politikat e pafavorshme fiskale janë vetëm disa nga arsyet thelbësore që po theksojnë afaristët kosovarë.

“Ne nuk kemi investitorë të jashtëm të duhur për Kosovën, por praktikisht kemi mungesë të investimeve edhe nga investitorë të brendshëm, Prandaj ne duhet ta kthejmë vendin në një klimë të favorshme biznesore, pasi që kemi shumë afaristë vendorë që dëshirojnë të investojnë”, thotë Kelemendi.

Pavarësisht raporteve ndërkombëtare, siç është raporti i Bankës Botërore “Të bërit Biznes”, ku thuhet se Kosova ka shënuar të arritura, afaristët në Kosovë nuk po shohin klimë të mirë biznesore për ta investuar kapitalin e tyre.

Raporti vjetor i Bankës Botërore i vitit 2013 “Të bërit biznes”, kishte radhitur Kosovën në vendin e 86-të, duke shënuar përparim për 10 pozita krahasuar me vitin e 2012.

Sipas këtij raporti, përparime ishin bërë në tre indikatorë: në fillimin e biznesit, dhënien e lejeve për ndërtim dhe në regjistrimin e pronave.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Muhamet Sadiku, konsideron se duhet të bëhet përpjekje më e madhe për tërheqje sa më të mëdha të investitorëve kosovarë që jetojnë jashtë vendit.

“Sa herë flitet për mjedisin biznesor, biznesi mjedisor duhet të bëhet miqësor si për investitorë të jashtëm, ashtu edhe për ata të brendshëm. Kosova duhet të bëhet destinacion i investitorëve pavarësisht a janë të vendit apo të jashtëm dhe sidomos investitorët që duhet të vijnë nga diaspora kosovare”, thotë Sadiku për Radion Evropa e Lirë.

Sektorët ku investimet duhet të orientohet, sipas ekspertëve të ekonomisë, duhet të jenë në sektorin e prodhimtarisë, teknologjisë, komunikacionit, bujqësisë dhe minierave.

Sipas tyre, këta janë sektorë që mund të gjenerojnë vende të reja të punës.

Gjatë viteve të fundit, sipas autoriteteve kompetente, patundshmëria, ndërtimtaria, energjetika dhe sektori financiar, kanë qenë më atraktivë për investitorët.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG