Ndërlidhjet

Fokusi i investimeve ndërkombëtare


Ilustrim
Ilustrim
Investimet ndërkombëtare duhet të orientohen në sektorin e prodhimtarisë, teknologjisë, komunikacionit, bujqësisë dhe minierave, sektorë këta që mund të gjenerojnë vende të reja të punës, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Por, autoritetet kompetente në Prishtinë duhet që të krijojnë kushte që investimet e huaja të fokusohen në këto fusha, thotë Lumir Abdixhiku, drejtor i institutit “Riinvest”.

“Këto investime duhet të orientohen drejt sektorëve të cilët mund të gjenerojnë vende të reja të punës. Dhe gjenerimi i vendeve të reja të punës mund të bëhet përmes investimeve në prodhim, pra në prodhimin vendor dhe në përgjegjësi në sektorë që mund të tregtohen. Sektori si telekomunikacioni, Informatika Teknologjike (IT), përpunimi i ushqimit, tekstilit, mund të jenë sektorë me mjaft interes për Kosovën”, thotë Abdixhiku.

Naim Gashi ,profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se kategoria kryesore ku duhet të orientohen investimet e jashtme në Kosovë është sektori i bujqësisë dhe ai i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat mund të hapin vende të reja të punës dhe krijojnë taksa për shtetin.

“Unë mendoj se tre janë sektorë strategjik ku duhet të fokusohen investimet në Kosovë. Mirëpo kur është fjala për investimet e vogla ato duhet të orientohen në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe në sektorin e bujqësisë".

"Kurse për investime më të mëdha ka nevojë tregu i telekomunikacionit, minierave dhe mineraleve dhe tregu i energjetikës. Kosova ka resurse të pashfrytëzuara jashtë zakonisht të mëdha në sektorin e energjisë dhe në sektorin e minierave dhe këto resurse fatkeqësisht nuk janë aktivizuar”, thotë Gashi.

Ndryshe, sipas autoriteteve kompetente, patundshmëria, ndërtimtaria, energjetika dhe sektori financiar, viteve të fundit kanë qenë më atraktivë për investitorët e huaj.

Sipas të dhënave zyrtare, në gjashtë mujorin e parë të vitit 2013, nga investimet e huaja janë punësuar 834 punëtorë, 221 nga ta janë punësuar në sektorin e ndërtimtarisë, 155 në sektorin financiar, 140 në tregti kurse 138 në aktivitete shërbyese.

Por, Lumir Abdixhiku, konsideron se investimet në ndërtimtari janë investime të cilat nuk sjellin punësim afat gjatë, madje më këtë sektor tregu do të ngopet, dhe në këtë mënyrë nuk mund të sjellin ndonjë përfitim të madh.

“Kosova ka nevojë pra për industri apo për sektorë produkti i të cilëve mund të tregtohet dhe tregtimi i tyre sjell më tepër qëndrueshmëri në krijimin e vendeve të punës e punës dhe në mbajtjen e tyre".

"Pra investimet në ndërtimtari janë afatshkurtër, pastaj dikur tregu do të ngopet dhe nuk sjellin ndonjë benificion të madh sa i përket tregtueshmërisë së produkteve të tyre, duke ulur në këtë mënyrë bilancin tregtar të vendit”, shprehet Abdixhiku.

Kurse profesori i ekonomisë Naim Gashi, thotë:

“Unë mendoj se sektori i ndërtimtarisë është një ndër sektorët ku lulëzon ekonomia në të zezë. Pra numri i të punësuarve duhet të jetë më i madh. Pasi ndërtimtaria llogaritet si sektori më informalitetin më të lartë në Kosovë, ku i shkakton humbje të mëdha ekonomisë dhe buxhetit të shtetit për miliona euro”, shprehet Gashi.

Ndryshe, në nëntëmujorin e vitit të kaluar, vlera e investimeve ka arritur në 205 milionë euro, apo siç thuhet nga autoritetet kompetente, 15 për qind më tepër krahasuar më periudhën e njëjtë të vitit 2012.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG