Ndërlidhjet

Kosovë: Pa zhvillim ekonomik s’ka integrim evropian


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Kosova para se të integrohet në Bashkimin Evropian, duhet të ketë një ekonomi të qëndrueshme dhe konkurrente me pothuajse të gjitha vendet e tjera në Evropë.

Kështu është thënë të hënën në tryezën tematike për ekonomi, në kuadër të Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane.

Të pranishmit deklaruan se në rrugën drejt Bashkimit Evropian nevojitet një konsensus në shoqërinë kosovare për integrimin ekonomik, i cili, siç u tha, është i domosdoshëm.

Kryesuesi i tryezës tematike për ekonomi në kuadër të Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, Muhamet Mustafa, theksoi se Kosova për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme, para vetës ka shumë sfida.

Ju po shihni sa ka konflikte në shoqërinë tonë, shpeshherë konfliktet prodhohen nga mungesa e një kulture për të ndërtuar konsensus për të gjetur pika të përbashkëta të opozitës dhe pozitës, dhe gjithë shoqërisë, që të shpijmë përpara proceset e integrimit dhe te përmirësojmë cilësinë e jetës. Shoqëria jonë sikur po ndërton prirje që të krijojë sa më shumë konflikte, dhe kësaj po i kontribuon edhe opozita edhe pozita”, u shpreh Musatafa.

Ai deklaroi se institucionet e vendit duhet të ndërtojnë një kulturë e cila prodhon marrëveshje, angazhim të përbashkët, dhe energji për të krijuar një rritje më të shpejtë ekonomike.

Ai tha se nëse nuk do të ketë një koordinim të të gjithë mekanizmave në vend për përmbushjen e kritereve drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit, pengesat në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të jenë të madha.

Ju po e shihni që pikërisht në Shqipëri, lufta e ashpër dhe e vrazhdë politike po e pengon Shqipërinë. Për Kosovën, çështja do të jetë edhe më e vështirë në ndërtimin e një ekonomie konkurrente. E ekonomi konkurrente do të thotë kur ekonomia jonë është e aftë të bëjë garë me konkurrencën e lirë jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj”, tha Mustafa.

Nga ana tjetër, Besnik Vasolli zyrtar nga Ministria e Integrimit, tha se rruga e Kosovës drejt integrimit evropian, nuk duhet të ketë mospajtime në drejtim të përmbushjes së kritereve që kërkohen.

Sipas tij, integrimi evropian është e ardhmja e vendit .

Gjithë shoqëria kosovare pajtohet që integrimi evropian është e ardhmja e Kosovës dhe nuk ka alternativë tjetër. Se si do të ketë ekonomi konkurruese, se si do të ketë zhvillim ekonomik, si do të financohen financat publike dhe si do të bëhen punët tjera, gjithmonë në frymën e kritereve të BE-së, atëherë kërkohet një konsensus dhe kërkohet një debat për të parë se çka duhet të ndërmarrë vendi për të shkuar përpara”, tha ai.

Mustafa vlerësoi se Kosova aktualisht është në një gjendje jo të mirë në aspektin ekonomik, që sipas tij, në këtë drejtim duhet angazhohen të gjithë për një rimëkëmbje të shpejt të vendit.

Ai ka thënë po ashtu se qëndrueshmëria ekonomike e Kosovës do të bëjë që të ulet shkalla e papunësisë dhe varfërisë, kurse integrimi në BE do të jetë më i lehtë.

Nevojën për të arritur standarde evropiane duhet ta kuptojmë si nevojë të vetë qytetarëve të Kosovës, që ta përmirësojmë cilësinë e jetës, dhe jo ta shohim si kërkesë burokratike të institucioneve nga Brukseli”, tha Mustafa.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG