Prokuroritë, të pasuksesshme në luftën kundër korrupsionit

Ilustrim

Korrupsioni e prek cilësinë e jetës së qytetarëve, shkatërron qelizat kryesore të shoqërisë dhe çon drejt fenomeneve të tjera të rrezikshme. Kështu ka deklaruar të premten presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, deri sa ka marrë pjesë në një konference me temën “Vlerësimi i zbatimit të Planit të Veprimit për rritjen e efikasitetit të sistemit prokurorial për luftimin e korrupsionit”, organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Presidentja, me këtë rast, ka thënë po ashtu se korrupsioni dëmton proceset demokratike dhe në veçanti godet sundimin e ligjit.

Në këtë konferencë, ku kanë qenë të pranishëm përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe ata të institucioneve të tjera si Agjencia Kundër Korrupsionit, presidentja ka theksuar se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme në aspektin e sigurisë për t’u ballafaquar me çfarëdo kërcënimi.

“Ne duam që qytetarët tanë të jetojnë në një vend të mundësive të mëdha, të zhvilluar ekonomikisht. Zhvillimi ekonomik dhe investimet e huaja në Kosovë, si dhe krijimi i një klime të mirë për biznes, nuk duhet të rrezikohet nga korrupsioni”.

”Lufta kundër korrupsionit bëhet në çdo nivel, edhe atë qendror, edhe komunal. Lufta kundër korrupsionit nuk mund të jetë e copëzuar, selektive dhe e pakryer. Ajo është gjithëpërfshirëse, sepse korrupsioni po e ha çdo segment të jetës. Pra, një luftë e plotë, e përditshme dhe e bashkërenduar nga të gjithë mekanizmat institucionalë”, ka deklaruar Jahjaga.

Ajo ka thënë se të gjitha institucionet duhet të dëshmojnë së bashku, që të marrim përgjegjësi në luftën kundër korrupsionit.

Korrupsioni nuk mund ta pengojë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë, po aq sa nuk mund të ndalojë procesin e integrimit në BE”, është shprehur Jahjaga.

Ndryshe, në raportin vlerësues të gjithëpërfshirës mbi efikasitetin e sistemit prokurorial në zbatimin e Planit të veprimit, për rastet e korrupsionit, thuhet se prokuroritë e Kosovës nuk kanë arritur që të përmbushin objektivat e Planit të veprimit për t’i zgjidhur rastet e korrupsionit.

As gjysma e rasteve të korrupsionit që kanë qenë të regjistruara deri më 4 nëntor të vitit 2013, nuk kanë arritur që të zgjidhen, apo janë zgjidhur 41 për qind e rasteve, të cilat kanë qenë të regjistruara deri në ditën e hyrjes në fuqi të Planit të veprimit.

Sipas raporti hulumtues nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, gjendja e rasteve të pazgjidhura të korrupsionit nëpër prokurori, vazhdon të mbetet shqetësuese.

Derisa në fillim të planit, më 4 nëntor 2013 ishin 516 raste të pazgjidhura me 1682 persona, në fund të planit, më 30 qershor 2014 kanë mbetur 548 raste të pazgjidhura me 1.488 persona.

Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se prokurorët në disa raste kanë dështuar në masë të madhe t’i përmbushin obligimet, të cilat dalin nga Plani i veprimit.

Kjo dëshmon për një performancë të dobët të prokurorëve në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit”, ka theksuar Musliu.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrë së kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, ka thënë se luftimi i dukurive negative kërkon një bashkërendim ndërinstitucional ndërmjet të gjitha agjencive dhe institucioneve që zbatojnë ligjin në Kosovë.

“Këshilli prokurorial i Kosovës dhe prokurori i Shtetit në kuadër të mandatit dhe kompetencave të përcaktuar me ligji, është duke ndërtuar dhe zbatuar politika dhe strategji për luftimin e veprave penale karakteristike, me fokus të veçantë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Hoxha.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, duke folur për Planin Strategjik për Bashkëpunimin ndër-institucional në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ka thënë se plani ka qenë ambicioz, por rezultatet nuk kanë qenë të favorshme.

Plani ka që shumë ambicioz, kështu që afati ka qenë shumë i shkurtër dhe rezultatet nuk janë sipas pritjes. Rreziku më i madhe që kjo luftë ose mosangazhimi i suksesshëm në luftën kundër korrupsionit është që qytetarët të humbin besimin tek institucionet”, ka vlerësuar Preteni.

Në anën tjetër, qytetarët konsiderojnë se nuk është duke u bërë sa duhet nga ana e institucioneve kompetente në luftën kundër korrupsionit.

“Nuk janë duke punuar asgjë. Korrupsioni ka qenë gjithmonë prezent. Personat që janë të korruptuar duhet të dënohen dhe të publikohen emrat e tyre”, thotë Valmir Osmani, student.

Ngjashëm mendon edhe i riu Kenan Mustafa:

“Për korrupsion nuk ka nisur kurrfarë lufte, nuk po luftohet asgjë, kjo është një politikë”.