Ndërlidhjet

Pesë rekomandime për pastrim nga korrupsioni


Ilustrim
Ilustrim
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar planifikojnë mbështetje financiare për Ukrainën, të vlefshme miliarda dollarë. Por, fillimisht, ata duan që Kievi të frenojë korrupsionin.

Disa Marrëveshje të Asociimit, midis Bashkimit Evropian dhe anëtareve të ardhshme potenciale, kërkojnë refoma të veçanta kundër korrupsionit. Një gjë e tillë rekomandohet edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe nga grupet joqeveritare të tilla si Transparency International.

Rekomandim i parë është forcimi i llogaridhënies së sektorit publik.

Marrëveshjet evropiane të Asociimit me vendet që synojnë anëtarësimin në BE kërkojnë nga zyrtarët publikë që të deklarojnë pasurinë e tyre për të parandaluar konfliktet e interesit.

Carl Dolan, drejtor për çështje të BE-së pranë Transaprency International, thotë se konflikti i interesit ekziston kur zyrtarët përfitojnë duke marrë vendime që ndihmojnë firmat, në të cilat janë vetë palë të interesuara.

“Numër një janë reformat në terren. Duhet të ketë një sistem për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët publikë dhe mënyra për të kontrolluar nëse deklaratat janë të sakta”, thotë Dolan.

Rekomandim i dytë është transparenca në prokurimin publik.

Dolan thotë se potenciali për korrupsion zmadhohet kur autoritetet mund të japin kontrata qeveritare pa shqyrtim publik.

“Ajo që shohim është se sa më shumë liri veprimi të kenë politikanët dhe zyrtarët në dhënien e kontratave për bizneset, aq më shumë ekziston rreziku për korrupsion. Andaj, këto procese duhet të jenë transparente, duhet të jenë konkurruese”, thotë Dolan.

Marrëveshja e Prokurimit Qeveritar e Organizatës Botërore të Tregtisë është traktati kryesor ndërkombëtar, i detyrueshëm ligjërisht, mbi prokurimin publik.

Një version i rishikuar, i bazuar në parimet e transparencës dhe jodiskriminimit, ka hyrë në fuqi më 6 prill.

Hetimi dhe ndjekja penale e korrupsionit është rekomandim i tretë.

Krijimi i një gjyqësori të pavarur, i cili heton dhe ndjek penalisht korrupsionin, ka qenë qëllim i donatorëve ndërkombëtarë për dekada – pa marrë parasysh nëse përfituesit e ndihmës janë në Afganistan, Evropë Lindore, Afrikë apo Amerikë Latine.

Dolan thotë se lufta kundër korrupsionit mund të forcohet edhe duke krijuar “një agjenci të pavarur kundër korrupsionit”, me burime të mjaftueshme për të bërë punën.

Alan Rousso është drejtor në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, i cili koordinon politikat me Bashkimin Evropian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Rousso thotë se “institucionet solide” mund të ndihmojnë në krijimin e një fushe të barabartë për institucionet konkurruese.

Kjo është arsyeja përse me autoritetet ukrainase kemi punuar në një nismë antikorrupsion, e cila fokusohet kryesisht në krijimin e një institucioni të raportimit të biznesit”, thotë Rousso.

Rekomandim i katërt është financimi transparent i partive politike.

Aktivistët antikorrupsion paralajmërojnë se individët e fuqishëm, bizneset dhe grupet e interesit mund të ndikojnë zgjedhjet përmes kontributeve të fshehta në fushata, duke rritur rrezikun e korrupsionit politik.

Korrupsioni politik është kur ata, që financiojnë partitë politike, përfitojnë favore të paligjshme ose joetike nga zyrtarët që kanë mbështetur.

Dolan, nga Transparency International, rekomandon ligje që kërkojnë transparencë në financimin e partive politike.

Sigurimi i qasjes në informata është rekomandimi i pestë.

Aktivistët thonë se korrupsioni ka tendencë të lulëzojë pa vigjilencën e gazetarëve hetues dhe shoqërisë civile.

Ligjet për lirinë e informacionit janë mjete që u ndihmojnë qytetarëve të identifikojnë korrupsionin.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG