Përfshirja e fëmijëve me nevoja të veçanta në sistemin arsimor

Ilustrim

Mbi 408 mijë nxënës kanë nisur të hënën mësimin fillor dhe të mesëm, prej tyre 27 mijë janë regjistruar në klasën e parë.

Por sa janë të përfshirë në sistemin e rregullt arsimor fëmijët me nevoja të veçanta?

Sipas zyrtarëve në Ministrinë e Arsimit në Kosovë, gjithsej në shkolla fillore dhe të mesme janë 6,049 nxënës me nevoja të veçanta, derisa parashkollor janë 99 prej tyre.

Këtë e thotë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Departamentit të Administratës së Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Alush Istogu.

"Deri më tani kemi 6.049 nxënës në 6 qendra burimore dhe 72 paralele të bashkangjitura në kuadër të klasave të rregullta. Vetëm në klasat e rregullta kemi 4,871 nxënës, derisa 526 nxënës në klasë të bashkëngjitura", bën të ditur Istogu.

Por zyrtarë nga Organizata Down Sindrom Kosova, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ata si shoqatë kanë iniciuar hartimin e strategjisë për gjithëpërfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në sistemin e rregullt arsimor...

"Ne si shoqatë nuk jemi të kënaqur në atë se çka ofrohet brenda sistemit arsimor për këta fëmijë, duke e marrë parasysh mungesën e teksteve adekuate në bazë të nevojave që kanë fëmijët, si dhe mungesa e asistentëve në ato shkolla ku janë të inkuadruar fëmijët me sindromën Down", thotë Sebahate Beqiri, zëvendës drejtoreshë e organizatës Down Sindrom Kosova.

"Për shkak të mungesës së asistentëve, prindërit obligohen që të paguajnë asistentë privat në mënyrë që fëmija i tyre të ketë një gjithëpërfshirje më adekuate në shkollë. Pagesa e këtyre asistentëve është një barrë e madhe për prindërit, pasi që prindi obligohet të paguajë për çdo muaj asistentin deri në 200 euro. Këto janë marrëveshje që bëhen mes prindit dhe asistencës, dhe pastaj e monitorojnë fëmijën gjatë gjithë procesit mësimor", bën të ditur ajo.

Ndërkaq zoti Istogu, thotë se Ministria e Arsimit në vazhdimësi një prej prioriteteve ka pasur gjithpërfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta, në sistemin edukativo-arsimor.

"Ne jemi duke bërë përpjekje që përpos mësuesve të rregullt, të kemi edhe mësues të trajnuar lëvizës që shkojnë nga qendrat burimore, prej klasave të bashkëngjitura nëpër shkolla tjera përkatëse ku e ndihmojnë mësuesin. Ne kemi hartuar diku 5 udhëzime administrative për fëmijët me nevoja të veçanta".

"Kemi trajnuar 5,400 mësimdhënës për ngritjen e kapaciteteve edhe të partnerëve që mbështetin këtë çështje por edhe nëpërmjet programeve tona. Janë hartuar edhe dy broshura dhe një fletëpalosje për arsimin gjithëpërfshirës. Është hartuar dokumenti strategjik për planin individual, si dhe udhëzuesi administrativ i ndihmësit për gjithëpërfshirje", thotë Istogu.

Prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta thonë se kryesisht janë ata vetë që i përkrahin fëmijët e tyre, në mënyrë që të arrijnë sado pak sa i përket arsimimit. Ata përmendin mungesën e përkrahjes financiare nga institucionet.

"Aq sa kanë mundësi të bëjnë institucionet, i bëjnë. Por ne prindërit i përkrahim më shumë. Çfarëdo që kanë nevojë, ne me shpenzime tona i mbulojmë. Por çka të bëjmë, ky është arsimi që ofrohet për këta fëmijë", tregon Artan Hysniu, i cili e ka fëmijën me sindromën Down.

Kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj, bën të ditur se në sistemin arsimor nuk janë të përfshirë të gjithë fëmijët me nevoja të veçanta.

"Në kuadër të SBASHK-ut kemi edhe shkollat speciale. Nga raportet, është bërë një punë e mirë në këto shkolla, mirëpo të them të vërtetën, unë mendoj se nuk janë përfshirë të gjithë fëmijët me nevoja të veçanta në këto shkolla. Por ekzistojnë angazhimet që ata të përfshihen, edhe pse me sistemin e ri evropian që po punohet, këta fëmijë të sistemohen në shkolla të përgjithshme dhe ta gjejnë veten më mirë në mesin e fëmijëve të tjerë", shprehet Jasharaj.

Ndryshe, në Prishtinë ekziston edhe shkolla speciale "Përparimi", e cila përfshin fëmijë me nevoja të veçanta, përfshirë këtu edhe fëmijët me dëmtime intelektuale.

Aty fëmijët ndjekin mësimet me katër nivele: parashkollor, shkollor, niveli i mesëm dhe i mesëm i lartë.

Në këtë shkollë janë 170 nxënës të cilët janë të shpërndarë në gjitha nivelet, dhe numri në klasë është nga 5-6 deri në 12 nxënës, pasi që siç thonë profesionistë të arsimit, nuk lejohet më shumë për shkak të specifikave të tyre.

Në anën tjetër, Sebahate Beqiri nga organizata Down Sindorm Kosova, thotë se për shkollat publike, Ligji për arsimin e specifikon se gjitha shkollat publike ku janë të përfshirë fëmijët me nevoja të veçanta, duhet të kenë asistente brenda klasave.

"Por këtu po diskriminohen ata fëmijë që prindërit nuk kanë mundësi të paguajnë asistentë, derisa Ministria e Arsimit dhe drejtoritë komunale nuk janë duke punuar në këtë drejtim që në të ardhmen të ketë asistentë në ato klasa ku ka fëmijë me nevoja të veçanta, edhe pse këtë gjë shumë mirë e specifikon ligji për gjithëpërfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në arsim, ku është e specifikuar që fëmija duhet ta ketë asistenten në klasë", thekson Beqiri.

Ndërkaq, udhëheqës të Asociacionit Nacional të Autizmit, kanë thënë se sfidat e fëmijëve me autizëm, sa i përket shkollimit të tyre, janë të mëdha.

Ata thonë se në mësimi do duhej të mbahej deri në 6 orë në ditë, derisa në Kosovë mbahen vetëm 2 orë, pasi janë vetëm 2 qendra dhe një klasë e bashkëngjitur.