Ndërlidhjet

Shkollimi me sindromën Daun


Personat e prekur me sindromën Daun, edhe pse kanë arritur mjaft që të inkuadrohen në shoqëri, sipas përfaqësuesve të organizatës “Daun Sindrom Kosova”, sfidë përballë tyre mbetet arsimimi.

Leonora Shabani, nënë e një fëmije me këtë sindromë, dhe njëherazi udhëheqëse e organizatës "Daun Sindrom Kosova”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se edhe pse tashmë kanë arritur që përmes organizatës në fjalë t’i regjistrojnë rreth 30 fëmijë në çerdhe dhe më shumë se 20 fëmijë në shkolla të rregullta, cilësia e arsimit për ta mbetet e mangët.

"Arsimimi për fëmijët me sindromën Daun është sfidë, sidomos për prindërit që duhet të ballafaqohen me shumë gjëra. Vajza ime është në shkollimin e rregullt dhe nuk ka literaturë për të. Asistenten duhet ta paguajnë vetë prindërit".

"Nëse prindi dëshiron të ketë asistente për ta asistuar mësuesen, duhet ta paguajë vetë, derisa pa asistente fëmijët nuk mund ta arrijnë sukses dhe të kenë një jetë më të pavarur. Prindërit që nuk kanë mundësi ta paguajnë vetë asistenten, nuk e di se çka mund të arrijnë fëmijët e tyre", u shpreh Shabani.

Zyrtarë në Ministrinë e Arsimit, tashmë kanë deklaruar se në Kosovë ekzistojnë 7 shkolla speciale, 70 klasë të bashkëngjitura dhe 3 shkolla gjithëpërfshirëse.

Lulavere Kadriu, zyrtare në këtë ministri, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se institucioni në fjalë nuk parasheh që për secilin fëmijë të paguajë asistentë, në mënyrë që të punojë me fëmijët me sindromën Daun brenda klasës.

"Për fëmijët me sindromën Daun dhe fëmijët tjerë me nevoja të veçanta, ne parashohim dhe jemi duke punësuar punëtorë mbështetës, që i mbështesin këta fëmijë të vendosur në klasa të rregullta".

"Por, sa i përket fëmijëve me sindromën Daun nuk parashohim që të ketë asistent, për arsye se qëllimi i shkollës është t'i pavarësojë këta fëmijë, jo t'i bëjë të varur. Fëmija ka nevojë të integrohet brenda klasës, dhe nëse fëmija ka asistent brenda klasës, ai do të komunikojë vetëm me atë", theksoi Kadriu.

Por, sipas zonjës Shabani, problemet rreth shkollimit për fëmijët me sindromën Daun mbesin të mëdha, derisa avancim për ta, vitet e fundit ka pasur.

"Literaturë nuk ka për fëmijët me nevoja të veçanta, nuk ka logoped, nuk kujdeset askush. I gjithë arsimimi për fëmijët tonë paguhet nga vetë prindërit. Kemi bërë kërkesë edhe si organizatë, po ende nuk ka asnjë sukses për fëmijët tanë".

"Avancim ka pasur sepse tash e kemi të drejtën t'i çojmë fëmijët në shkollim të rregullt. Ka filluar në vitin 2008, atëherë kur edhe është regjistruar fëmija i parë. Tash po i mbron edhe ligji. Por si po trajtohen këta fëmijë në shkollë ende nuk dimë".

"Kemi probleme me mësimdhënësit që nuk duan t'i pranojnë, pastaj drejtorët e shkollave, sepse frikësohen t'i pranojnë fëmijët me sindromën Daun nëpër klasa, kështu që është një sfidë shumë e madhe dhe gjithë problemi po ju mbetet prindërve", bëri të ditur zonja Shabani.

Psikologja Anduena Arrni, tha se sindroma Daun shkaktohet nga anomalitë kromozomike.

Meqë në shkollat speciale nuk ka mësuese të trajnuara për këta fëmijë, thotë Arrni, ata kryesisht shkojnë në shkolla të zakonshme.

"Fëmijët me sindromën Daun janë me prapambetje mendore. Këta fëmijë janë shumë pak ose fare të inkuadruar në shoqëri. Kjo ndodh në pjesët rurale, ku edhe vetë prindërit ndihen inferiorë që e kanë një fëmijë me sindromën Daun në familje - gjë që çon deri tek izolimi i këtyre fëmijëve. Por, edhe prindërit që janë më shumë të vetëdijesuar në lidhje me këtë sindromë, nuk e kanë qasjen e duhur, sepse kjo qasje mungon nga ana institucionale”, theksoi Arrni.

Ndërkaq, një tjetër nënë e cila e ka vajzën e saj me sindromën Daun, thotë se ajo është shumë e lumtur që ka një vajzë të tillë.

"Vajza ime është 14 vjeçare dhe shkon në shkollën e rregullt Iliria në Bregun e Diellit. E falënderoj Zotin që na i ka falë këta fëmijë. Është e vështirë t'i rrisësh, por është edhe kënaqësi sepse janë shumë fëmijë të dashur", shprehet zonja Raza Gashi.

Sindroma Daun është një nga çrregullimet më të zakonshme që vepron në një në 750 lindje dhe predispozitat më të mëdha i kanë nënat mbi 35 vjeçe.

Dita botërore e personave me sindromën Daun është me 21 mars dhe shënohet tash e disa vjet edhe në Kosovë me aktivitete të ndryshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG