Zvarritja e vendimit nga Kushtetuesja, e dëmshme

Ilustrim

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka afat ligjor deri më 18 shtator për të dhënë interpretimin rreth procedurave që janë zbatuar në seancën e 17 korrikut, kur Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryetarin e këtij institucioni, por zvarritja e vendimit të kësaj gjykate deri në atë datë, do të ishte e panevojshme dhe e dëmshme për Kosovën, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike kushtetuese dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Kërkesën për interpretim nga Gjykata Kushtetuese e ka bërë Partia Demokratike e Kosovës, më 18 korrik, ndërkaq, më 23 korrik, Kushtetuesja ka nxjerrë dhe publikuar vendimin për masë të përkohshme, me të cilën ka pezulluar vendimin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në këtë rast të Isa Mustafës, lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në anën tjetër, blloku i partive të koalicionit Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, ka paralajmëruar ballafaqimin e argumenteve me PDK-në në Gjykatën Kushtetuese.

Eksperti i çështjeve juridike kushtetuese, Riza Smaka, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se Gjykata Kushtetuese duhet ta marrë vendimin sa më parë lidhur me çështjen, pavarësisht se afatin ligjor e ka deri më 18 shtator.

“Kjo çështje është çështje juridike kushtetuese e thjeshtë, e cila nuk do të kërkonte më tepër se 2 apo 3 ditë për t’u vendosur. E dyta, është rregull që të kërkohet edhe opinioni i palës kundërshtare. Ndërkaq, këta thonë se këtë do ta bëjnë për 2 apo 3 ditë, në vend se ta dërgojnë menjëherë, sepse është një punë tepër e thjeshtë, tepër e lehtë dhe e definuar qartë në Kushtetutë”.

“Do të thotë, këtu shihet dobësia e njërës dhe tjetrës palë, si dhe e Gjykatës. Tash, pse të shtyhet aq shumë, kur ne virtualisht nuk kemi institucione. Shteti pa institucione është shtet problematik”, vlerëson Smaka.

Edhe njohësi i zhvillimeve politike, Shpend Kursani, konsideron se Gjykata Kushtetuese ka mjaft kapacitete, që të vendosë për çështjen brenda 10 ditësh.

Por, e gjithë kjo, sipas tij, do të varet nga vullneti i kësaj gjykate.

“Mendoj se Gjykata Kushtetuese ende ka gjasa që ta sjell vendimin më herët, edhe pse ia ka dhënë vetes luksin që deri më 18 shtator të marrë vendimin”.

“Por, kjo informatë prej Gjykatës Kushtetuese, në fakt, e ka pasur edhe një qëllim tjetër, që në qoftë se vetë nuk sjell ndonjë mendim deri në atë datë, atëherë, Isa Mustafa me automatizëm bëhet kryeparlamentar i pakontestuar, do të thotë, në qoftë se e lexoni me kujdes komunikatën e Gjykatës Kushtetuese”, thotë Kursani.

Kursani shton se në qoftë se Gjykata Kushtetuese nuk e merr vendimin më herët, atëherë krijohen rrethanat që qeveria në ikje të marrë vendime, të cilat ndonëse janë ligjore, sipas tij, janë jolegjitime.

Ndërkaq, profesor Smaka shpreh mendimin se zvarritja e panevojshme, siç e quan ai, e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, do të ngjallte dyshimin në opinion se ajo mund të jetë e ndikuar nga politika.

“Tash, në qoftë se zhargitet, nga kjo del se ka tendencë për ta bërë kaos situatën, për ta bërë mjegull edhe më tepër, për shkak se mjegull tashmë e kemi. Unë nuk mund ta shpjegoj ndryshe, përderisa them se kjo temë është e lehtë dhe e thjeshtë edhe për një student të drejtësisë, e lëre më për një Gjykatë Kushtetuese. Atëherë, pse të zhargitet deri në shtator, kur çdo ditë shkon në dëm të Kosovës?”, shton Smaka.

Analisti Kursani vlerëson se zvarritja e një përgjigjeje nga Gjykata Kushtetuese, jo vetëm që lë peng procesin, por krijon edhe konfuzion te qytetarët e Kosovës.

”Natyrisht, se po krijohet një konfuzion te qytetarët dhe ata po i humbin shpresat që këta liderë politikë seriozisht do të punojnë për interesin e qytetarëve, ashtu siç kanë thënë gjatë fushatës. Pra, po mendoj se kjo po ndikon që edhe të humbet besimi te qëllimet e liderëve të partive politike dhe, në fund, edhe kur të krijohen institucionet, mendoj se qytetarët më pak do t’i marrin seriozisht këto institucione”, vlerëson Kursani.

Sido që të jetë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 23 korrikut, obligon Kuvendin e Kosovës, që të përmbahet nga çfarëdo veprimi deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.