Zyra e Presidentes së Kosovës ia sqaron opinionit publik në Kosovë se presidentja Atifete Jahjaga, në asnjë moment nuk ka qëndruar indiferente ndaj zhvillimeve që po ndodhin në skenën politike dhe në asnjë mëynrë nuk i ka anashkaluar ato.
Më tutje, në deklaratën e dërguar nga Zyra e Presidentes, theksohet se “në një situatë të polarizimeve të skajshme politike, duke bërë thirrje për qetësi dhe për pjekuri politike të secilës palë, në respektim të votës së qytetarëve të vendit, Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, kërkon zbatim të normave demokratike dhe vetëpërmbajtje nga të gjitha palët dhe respektim të autonomisë së institucioneve të shtetit”.
Më tutje, kjo zyrë thekson se do të vazhdojë të “sigurojë ndërtimin e një procesi kredibil, duke garantuar funksionimin demokratik të institucioneve”.
“Kuvendi i Kosovës, me deputetët që janë betuar, duhet ta gjejë forcën, kurajën dhe guximin, për ta ndihmuar në radhë të parë vetveten, për ndërtimin e një institucioni jashtëzakonisht të nevojshëm për këtë periudhë kohore, nëpër të cilën po kalon vendi”, thuhet pastaj në deklaratë.
Zyra e presidentes thekson se proceset e nisura në Gjykatën Kushtetuese, gardianit të Kushtetutës së Kosovës, duhet të ndihmojnë në ruajtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në ndërtimin e një shteti ligjor, dhe vendimet e këtij institucioni të pavarur gjyqësor duhet të respektohen dhe zbatohen plotësisht nga të gjithë.
Në fund të këdaj deklarate, Zyra e Presidentes së Kosovës i “garanton të gjithë qytetarët e vendit në përgjithësi, dhe të gjitha subjektet politike në veçanti, se ajo do të ndikohet vetëm nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila do të zbatohet në tërësi, në çdo kohë, në çdo rast dhe në çdo mënyrë”. (f.bujupi)
Përdorimi i përmbajtjes sonë
⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.
Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.