Serbët nuk do t’i refuzojnë simbolet në zgjedhje

Problemet, të cilat kanë ndodhur në zgjedhjet e fundit lokale, për shkak të mospranimit të simboleve të Kosovës në listat e votimit dhe në materialin zgjedhor nga ana e serbëve të veriut, nuk do të përsëriten edhe në zgjedhjet parakohshme parlamentare.

Kështu deklarojnë politikanët serbë, të cilët garojnë në zgjedhjet e 8 qershorit, përmes subjekte të ndryshme politike.

Rada Trajkoviq, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës, e cila përfaqëson “Listën Serbe”, subjekt ky i cili mbështetet edhe nga Beogradi zyrtarë, thotë për Radion Evropa e Lirë se listat e votimit dhe materiali zgjedhor duhet të jetë i njëjtë për të gjithë serbët, në veri dhe në jug të Kosovës.

“Unë mendoj se nuk do të mund të ketë materiale të ndryshme për serbët në veri dhe për ata në jug të lumit Ibër. Në qoftë se pranohet që materialet të jenë neutrale ndaj statusit, atëherë ato duhet të vlejnë për të gjithë. Se a do të punoj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në këtë drejtim, që serbët kur të votojnë mund edhe ta fshehin ose mbulojnë simbolin, për këtë as që mund të bëhet fjalë. Sa më përket mua, kjo nuk është fare relevante. Për mua më tepër ka rëndësi kualiteti i njerëzve që janë në listë, si dhe zgjedhja e atyre njerëzve, se sa simbolika”, theksoi Trajkoviq.

Mendim të ngjashëm ka edhe ministri në largim i Punës dhe Mirëqenies sociale, Nenad Rashiq, lider i Partisë Demokratike Progresiste.

Sipas tij, toleranca që kanë treguar institucionet e Kosovës në zgjedhjet lokale lidhur me fshehjen e simboleve në materialin zgjedhor në veriun e vendit, ka mundur të jetë e kuptueshme për shkak të specifikave të kësaj hapësire.

Por, sipas tij, për zgjedhjet parlamentare, situata është krejtësisht ndryshe dhe materialet zgjedhore duhet të jenë të njëjta për të gjithë Kosovën.

“E di që fletëvotimet nuk mund të ndryshohen. Duhet të jenë origjinale, ashtu siç edhe janë edhe në zonat tjera. Nuk mund të ndahen listat e votimit dhe në disa regjione të jenë me logo dhe në disa të tjera pa logo. Nuk e di se si do të ndikoj kjo te votuesit, por sidoqoftë, listat do të jenë ashtu si janë, për të gjithë”, tha Rashiq.

Ndërkaq, Trajkoviq, vlerëson se në qoftë se do të ketë, nga kushdo qoftë, ndonjë kërkesë eventuale për ndryshimin e fletëvotimeve dhe materialit zgjedhor për veriun e vendit, për shkak të simboleve, kjo do të jetë, siç e quan ajo, marrëzi.

“Është krejtësisht marrëzi, me besoni, duke marrë parasysh numrin e votuesve. Kjo madje është e komplikuar edhe teknikisht. Kjo mbase ka qenë më e thjeshtë, kur kanë qenë zgjedhjet lokale në veri dhe ata kanë mundur ta mbulojnë ose ta fshehin simbolin. Madje kjo ka qenë vetëm sa për të thënë ‘ja, nuk e pashë’ dhe nuk ka lidhje çfarë shkruan. Mendoj se është e pakuptimtë të merremi më me gjëra të tilla, sepse marrëzia nuk ka fund”, u shpreh Trajkoviq.

Në anën tjetër, Rashiq vlerëson se edhe në qoftë se ndokush nga të zgjedhurit serb, eventualisht do t’i bënte problematike procedurat në Kuvendin e Kosovës, për shkak të simboleve në materialin zgjedhor, por edhe në dokumentet tjera, të cilat duhet nënshkruar kur bëhet betimi, kjo do të ishte në dëm të vet procesit zgjedhor, por edhe të atij që ka fituar votat e zgjedhësve.

“Kur flitet për zgjedhjet parlamentare dhe për vet parlamentin, dihet se cilat janë procedurat. Me siguri se çfarëdo kërkese për ndryshimin e procedurës, do të ishte në dëm të deputetit. Ne po flasim në mënyrë hipotetike, në qoftë se dikush vjen si deputet dhe nuk u përmbahet rregullave dhe procedurës që duhet ta zbatoj një deputet, të nënshkruaj apo praktikoj një deputet, atëherë, me siguri se mund ta humbë edhe pozitën e vet si deputet. Prandaj, nuk pres probleme rreth kësaj dhe pres që njerëzit t’i pranojnë obligimet ashtu siç janë dhe se do të pranojnë procedurën standarde, e cila tash e një kohë është duke funksionuar”, theksoi Rashiq.

Ndryshe, në zgjedhjet lokale të fundit që u mbajtën në Kosovë, çështja e fletëvotimeve dhe materialit zgjedhor ishte bërë problematike për shkak se liderët e atjeshëm serbë nuk kishin pranuar që në to të kishte ndonjë simbol të Kosovës.

Madje, zgjedhjet lokale ishin përsëritur në Mitrovicën e veriut për shkak se kandidati për kryetarë nga “Lista Serbe”, Kërstimir Pantiq, i cili pati fituar zgjedhjet, pati refuzuar të bëj betimin solemn si kryetarë komune, për shkak të, siç thuhej, mospranimit të simboleve të Kosovës në dokumentet që duhej nënshkruar.