Ndërlidhjet

Subjektet politike serbe synojnë të bëhen fuqi parlamentare


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Serbët, përmes subjekteve të tyre politike, të cilat do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të parapara për 8 qershor, synojnë që të arrijnë kuotën e votave, e cila do t’i bënte fuqi parlamentare.

Kjo edhe ka qenë arsyeja pse tri subjekte politike, Iniciativa qytetare serbe, Partia e Pavarur Liberale dhe Iniciativa qytetare “Serbia Demokracia, Drejtësia, janë shkrirë në një listë të vetme garuese për zgjedhje, e cila quhet "Lista serbe", thonë përfaqësuesit e saj.

Aleksandar Jabllanoviq, i cili gjendet në krye të “Listës serbe”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se marrja e 10 vendeve të garantuara në Kuvendin e Kosovës është më e pakta që llogarit subjekti i tij.

“Ne po llogarisim që ta kemi një grup parlamentar mjaft të fuqishëm në Kuvendin e Kosovës, i cili do të numërojë, sipas vlerësimeve të mia, 18 deri në 22 vende të deputetëve. Kjo, për arsyen se kësaj here, në veri të Kosovës serbët do të dalin të organizuar në zgjedhjet parlamentare të ardhshme. Ai numër i serbëve që do të dalë në zgjedhje parlamentare, do të jetë shumë më i madh se sa në zgjedhjet e kaluara lokale të vitit 2013”, thekson Jabllanoviq.

Por, cilat janë caqet që synon t’i arrijë "Lista serbe" në rast se arrin më shumë se 10 mandate, të cilat janë të garantuara për pakicën serbe, në Kuvendin e Kosovës?

Ksenija Bozhoviq, aktualisht kryetare e Kuvendit të komunës së Mitrovicës së veriut dhe pjesë e Listës serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjithçka do të varet nga ajo se si do të votojnë qytetarët.

Ajo thekson se "Lista serbe" ende nuk e ka përfunduar platformën zgjedhore, të cilën do t’ua prezantojë votuesve. Por, sipas saj, sapo të fillojë afati ligjor për fushatë zgjedhore, kjo platformë do të jetë e gatshme dhe do të shpaloset para votuesve potencialë.

“Normalisht, serbët që do të marrin më së shumti vota dhe besimin e qytetarëve do ta përfaqësojnë në Kuvend për interesat e bashkësisë së tyre dhe përmirësimin e të gjitha kushteve të jetesës së serbëve në Kosovë”, thotë Bozhoviq.

Megjithatë, Jabllanoviq konsideron se në vija të përgjithshme, një nga synimet e "Listës serbe", pas zgjedhjeve, është që të bëhet pjesë e Qeverisë së Kosovës. Gjithashtu, sipas tij, ky subjekt ka edhe mjaft synime tjera.

“Qëllime të rëndësishme, pas përfundimit të zgjedhjeve, janë që 'Lista serbe', me përfaqësuesit e saj, të hyjë në organet ekzekutive, përkatësisht në Qeverinë e Kosovës - të bëjë të mundur që sa më parë të formohet Bashkësia e komunave serbe, për të cilën është arritur marrëveshja në Bruksel, si dhe që ligjet e caktuara që janë të vlefshme në Kosovë, të ndryshohen në masë të mjaftueshme, në mënyrë që e gjithë marrëveshja e Brukselit të mund të zbatohet në Kosovë”, deklaron Jabllanoviq.

Ai shton se "Lista serbe" synon mbrojtjen e të drejtave dhe kthimin e të zhvendosurve serbë, jo vetëm në hapësirat sikurse Graçanica, por edhe në Rrafshin e Dukagjinit.

Gjithashtu, sipas tij, mbrojtja e objekteve kulturore dhe kishave ortodokse serbe, do të jetë një nga caqet kryesore të "Listës serbe", ashtu sikurse edhe ndërprerja e procesit të privatizimit nga ana e Agjencisë Kosovare për Privatizim në mjediset me shumicë serbe.

Në anën tjetër, subjekti tjetër serb, Partia Demokratike Progresiste, gjithashtu do të garojë në zgjedhjet parlamentare të parakohshme.

Nenad Rashiq, i cili kryeson këtë subjekt, thotë se qëllimet e këtij subjekti, në rast se futet në Kuvendin e Kosovës, do të synohet të realizohen në dy drejtime:

“Ne e kemi bazuar programin më së shumti në ekonomi, në mënyrë që aspekti ekonomik të forcohet në mjediset pasive ku jetojnë serbët. Në këtë kuptim, po mendoj për ato komuna të vogla që janë formuar në jug, por edhe për komunat në veri. Kjo është ndër qëllimet tona ekonomike".

"Sa u përket qëllimeve politike, para së gjithash të serbëve, por edhe bashkësive tjera, të cilat së bashku mund ta krijojnë një koncept dhe ne do të punojmë në drejtim. Ky do të jetë krijimi i një drejtimi ideologjik, që do të jetë autokton dhe autentik i serbëve të Kosovës dhe i cili nuk do të dirigjohet nga ndonjë anë, por do të jetë i pavarur. Kjo duhet të jetë në kuptimin e partneritetit dhe jo të nënshtrimit. Rruga jonë do të jetë ajo e Brukselit”,
shprehet Rashiq.

Ndryshe, subjektet politike serbe, të cilat do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të parakohshme më 8 qershor, pritet t’i shpalosin në detaje platformat e tyre gjatë fushatës zgjedhore, e cila fillon më 28 maj dhe do të zgjasë 10 ditë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG