Ndërlidhjet

Të unifikuar, serbët synojnë më shumë se 10 ulëse në Kuvend


Subjektet politike nga radhët e komunitetit serb janë duke i zhvilluar konsultimet dhe negociatat përfundimtare para se të dorëzojnë listën e tyre të përbashkët me të cilën do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit.

Pas sugjerimeve të Beogradit, partitë më të mëdhatë serbëve kanë vendosur që të garojnë me listën e tyre unike, e cila do të mblidhet rreth Iniciativës Qytetare Serbe, e njohur edhe si lista “Srpska”.

Pjesë e saj, pritet të jenë edhe Iniciativa LSD dhe Partia e Pavarur Liberale.

Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës veriore dhe përfaqësues i Listës Serbe thotë se e vetmja mënyrë me të cilën serbët mund të marrin më shumë sesa 10 ulëset e garantuara për ta në Kuvendin e Kosovës është garimi me një listë të përbashkët.

“Vetëm të bashkuar mund të fitojmë mandate të mjaftueshme dhe të marrim pjesë në punimet e Kuvendit”, thotë Rakiq.

Listës Serbe të formuar nga Beogradi e cila në zgjedhjet lokale ka arritur të fitoj në 9 komuna, pritet t’i bashkohet edhe Partia e Pavarur Liberale e Slobodan Petroviqit, ministër në largim i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe zëvendëskryeministër i Kosovës.

Ai ka vendosur që t’i bashkohet koalicionit me listën serbe dhe SDP-në me qëllimin e njëjtë, që të marrin sa më shumë ulëse në Kuvend.

“Mendoj se përfundimisht ka ardhur koha që të mos fshihemi pas përcaktimeve të partive të caktuara politike dhe organizatave të caktuara”, thotë Petroviq, duke vlerësuar se përvoja e secilit nga politikënt serb duhet të shfrytëzohet për të mirën e përgjithshme shoqërore.

Lista e përbashkët serbe pritet të ketë 70 përqind nga Iniciativa “srpska” dhe 30 për qind nga partitë tjera serbe.

Megjithatë jo të gjitha subjektet serbe mendojnë se bashkimi në një listë i mbron interesat e serbëve.

Nenad Rashiq
, kryetar i Partisë Përparimtare Demokratike, aktualisht edhe ministër në largim i Punës dhe Mirëqenies Sociale thotë se ky unifikim po bëhet edhe për interesa individuale.

“Nëse me bashkimin konsiderohet që në listë të vendosen 100 veta për të përmbushur një numër dhe nëse konsiderohet se me këtë po realizohet një interes politik e që mendoj se ka të bëjë me interesa të individëve, atëherë kjo është gabim”, thotë Rashiq, i cili sipas të gjitha gjasave do të garojë me partinë e tij pa u bashkuar në listën serbe.

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, serbët kanë 10 vende të garantuara, sa kanë edhe komunitetet tjera jo serbe. Mirëpo, ky numër, sipas llogaritjeve të bëra nga subjektet serbe do të mund të rritej deri në 15 apo 20 ulëse për këtë komunitet.

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Florian Dushi thotë se komunitetet do të marrin ulëse aq sa do të kenë fuqinë elektorale.

“Ndarja e ulëseve për secilin komunitet pakicë bëhet në proporcion me numrin e votave që e marrin, pra sipas sistemit proporcional. Në të gjitha rastet kur ato e arrijnë numrin e garantuar, atëherë është gjithçka në rregull e në rastet kur nuk e mbërrijnë këtë numër të garantuar, atëherë ato iu kompensohen", thotë Dushi.

Përndryshe, unifikimi i serbëve, po paralajmërohet se do të jetë një mesazh që ky komunitet do të flas me një zë edhe pas konstituimit të Kuvendit pas zgjedhjeve të 8 qershorit, duke lënë kështu anash përkatësitë partiake.

Një sugjerim të tillë përfaqësuesit e serbëve e kanë marrë në vazhdimësi edhe gjatë zgjedhjeve lokale nga ana e Beogradit zyrtar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG