Ndërlidhjet

Veriu me gatishmëri për zgjedhje


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Subjektet politike serbe, veçanërisht ato që veprojnë në veri të Kosovës, ende nuk kanë marrë vendim zyrtar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat pritet të mbahen më 8 qershor.

Por, përfaqësuesit e këtyre subjekteve politike thonë se gatishmëria për të marrë pjesë në zgjedhje ekziston.

Lidhur me këtë pjesëmarrje, Iniciativa qytetare serbe e njohur si “Lista serbe”, e cila në zgjedhjet e fundit lokale ka fituar në pjesën më të madhe të komunave me shumicë serbe është duke pritur të konsultohet me autoritetet e Beogradit.

Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë edhe Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës veriore, i cili vjen nga radhët e Listës serbe.

“Ende nuk kemi vendosur dhe ende nuk e kemi sjell vendimin se a do të marrim pjesë në zgjedhje, por këtë do ta bëjmë në dy apo tri ditët e ardhshme. Këtë vendim do ta marrim së bashku, duke u konsultuar me Beogradin”.

“Megjithatë, duke pasur parasysh që kemi marrë pjesë në zgjedhjet lokale, mendoj se serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhje. Natyrisht, duke iu dhënë garanci për vendet e garantuara si dhe që t’iu mundësohet të votojnë me letërnjoftimet apo dokumentet personale, të cilat aktualisht i posedojnë dhe jo të kushtëzohen me atë që dokumentet personale të jenë vetëm të Kosovës”
, thekson Rakiq.

Subjekti tjetër politik në veri të Kosovës, Iniciativa qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia” e Oliver Ivanoviqit, paralajmëron pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, edhe pse për një gjë të tillë nuk është marrë vendimi zyrtar i këtij subjekti.

Përfaqësuesja e këtij subjekti, Ksenija Bozhoviq, që aktualisht është kryetare e Kuvendit komunal të Mitrovicës së veriut, thotë se lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje, janë të gatshëm të bisedojnë, jo vetëm me Beogradin, por me të gjithë ata që e konsiderojnë si opsion politik serioz subjektin të cilit ajo i takon.

“Iniciativa qytetare SDP e Oliver Ivanoviqit, do të marrë pjesë në zgjedhje parlamentare. Ne e kemi caktuar për ditën e hënë mbledhjen me anëtarësinë tonë dhe këshillat tona, ku ne përfundimisht do të marrim vendimin për veprimet e mëtutjeshme”, thekson Bozhoviq.

Por, a do të jenë në gjendje subjektet politike serbe në veri të Kosovës që t’i mobilizojnë qytetarët për një dalje sa më të lartë në votimet e 8 qershorit?

Rakiq vlerëson se një gjë e tillë do të jetë mision i vështirë për partitë politike serbe, duke pasur parasysh incidentet që kanë ndodhur para dhe gjatë zgjedhjeve lokale. Megjithatë, ai shpreson se njerëzit do ta kuptojnë rëndësinë e zgjedhjeve parlamentare.

“Siç e dini, edhe gjatë kohës së zgjedhjeve lokale ka pasur mjaft vështirësi. Sidomos kur flasim për veriun, mendoj në Mitrovicën e veriut, e dimë se ka pasur një vrasje, sulm mbi një kandidat, si dhe hedhje të bombës në oborrin e një këshilltari komunal. Unë mendoj se do të jetë vështirë. Por, me mbështetjen e Beogradit, mendoj se njerëzit do ta kuptojnë seriozitetin dhe do të bëjnë atë, për të cilën do të vendosë Beogradi zyrtar, por edhe Lista serbe”, shprehet Rakiq.

Vështirësi lidhur me përgatitjen e elektoratit në veriun e Kosovës, për të dalë në zgjedhje, paralajmëron edhe Bozhiviq.

“Njerëzit në veri janë të lodhur, për shkak se ju e dini tashmë se sa raunde të zgjedhjeve kemi pasur deri më tash. Do të na duhet më shumë kohë që të bisedojmë me njerëzit, që t’i gjallërojmë në mënyrë që ata të dalin në numër sa më të madh në zgjedhje”, thekson Bozhoviq.

Lidhur me deklarimet që zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë dhënë se Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian mund të ketë rol në mbështetjen logjistike për organizimin e zgjedhjeve parlamentare edhe në veri të Kosovës, Rakiq shprehet skeptik.

Siç thotë ai, në zgjedhjet e kaluara lokale, OSBE-ja ka treguar se nuk mund të japë ndihmë domethënëse. Ndryshe, Bozhoviq, vlerëson se ndihma e OSBE-së për zgjedhjet e 8 qershorit, do të jetë më se e nevojshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG