Ndërlidhjet

Veriorët “harrojnë” kompetencat


Veri...
Veri...
Mbledhja e përbashkët e katër Kuvendeve të komunave të veriut të Kosovës në Zveçan, e cila u mbajt me 6 mars, si dhe porositë që dolën nga kjo mbledhje, janë të natyrshme kanë vlerësuar përfaqësuesit e serbëve, të cilët tashmë janë pjesë e institucioneve të dala nga zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë.

Në mbledhje morën pjesë vetëm këshilltarët nga komuniteti serbë dhe ata kanë kundërshtuar formimin e Forcës së Armatosur të Kosovës, ndërkohë që kanë porositur se do ta ndërpresin bashkëpunimin me Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë, si dhe me misionin EULEX , në qoftë se nuk u lejohen zyrtarëve të Beogradit vizitat në Kosovë.

Gjithashtu kanë kërkuar edhe mbrojtjen në liri të serbëve të paraburgosur.

Por, mbledhja e tillë është kundërshtuar dhe bojkotuar nga këshilltarët që i takojnë komunitetit shqiptar dhe atij boshnjak.

Ksenija Bozhoviq, kryetare e Kuvendit komunal ne Mitrovicën e veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë, se këshilltarët e katër kuvendeve komunale janë lajmëruar me kohë për mbledhjen dhe pavarësisht mungesës së këshilltarëve shqiptarë dhe boshnjak, ka pasur kuorum dhe mbledhja është mbajtur.

Megjithatë, mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të katër kuvendeve, ajo e shpjegon me mungesën e objektit për Kuvendin komunal të Mitrovicës së veriut.

Unë si kryetare e Kuvendit komunal, mund ta thërras mbledhjen. Duke pasur parasysh që nuk kemi kushte për punë dhe nuk kemi objekt, do të thotë se unë mund ta mbaj mbledhjen edhe në ndonjë restorant apo hotel, në territorin e cilësdo komunë. Për këtë nuk shkruhet askund në ligj. Mund ta mbaj edhe në Çagllavicë. Është e parëndësishme, sepse për këtë ligji nuk më obligon se si ta bëj”, ka thënë Bozhoviq.

Por ajo nuk ka shpjeguar se mbi cilën bazë ligjor kanë mbajtur mbledhje të përbashkët katër kuvendet komunale të veriut, si dhe mbi cilat kompetenca janë shtruar temat.

Mu për këtë shkak, sipas këshilltarit komunal të Mitrovicës së veriut, Emir Azemi, i cili përfaqëson komunitetin shqiptar, këshilltarët shqiptarë dhe boshnjak nuk kanë marrë pjesë në mbledhje.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se, sipas ligjit, për mbledhjen është dashur të informohen 7 ditë më parë, përveç në rastet e jashtëzakonshme kur duhet të informohen 3 ditë më herët.

Sipas tij, këshilltarët janë informuar vetëm 1 ditë më herët. Përveç kësaj, siç thotë Azemi, këshilltarët shqiptarë dhe boshnjak, kanë konstatuar se temat e mbledhjes nuk i takojnë mandatit dhe përgjegjësisë së këshilltarëve komunal.

“Është e qartë që serbët duhet ta kuptojnë se ata mund të mblidhen në kuvendet komunale që u përkasin, por as se si të mblidhen në një të ashtuquajtur Kuvend të madh të katër komunave. Ky është një reagim që ne e shohim si një lloj provokimi që ata ua kanë bërë institucioneve".

"Për neve, nuk ka pasur nevojë të mblidhemi, sepse nuk është në kompetencën tonë që të merrem ne me atë se pse është arrestuar Oliveri (Ivanoviq) apo pse po bën Kosova ushtri. Këto janë për nivelin qendror dhe as se si nuk na takojnë neve, nuk janë nën kompetencat tona, bazuar në ligjin për vetëqeverisje lokale”, thotë Azemi.

Tërë këtë situatë, ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, e sheh si një dëshmi që në veri, kryetarët e komunave dhe kuvendet komunale nuk janë të gatshëm të merren me përgjegjësitë e tyre, por merren me çështje dhe, siç thotë ai “politika të mëdha”, për të cilat nuk kanë kompetenca.

Kundërshtimet e tyre ndaj formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, si dhe kërcënimet për sabotim ndaj EULEX-it dhe pranisë ndërkombëtare, sipas Feratit, e mbajnë veriun nën tension dhe e pengojnë integrimin e kësaj pjese.

“Ky trend duhet të ndërpritet, sepse ata po bëjnë një mashtrim të opinionit të tyre dhe i mbajnë tensionet, sepse nga këto qëndrime politike ata e ushqejnë atë pjesën ekstremiste dhe pjesën, të cilët janë në dilemë se a është normalizuar jeta në veri dhe bisedimet Prishtinë-Beograd- bashkësia ndërkombëtare, a kanë arritur një marrëveshje, e cila po krijon obligime të zbatohet, apo akoma ajo është në diskutim e sipër”, thekson Ferati.

Ai shton se është shqetësues fati se të njëjtit përfaqësues serbë, pritet të marrin nën drejtim edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili është rezultat i marrëveshjes së 19 prillit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Siç thekson Ferati, është e pritshme që këta liderë serbë ta politizojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke prezantuar konceptin se veriu nuk integrohet dhe se do të mbetet më ndryshe nga pjesa tjetër e Kosovës.
XS
SM
MD
LG