Ndërlidhjet

Përgjegjësit e "paidentifikuar" të ekstremizmit në veri


Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut ka evidencuar se “problemi më i rëndësishëm i të drejtave të njeriut në Kosovë, gjatë vitit 2013, është përqendruar në përpjekjet e ekstremistëve serbë për të bllokuar normalizimin, përfshirë vendosjen e barrikadave në pjesën veriore të vendit dhe kufizimet e të drejtave themelore, të tilla si liria e lëvizjes së personave dhe mallrave”.

Vlerësimet e këtij raporti kanë ngjallur reagimet e përfaqësuesve të shoqërisë civile, zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, si dhe përfaqësuesve serbë në Kosovë.

Behxhet Shala, drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, vlerëson se Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut me të drejtë e ka identifikuar si problem më të rëndësishëm shkeljen e përgjithshme të të drejtave të njeriut në veri të Kosovës.

Siç thotë ai, në mungesë të institucioneve të Kosovës në veriun e vendit, kjo hapësirë është shndërruar në, siç e quan ai “zonë gri e krimit të organizuar”.

Megjithatë, sipas tij, raportit i mungon evidentimi i përgjegjësve për gjendjen e krijuar në veri.

“Raporti për veriun është krejtësisht i qëlluar dhe nuk ka asnjë dilemë që ashtu është. Mirëpo, aty është dashur të thuhet se kush është përgjegjës për atë gjendje. Do të thotë, për atë gjendje , përveç Serbisë, përgjegjës janë edhe ndërkombëtarët, të cilët për shkak të një oportuniteti politik, nuk kanë ndërmarrë asgjë, që ato që janë evidencuar të eliminohen".

"Madje edhe janë toleruar që të bëhen të gjitha ato dukuri. Tash, kryesisht, po përshkruhen pasojat dhe duket se ajo gjendje do të zgjasë edhe më shumë, por tash në mënyrë pak më të sofistikuar, sepse pjesa e krimit në veri është bërë pjesë e institucioneve dhe tashmë e ka një mbulesë ligjore për atë që ka bërë dhe që do ta bëjë”, ka theksuar Shala.

Ai ka shtuar se për gjendjen në veri nuk mund të bëhet përgjegjëse Qeveria e Kosovës, për shkak se sipas tij, ajo nuk ka pasur qasje në atë pjesë dhe as që i është lejuar ajo qasje.

Por, Adrijana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative të Qeverisë së Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës, gjendjen e krijuar, e cila përshkruhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, e sheh si pasojë e grumbulluar me vite.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo vlerëson se, megjithatë, përgjegjësinë për situatën e krijuar nuk duhet ta bartë vetëm bashkësia ndërkombëtare, por edhe Qeveria e Kosovës, e cila, siç thotë ajo, është kujtuar vonë se ekziston edhe veriu.

“Qeveria e Kosovës ka filluar të merret konkretisht me veriun para më pak se 5 vjet. Por, çfarë ka ndodhur 10 vjet më parë? Ajo pauzë, ai vakum në dhjetë vjetët e parë, u ka mundësuar të gjithë atyre delikuentëve që të zhvillohen deri në atë masë, sa që sot të funksionojnë si një lloj i mafisë".

"Këta janë ata njerëz të cilët po bëjnë probleme, këta janë ata ekstremistë, të cilët fshihen prapa patriotizmit. Në fakt, bëhet fjalë për interesa personal dhe biznese ilegale, të cilat edhe sot nuk mund të kontrollohen plotësisht në veriun e Kosovës”
, ka thekuar Hoxhiq.

Ajo ka shtuar se të drejtat e njeriut në Kosovë, në një mënyrë janë neglizhuar, sipas saj, për faktin se njerëzit janë viktima të makropolitikës e cila po zhvillohet në Kosovë.

Sipas Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, ekstremistët dhe elementet kriminale kanë përdorur dhunën dhe frikësimin kundër kundërshtarëve të brendshëm dhe forcave ndërkombëtare të sigurisë, përfshirë vrasjen e një pjesëtari të EULEX-it në muajin shtator.

“Gjatë zgjedhjeve komunale të nëntorit, sulmuesit kanë hyrë dhe kanë rrënuar tre qendra votimi në veri, duke e bërë të domosdoshëm rivotimin dy javë më vonë”, thuhet në raport.

Por, Marko Jakshiq, përfaqësues i partisë Demokratike të serbisë në Mitrovicën e veriut, duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se ky ky raport është plot me gënjeshtra, me qëllim të diskreditimit të popullit serb që jeton në veri, të cilët luftojnë që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë, sipas rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara“.

"Sa i përket vrasjes së doganierit lituanez, ne edhe sot e kësaj dite insistojmë dhe kërkojmë në të gjitha mënyrat e mundshme, para së gjithash serbët e veriut të Kosovës, që të vërtetohet saktë se kush e ka vrarë. Duke pasur parasyshë prezencën e policisë ndërkombëtare, të Policisë së Kosovës dhe të gjitha organet tjera, mendoj se është krejtësisht e pabesueshme që nuk gjendet kryerësi i krimit dhe se në mënyrë paushale po akuzohet pala serbe".

"Kjo është e vrazhdë. Kur flitet për thyerjen e kutive të votimit, ne që kemi bojkotuar zgjedhjet kemi të dhënat tona dhe faktet se këtë e kanë bërë pjestarët e xhandarmërisë serbe, në mënyrë që politika të mos përsojë debakël, me qëllim që zgjedhjet të përsëriten", ka theksuar Jakshiq.

Gjithashtu, në raportin e Deoartamentit Amerikan të Shtetit, si probleme në fushën e të drejtave të njeriut, janë përmendur edhe dhuna dhe diskriminimi shoqëror ndaj pjetarëve të bashkësive etnike, personave me aftësi të kufizuara, si dhe komunitetit LGBT (lesbike, homoseksual, biseksual dhe transseksual).

Probleme të tjera të cekura në raport janë edhe keqtrajtimin i raportuar policor i të burgosurve, dhuna në mes të burgosurve, korrupsioni dhe favorizimi në burgje, paraburgimi i gjatë dhe mungesën e efikasitetit gjyqësor, frikësimet e mediave nga zyrtarët publikë dhe elementet kriminale, kufizimet në liritë fetare, përparimi i kufizuar në kthimin e të zhvendosurve, korrupsionin qeveritar dhe retorika antisemitike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG