Veriu po krijon identitet të dallueshëm

Mitrovicë...

Zhvillimet e fundit në veri, e konfirmojnë frikën dhe shqetësimet që kanë ekzistuar në Kosovë, lidhur me marrëveshjen e prillit të vitit të kaluar në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjasat që të ketë ndryshime thelbësore në pjesën veriore të vendit, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

Sinjale të qarta për këtë, sipas tyre, janë mbledhja e përbashkët e Kuvendeve të komunave veriore, miratimi i statuteve të këtyre komunave duke shkelur ligjet e Kosovës, flamuri identik i katër komunave me ngjyra të ngjashme me atë të shtetit të Serbisë, si dhe simbolet dhe vulat që i referohen Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit.

Analisti i çështjeve politike, Ardian Arifaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se zhvillimet në veri po tregojnë se marrëveshja e Brukselit nuk ka qenë e qartë në detaje.

Kjo, sipas tij, ka lënë hapësirë që institucionet e vendosura në pjesën veriore të vendit, të mbesin të lidhura me Serbinë dhe të përfaqësojnë interesat e saj, madje edhe në kohën kur, siç thotë ai, formalisht do të duhej të ishin pjesë e institucioneve të Kosovës.

“Këtë e konfirmojnë edhe ndryshimet në statutet, pastaj logot dhe simbolet që po përdoren në pjesën veriore të Kosovës. Pra, e dëshmojnë atë frikën që sidomos pjesa veriore e Kosovës - katër komunat me shumicë serbe atje - ende nuk e pranojnë Kosovën si shtet të tyre dhe janë duke nxituar që të krijojnë, së pari, një identitet të dallueshëm, që i dallon prej pjesës tjetër të Kosovës. Më pas, ky dallim të ngrihej në kualitet dhe të theksohet edhe më tepër dhe në mënyrë më formale ky dallim i pjesës veriore nga pjesa tjetër e Kosovës”, thotë Arifaj.

Marrëveshja e Brukselit mundësoi mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat veriore.

Por, analisti tjetër i çështjeve politike, Shpend Kursani, thotë për Radion Evropa e Lirë se zhvillimet e fundit në veri, po dëshmojnë se si rezultat i zgjedhjeve lokale, strukturat paralele në këtë pjesë të vendit nuk u integruan në institucionet e Kosovës.

Sipas tij, situata e cila ishte atje para zgjedhjeve, vetëm se u formalizua dhe u pranua nga institucionet e Kosovës.

“Pra, njëfarë ‘status quo’-je që ishte më herët, u pranua nga institucionet e Kosovës, si formë zyrtare e çështjeve dhe aferave që do të ndodhin në veri. Këto veprime të serbëve në veri, natyrisht, nuk janë vetëm të njëanshme, por këtu përgjegjësinë e mban edhe Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë, të cilat negociuan për ta gjetur zgjidhjen e problemit të veriut. Ndërkaq, kjo situatë e tanishme tregon se çka në fakt qenkan marrë vesh kryeministrat ndërmjet veti për veriun e Kosovës”, konsideron Kursani.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e institucioneve komunale në veri të Kosovës, kohë më parë patën deklaruar se nuk do të heqin dorë nga statutet e miratuara të komunave, pavarësisht faktit se autoritetet e Kosovës kishin konstatuar shkeljet ligjore dhe u kishin bërë me dije komunave veriore procedurat dhe afatet ligjore për t’i bërë përmirësimet.

Përfaqësuesit e serbëve në veri, deklaruan se për çdo gjë kontestuese lidhur me këto çështje, duhet të bisedojnë Prishtina, Beogradi dhe Brukseli.

Analisti Arifaj vlerëson se Prishtina zyrtare nuk ka mekanizma që t’i detyrojë komunat veriore që të veprojnë sipas ligjeve të Kosovës, për faktin se ato veprojnë të inkurajuara dhe të mbështetura nga Beogradi, në çdo hap që e bëjnë.

“Është qenësore që Prishtina të vazhdojë të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare, e cila ka mundësi t’i bëjë presion Beogradit, sepse deri më tash është parë se presioni që bën bashkësia ndërkombëtare mbi Beogradin, funksionon”.

“Pra, të vazhdojë bashkësia ndërkombëtare që ta detyrojë Beogradin që sinqerisht të tërhiqet nga Kosova dhe të përfundojë përzierjen dhe interferimin në punët e brendshme të Kosovës, si dhe të lejojë Kosovën që ta shtrijë tërë funksionalitetin e saj shtetëror edhe në pjesën veriore
”, vlerëson Arifaj.

Megjithatë, analisti Kursani shpreh mendimin se serbët e veriut dhe Serbia, po përpiqen që të realizojnë atë që kanë mëtuar që nga viti 1999, ndarjen e veriut të Kosovës. Por, sipas tij, kjo po bëhet në mënyrën që nuk do të bjerë ndesh me rrethanat rajonale dhe ndërkombëtare.

“Meqenëse rrethanat rajonale dhe ndërkombëtare nuk po ekzistojnë për ndarjen e veriut, atëherë, në njëfarë mënyre, po formalizohet ndarja e veriut brenda kufijve të Kosovës, ku kemi një prezencë minimale të Prishtinës dhe me njëfarë pavarësie shumë të madhe të serbëve në veri, me ndikim të drejtpërdrejtë nga Serbia. Kjo për faktin se, siç dihet, edhe kuvendet komunale, por edhe kryetarët e komunave të veriut janë nga një subjekt politik, i cili u krijua nga Serbia
”, thekson Kursani.

Ai shpreh mendimin se ajo çfarë po ndodh aktualisht me komunat në veri, pritet të ndodhë edhe me komunat me shumicë serbe në pjesën qendrore të Kosovës, pas formimit të Asociacionit të tyre.

Por, analisti Arifaj thotë se Prishtina zyrtare duhet të bëjë përpjekje maksimale dhe ta artikulojë qartë se është në interes të bashkësisë ndërkombëtare moscenimi i integritetit të Kosovës, si dhe ruajtja e shtetësisë së saj.