Ndërlidhjet

Statutet me shkelje ligjore, “grackë” për bisedime


Mitrovicë
Mitrovicë
Përderisa zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kanë evidentuar shkelje ligjore gjatë miratimit të statuteve dhe brenda përmbajtjes së statuteve të katër komunave veriore të Kosovës, me shumicë serbe, atëherë ato duhet të shpallen të pavlefshme, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike kushtetuese në vend.

Ata thonë se vetë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është e thirrur që të reagojë dhe të marrë masat adekuate ligjore ndaj këtyre shkeljeve.

Eksperti i çështjeve juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se miratimi i statuteve, përmbajtja e të cilave e shkel ligjin, shpërfaq qëllimet e përfaqësuesve të komunave veriore që ata të mos i njohin institucionet e Kosovës.

“Qartazi po shihet se përfaqësuesit e këtyre komunave dhe përkrahësit e tyre, që është Qeveria e Beogradit, kanë për qëllim që të mos njohin institucionet e Kosovës ose të sillen karshi tyre në pikëpamje neutrale të ashtuquajtur ndaj statusit të pavarësisë së Kosovës. Atëherë, gjithsesi duhet ndërmarrë masa vendimtare, pa shtyrje dhe duhet anuluar ato zgjidhje, ato veprime, të cilat janë në kundërshtim me ligjin, me Kushtetutën dhe me gjithë sistemin kushtetues dhe juridik të Kosovës”, thotë Baraliu.

Profesor Baraliu shton se miratimi i statuteve të komunave veriore nga përfaqësuesit e serbëve në këto komuna, duke u bazuar në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është vetëm një manovër e tyre.

Sipas tij, kjo rezolutë tashmë është e tejkaluar dhe e papërfillshme, pavarësisht se Këshilli i Sigurimit nuk e ka nxjerrë jashtë fuqisë për shkak të vështirësive dhe mospajtimeve.

Eksperti tjetër çështjeve juridike kushtetuese, Riza Smaka, po ashtu profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se miratimi i statuteve, në formën se si janë miratuar, nga përfaqësuesit institucionalë të serbëve në komunat veriore, është akt joligjor dhe i paqëndrueshëm juridikisht.

“Do të duhej, patjetër, të shpalleshin zero (të pavlefshme) dhe të kërkohet miratimi i akteve statutare të reja në harmoni me Kushtetutën dhe me ligjin përkatës për vetëqeverisje lokale. Mirëpo, shtrohet edhe çështja e pushtetit faktik, se sa ka mundësi faktike Qeveria jonë që ta bëjë këtë, që t’i detyrojë komunat për t’i shfuqizuar, për t’i lënë anash ato akte statutare dhe për t’i bërë statutet ashtu siç do të duhej t’i bënin? Çështje problematike është kjo”, thekson Smaka.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e institucioneve komunale të komunave në veri, kanë theksuar se nuk do ta ndryshojnë përmbajtjen e statuteve të miratuara.

Në rast se ekzistojnë pikëpyetjet lidhur me këtë çështje, sipas tyre, ato duhet
të shtrohen si temë bisedimi ndërmjet Prishtinës, Beogradit dhe Brukselit.

Edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka theksuar se çështja e statuteve të komunave, por edhe e statutit të Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, do të jetë temë e bisedimeve në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, profesor Baraliu shpreh mendimin se Qeveria e Kosovës nuk duhet të lejojë që të bjerë në grackë dhe këtë çështje ta shtrojë si temë bisedimesh me Serbinë. Kjo e fundi, sipas tij, edhe më tutje kërkon që çdo çështje të brendshme të Kosovës, ta shndërrojë në temë bisedimesh në Bruksel, në mënyrë që ta neutralizojë subjektivitetin shtetëror të Kosovës.

“Kjo tendencë, absolutisht është e papranueshme dhe nuk duhet assesi të pranohet që të bisedohet. Me të (Serbinë) nuk ka edhe çka të bisedohet, sepse këto çështje janë të rregulluara me ligjet tona dhe me Kushtetutë. Atë që duhet ta bëjnë ata eksponentë atje (në veri), është që t’i respektojnë dispozitat e ligjit për qeverisjen lokale dhe në bazë të atyre dispozitave, absolutisht në përputhje me to, t’i hartojnë edhe statutet e tyre e asgjë më tepër”, vlerëson Baraliu.

Edhe profesor Smaka, konsideron se në asnjë mënyrë nuk duhet të shtrohet si temë bisedimesh në Bruksel çështja e statuteve të komunave, e cila sipas tij, është kërkesë irracionale e Serbisë.

“Natyrisht që kjo do të ishte një koncesion në bërjen e Kushtetutës dhe në favor të krijimit të autonomisë politike të Mitrovicës së veriut, sepse të gjitha komponentët e saj tashmë i ka. E ka autonominë në arsim, kulturë, shëndetësi, në sport, në administratë, në polici”.

“Edhe në gjyqësor, tashmë është në realizim dhe rrumbullakim e sipër. Do të thotë, këtu është fjala për dokumentet bazike. Statuti duhet të jetë absolutisht në harmoni dhe në përputhje me Kushtetutën”
, shprehet Smaka.

Profesor Smaka ka shtuar se në qoftë se statutet e komunave në veri të Kosovës nuk do të jenë në harmoni dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ato do ta krijojnë situatën e një shkëputjeje të rendit juridik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG