Lojë premtuese e përfaqësueses së Kosovës

Ndeshja miqësore Kosovë - Haiti

Ndeshja e parë miqësore ndërkombëtare, e cila me lejen e Federatës Botërore të Futbollit, u zhvillua më 5 mars në Mitrovicë, ndërmjet Kosovës dhe Haitit, me rezultat të barabartë, pa gola, po vazhdon të komentohet nga përfaqësuesit e Federatës së Futbollit, nga ekspertë të futbollit dhe qytetarët që e kanë shikuar këtë ndeshje.

Seleksionuesi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, duke folur për Radion Evropa e Lirë, konsideron se në takimin e së mërkurës futbollistët e Kosovës kanë treguar lojë të matur dhe mjaft të mirë përballë përfaqësueses së Haitit.

“Mendoj se ka qenë një ndeshje shumë e mirë. Të paktën edhe opinioni ka pasur mundësi ta shohë lojën. Ka qenë një ndeshje e vështirë, duke pasur parasysh që Haiti është një reprezentacion shumë i respektuar, madje edhe me një përvojë, për shkak se luan lojë ndërkombëtare që nga viti 1925. Ndërkaq, për ne ky është hapi i parë”.

“Është një reprezentacion me një numër të lojtarëve shumë interesant, me teknika të njohura të futbollit të botës, të futbollit francez dhe të futbollit në Belgjikë, e të cilat janë të njohura për shpejtësi të lojtarëve dhe përgatitje të mirë fizike”, thotë Bunjaki.

Por, trajneri i futbollit, Bilbil Sokoli, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se përfaqësuesja e Kosovës, duke dashur që në takimin e parë të përfaqësohet më së miri, si dhe të mos pësojë humbje eventuale, krijoi ngarkesë te lojtarët, në pjesën e parë të ndeshjes.

Në pjesën e dytë, sipas tij, përfaqësuesja e Kosovës, në përgjithësi tregoi se në aspektin teknik dhe taktik bënte lojë shumë më të mirë se përfaqësuesja e Haitit.

“Në takimin e djeshëm, ndoshta pas pjesës së parë, përfaqësuesja jonë ka mundur të jetë më ofensive, më këmbëngulëse dhe më me dëshirë që të fitojë dhe shënojë, sepse ka qenë rast i mirë. Mendoj se për të dyja ekipet ishte fusha mjaft e dëmtuar (nga shiu) dhe që vërtet ishte pengesë për lojë edhe më cilësore”.

“Por, pas pjesës së parë, kur kemi parë se Haiti ishte ekip, i cili mund të fitohej, mendoj që ndoshta me një këmbëngulësi më të madhe kemi mundur të bëjmë më shumë. Por, sido që të jetë, para së gjithash, loja premton më shumë se sa rezultati”, vlerëson Sokoli.

Në anën tjetër, disa qytetarë të Prishtinës, që e kishin përcjellë ndeshjen e futbollit Kosova - Haiti, janë shprehur të kënaqur me lojën e përfaqësueses së Kosovës, ndonëse, siç thonë ata, dëshira për fitoren ka qenë shumë e madhe.

Agon Hoxha, thotë se loja që ka treguar përfaqësuesja e Kosovës ka qenë për të mjaft e pëlqyeshme:

“Më ka pëlqyer, sepse e dimë që shumica e lojtarëve, nuk njihen ndër vete dhe kjo është loja e parë. Na ka lënë përshtypje ndeshja dhe na ka dhënë shpresa për të ardhmen, pavarësisht rezultatit. Ndonëse, të kurorëzohej me një fitore, do të ishte më mirë, për hatër të publikut që erdhën në kohë të keqe, si dhe të ditës historike që ka qenë për neve. Por, përsëri, më ka pëlqyer loja... mua më ka lënë përshtypje”.

Arben Novobërdaliu e vlerëson si të mirë ndeshjen Kosova - Haiti, por sipas tij, në përfaqësuesen e Kosovës kanë munguar disa futbollistë, të cilët janë aktivë në ligat e Kosovës.

Ndeshja ka qenë shumë e mirë. Kanë luajtur mirë, por për mendimin tim, ka pasur nevojë që të ketë më shumë lojtarë të Kosovës. Edhe këta janë të Kosovës, por luajnë në ekipe të huaja. Është dashur t’u jepet një mundësi edhe këtyre që nuk kanë pasur mundësi të dalin jashtë dhe ta tregojnë talentin. Ta tregojnë përmes kësaj loje, sepse ma merr mendja që ka shumë lojtarë të mirë në Kosovë”, shprehet Arben Novobërdaliu.

Se në përfaqësuesen e Kosovës është dashur të jenë edhe disa lojtarë që luajnë brenda Kosovës, vlerëson edhe profesor Sokoli. Megjithatë, sipas tij, vendimet e seleksionuesit Bunjaki duhet të mbështeten.

“Mendoj se në atë përbërjen e së mërkurës, ka pasur vend edhe për 4 apo 5 futbollistë, prej të cilëve kanë mundur 2 ose 3 të aktivizohen, si dhe në bankën e rezervave të ketë edhe futbollistë nga Kosova. Mendoj që Zhdrella ka pasur vend në atë përbërje. Ka pasur vend Mazrekaj që luan në kampionatin e Shqipërisë. Pastaj, Bernard Berisha, i cili ka formën kulminante. Por, sido që të jetë, kjo është e drejtë ekskluzive e përzgjedhësit të Kosovës, sepse ai vendos se kush do të jetë në bankim dhe kush do ta fillojë lojën. Ne duhet ta mbështesim përzgjedhësin në këtë drejtim”, pohon Sokoli.

Ndërkaq, seleksionuesi Bunjaki, thotë se është i thirrur nga Federata e Futbollit të Kosovës që ta krijojë një përfaqësuese të fortë, me të cilën mëtohet të shkohet drejt Kampionatit botëror të vitit 2018. Sugjerimet që vijnë nga njohësit e futbollit, ai i quan normale.

“Është shumë normale dhe gjithmonë do të ketë biseda të tilla. Por, këto janë kohore. Do të nisemi prej kualitetit. Për ne, të gjithë janë kosovarë dhe na intereson, parimisht, së pari kualiteti”.

“Shtabin teknik e kemi përforcuar edhe me zotin Tord Grip, i cili ka qenë trajner në 7 kampionate botërore, duke filluar prej reprezentacioneve të Anglisë, të Norvegjisë, të Suedisë. Ka qenë në Lazio dhe në shumë vende. Ardhja e tij na bën neve të jemi të nderuar dhe është një kompletim edhe më i rëndësishëm për shtabin teknik, që tash jemi në dispozicion të lojtarëve”, shton ai.

Ndryshe, Federata e Futbollit të Kosovës ndeshjen e përfaqësueses së Kosovës me atë të Haitit e ka vlerësuar si thyerje të izolimit shumëvjeçar të futbollit të vendit, ndërkohë që sipas kësaj federate, përfaqësuesja e Kosovës tashmë e ka dhënë provimin e saj.