Ndërlidhjet

Entuziazmi për ndeshjen Kosovë - Haiti


Stadiumi në Prishtinë
Stadiumi në Prishtinë

Me entuziazëm po e presin disa të rinj ndeshjen e parë miqësore ndërkombëtare ndërmjet kombëtares së Kosovës, dhe asaj të Haitit, kurse disa të tjerë nuk e parapëlqejnë futbollin.

Ndeshja sportive do të zhvillohet më pesë mars në stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Në rubrikën e përjavshme “VOX”, të Radios Evropa e Lirë, disa të rinj thonë se nuk kanë shumë njohuri për kombëtarën e Haitit, por megjithatë tashmë ata janë organizuar në grupe për të qenë tifozë, në stadiumin e qytetit të Mitrovicës.

Në janar të këtij viti, Federata Botërore e Futbollit, FIFA, i ka lejuar Kosovës të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare miqësore, pa simbole shtetërore, por me një fusnotë.

Kamer Maloku nga Gjilani, student në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, thotë se me padurim pret këtë ndeshje të futbollit:

“Ne patjetër presim fitore, është takimi i parë. Unë kam pasur dëshirë që Kosova të ketë kundërshtar ekipin e Xhamajkës, por nuk u bë. Ekipi i Haitit vetëm një barazim e ka. Më 5 mars do të jem në Mitrovicë”.

Për ekipin e Haitit nuk ka shumë njohuri as Jahir Xhyliqi, student në Departamentin e Shkencave Politike, por megjithatë ai vlerëson se ky ekip i përshtatet përfaqësues së Kosovës.

“Kemi vendosur me shokë që të jemi pjesëmarrës. E kemi pritur me padurim këtë ndeshje. Nuk e di ekipi i Haitit çfarë ekipi është, por as ekipi i Kosovës nuk është i mrekullueshëm, kështu është dashur të caktohet një ekip që i përshtatet ekipit tonë”, konsideron Jahiri.

Edhe Jetmir Hajdini, student në Fakultetin Juridik, thotë se do të shkojë për ta parë ndeshjen, por ai dyshon në infrastrukturën që posedon Kosova për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.

“Nuk kam shumë njohuri, për stadiumin e Mitrovicës, por tashmë sa kam parë në media, është rregulluar, por jo si stadiumet e vendeve evropiane. Shpresoj se do të fitojë Kosova”, thotë Jetmiri.

Punimet në stadiumin “Adem Jashari” po realizohen me një intensitet të shtuar, që nga autoritetet kompetente është premtuar se do të jetë gati për takimin e 5 marsit.

Edhe i riu tjetër nga Prishtina, Fati Çoçaj, thotë se do të jetë i pranishëm në këtë stadium

“Normalisht se do të jem i pranishëm. Edhe çmimi i biletës është i arsyeshëm. Ia vlen edhe çmimi”, shprehet Fati.

Almir Bytyçi, student i vitit të tretë në Departamentin e Historisë, e konsideron fitore sportive lejimin nga FIFA që Kosova të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Ai thotë se Kosova ka lojtar të mirë dhe do të tregojë sukses. Almiri dëshiron që Kosova të jetë sa më shpejtë anëtare e FIFA-s.

“Ka lojtarë të mirë, ka lojtarë me shumë kualitet dhe do të ketë sukses. Dhe, ndoshta, në një të ardhme të afërt do të pranojë edhe FIFA, në mënyrë që të marrim pjesë edhe në gara më të mëdha. Besoj se është festë, do të ketë pjesëmarrje të madhe, do të jetë atmosferë. Stadiumin nuk e kemi sipas standardeve ndërkombëtare, por duhet që të punohet në këtë drejtim”, shpreh dëshirën e tij Almiri.

Por, Avni Mustafa, dëshiron që të jetë i pranishëm në këtë ndeshje sportive, por çmimi i biletës, sipas tij, është shumë i shtrenjtë.

“Nuk kam marrë pjesë për shkak se çmimi i biletës është shumë i shtrenjtë nëse merr parasysh standardin e Kosovës. Çmimi për një biletë thuhet se është 10 euro, është vlerë shumë e lartë”, vlerëson Avniu.

Ndryshe, Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka vendosur që çmimi i biletave në pjesën perëndimore do të kushtojë 10 euro, në atë lindore 7 euro dhe në veri nga 3 euro.

Biletat kanë dalë në shitje ditën e shtunë në shtatë qendra kryesore të Kosovës.

Por, disa të rinjve nuk u intereson futbolli, madje nuk kanë informacione për ndeshjen ndërkombëtare miqësore që do të zhvillohet më pesë mars në Mitrovicë.

Liridona Telaku thotë:

“Nuk e kuptoj futbollin, mirë nëse është ndeshje ndërkombëtare, por në lidhje me futboll nuk kam informacione”.

FIFA tashmë ka caktuar edhe katër gjyqtarët e kësaj ndeshjeje, në përbërje të katër zviceranëve.
XS
SM
MD
LG