Ndërlidhjet

Tifozët e kënaqur me lojën


Ndeshja Kosova – Haiti
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:30 0:00

Ndeshja Kosova – Haiti

“Për besë një gol ka qenë shumë i mirë për neve, si qytetarë të Kosovës. Kënaqësia më e madhe do të ishte sikur ta kishim parë veç një gol. Por, megjithatë, rezultati është shumë më i mirë”, thotë Feti Gashi nga Prishtina.

Bashkë me dy vëllezërit dhe dy nipat kishte shkuar në Mitrovicë për të parë ndeshjen e parë ndërkombëtare të përfaqësueses së Kosovës me ekipin e Haitit.

Fetiu thotë se është i kënaqur me lojën, e cila përfundoi pa gola.

“Me të dyja palët! Sidomos me lojtarët tanë të Kosovës”, shprehet ai.

Xhemajli e plotëson të vëllanë, dhe shton se loja ishte shumë e bukur.

“Kosova, presim që në të ardhmen të luajë edhe më mirë. Gjithsesi të kishin ardhur edhe disa lojtarë të tjerë, që janë të përfaqësueses së Kosovës, si Xherdan Shaqiri, vëllezërit Xhakaj e të tjerë. Shpresojmë se edhe Lorik Cana të kthehet në Kosovë të luajë”, vlerëson Xhemajl Fetiu.

Kosova zhvilloi të mërkurën ndeshjen e saj të parë ndërkombëtare në futboll.

Gjatë lojës, përfaqësuesja e Kosovës ka pasur më shumë mundësi të shënimit, mirëpo nuk arriti të realizojë asnjë nga rastet.

Prej pavarësimit më 2008, Kosova është penguar të zhvillojë shumë sporte në arenën ndërkombëtare, kryesisht për fajin se nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Por, Kosovën e kanë njohur 108 shtete, në mesin e të cilave edhe Haiti, që u bë ekipi i parë që zhvilloi një miqësore në futboll.

Interesimi për ta shikuar këtë ndeshje debutante në arenën ndërkombëtare, ishte shumë i madh.

Pothuajse të gjitha rrugët çonin në Mitrovicë të mërkurën.

Kishin ardhur nga gjithandej vendi, për të bërë tifo në stadiumin "Adem Jashari".

“Ndeshje historike. Kam ardhur enkas prej Zvicre!”, thotë 62 vjeçi Bajram Kajtazi, që ndër të parët ishte rreshtuar për të hyrë në stadium.

Shtatëmbëdhjetëmijë mijë persona, aq sa janë shitur edhe bileta, patën mundësinë ta ndjekin ndeshjen në stadiumin e Mitrovicës, që për shumëkënd është historike.

Organizatorët e kësaj loje, kishin hapur qysh në mesditë portat e stadiumit për t’i akomoduar shikuesit.

Jashtë stadiumit, kordonë të shumtë të policisë po mbanin rregull në këtë ditë shiu dhe po i kontrollonin në detaje shikuesit.

“Ndeshja për mua, është gjëja më e mirë. Se po zhvillohet ndeshja e parë, me të cilën po fillon historia e futbollit tonë”, thotë 16 vjeçari me emrin Liridon, i cili ishte mbështjellë me flamurin e Kosovës dhe po priste në radhë për të hyrë në stadium para lojës.

Flamujt e Kosovës, ndërresat e bardha e përfaqësueses, ishin të ekspozuara gjithandej para hyrjes së stadiumit nga shitësit ambulantë të vendosur skaj rrugëve.

“Kënaqësi shumë e madhe, të jesh pjesë e lojës së parë”, thotë 28- vjeçari Nuhi Hyseni nga Mitrovica.

“Kjo është një ndeshje historike. S’e di! Përjetim shumë i madh për neve. Jemi të gëzuar, çdo njeri, çdo kosovar ka qejf ta përjetëojë këtë ndeshje”, thotë 26-vjeçari Gëzimi Mehmeti, që është edhe refer i Superligës së Kosovës në futboll.

Ndeshja e sotme e futbollit, të cilën përfaqësuesja e Kosovës e zhvilloi me përfaqësuesen e Haitit, është loja e parë miqësore e nivelit ndërkombëtarë, me lejen e Federatës Botërore të Futbollit – FIFA.

Nga përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, kjo ndeshje është vlerësuar si historike dhe si një mesazh për botën se “ futbolli në Kosovë nuk ka lindur sot, por ka një traditë që prej vitit 1922”.
XS
SM
MD
LG