Gjashtë vjet pas, krizë ekonomike dhe sociale

Prishtinë

Gjashtë vjetori i pavarësisë, qytetarët e Kosovës i gjen në gjendje jo të mirë ekonomike dhe sociale.

Shifrat zyrtare të punësisë dhe varfërisë gjatë këtyre viteve nuk kanë shënuar ndonjë rënie të madhe, ndërkohë që për shumë qytetarë thuhet se gjendja e tyre ekonomike dhe sociale vetëm sa është përkeqësuar.

Institucionet e Kosovës, karshi këtyre problemeve përgjatë këtyre viteve kishin hartuar strategji e dokumente të ndryshme për të tejkaluar këtë gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, por që sipas njohësve të çështjeve ekonomike, nuk kanë ndodhur ndryshime të dukshme të cilat do të ndikonin në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Në vitin 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë, papunësia ishte mbi 43 për qind, 15 për qind e popullatës së përgjithshme jetonin në varfëri ekstreme, ndërkaq 45 për qind e popullsisë jetonin në varfëri relative.

Derisa, të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të cilat flasin për vitin 2012 tregojnë se papunësia në Kosovë është 30.9 për qind. Ndërkaq, varfëria sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, është 29.7 për qind, derisa varfëria ekstreme 10 për qind.

Ibrahim Rexhepi, udhëheqës i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, STRAS, thotë se gjatë këtyre viteve ka pasur zhvillime, mirëpo e gjithë kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për nevojat që ka pasur vendi.

“Ka ecje, por ecjet janë shumë të ngadalshme dhe larg nevojave që ka vendi. Ka investime, por kryesisht janë të fokusuar në sektorin publik në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, derisa ka ngecje në shëndetësi, në arsim, pra ka shumë punë për t'u bërë”, vlerëson Rexhepi.

Gjashtë vjet më parë, në kohën kur kishin filluar përgatitjet për të shënuar pavarësinë e Kosovës, pritjet e kosovarëve ishin se me formimin e shtetit të ri, do të përmirësohej edhe gjendja sociale, duke u rritur në këtë mënyrë shkalla e punësimit.

Por, gjashtë vjet pas, qytetarët shprehen të zhgënjyer, thonë se pritjet e tyre nuk janë realizuar.

Ilmi Shatri, 45 vjeçar nga komuna e Gjilanit, tregon se kishte pritur punësim dhe përmirësim të kushteve ekonomike.

“Kemi pritur që do të ndodhin ndryshime, ndoshta jo menjëherë, po që pas disa viteve të shpalljes së pavarësisë të ketë përmirësime ne fushën ekonomike. Por që nuk kanë ndodhur, nuk është bërë asgjë askush nuk ka punuar në të mirë të popullit”, thekson ai.

Ngjashëm shprehet edhe Sinan Zejnullahu, 30 vjeçar me profesion inxhinier.

“Së paku kam menduar që do të ketë zhvillim ekonomik dhe rrjedhimisht punësim, kam pritur që këto do të ndodhin pasi që u bëmë shtet, por jo që nuk patë ndryshime të mira, por punët shkuan keq e më keq”, shprehet ai.

Papunësia dhe varfëria në shumë raporte të mekanizmave vendor dhe ndërkombëtare ishin konsideruar ai probleme që kërcënojnë stabilitetin në Kosovë.

Sociologët konsiderojnë se qytetarët e Kosovës kërkojnë përmirësim të mirëqenies së tyre dhe kushte më të mira për jetë.

Sociologu Shemsi Reçica, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se pritjet e qytetarëve të Kosovës gjatë këtyre viteve jo që u afruan, por ato vetëm sa u larguan.

“Në këtë përvjetor të pavarësisë ne po e presim me skandale të mëdha, të gjitha këto tregojnë se Kosova si një vend i vogël me një shoqëri të vogël, e varfër po përballet me probleme të ndryshme me afera të ndryshme, me arrestime, me afera korruptive kriminale".

"Krejt kjo do të thotë që këtë përvjetor po e presim më skandale të mëdha, kjo është një dëshmi që shoqëria në Kosovë ne vend që të ngritje kjo po vjen duke rënë dhe ka arritur në një pikë kritike”, shprehet Reçica.

Kosova shpalli pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008. Tani është anëtare e disa mekanizmave ndërkombëtarë, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).