Ndërlidhjet

Shuarja e bizneseve, alarmante


Ilustrim
Ilustrim
Mesatarisht në vit, sipas të dhënave zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, shuhen mbi 1000 biznese.

Kryeshefi ekzekutiv në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, Gazmend Mejzini, në një përgjigje të dërguar nëpërmjet postës elektronike, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, se në Kosovë janë të regjistruar 126 mijë biznese, derisa vetëm gjatë këtij viti si të shuara figurojnë 1151.

Sa i përket arsyeve të shuarjes, Mejzini përmend se ato janë të ndryshme.

“Si arsye është konkurrenca, përgatitja e pamenduar mirë e biznes planit, apo edhe mospasje e një plani të mirëfilltë, vlerësim i gabuar i kushteve të tregut. Është normale që një përqindje e vogël e bizneseve mos të vazhdojë ose të vendosë të merret me ndonjë aktivitet ose angazhim tjetër. Arsyet mund të jenë të natyrave të ndryshme”, vlerëson Mejzini.

Megjithatë, përfaqësues të bizneseve konsiderojnë se politikat e pafavorshme fiskale, ekonomia joligjore, kamatat e larta të kredive, mungesa e një angazhimi më serioz i autoriteteve kompetente për sektorin privat, janë disa nga arsyet e shuarjes së bizneseve.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se ky numër i madh i shuarjes së bizneseve, duhet të jetë sinjal alarmues për autoritetet e Kosovës.

Agim Shahini
Agim Shahini
“Bizneset në Kosovë po kalojnë momente jo të lehta në këtë kohë, e cila është e ballafaquar dhe e prekur me kriza të natyrave të ndryshe, qoftë të fuqisë konsumuese, e cila vjen nga varfëria e shportës ditore të konsumatorit, qoftë të politikave fiskale, të cilat janë të pafavorshme për të fuqizuar biznesin dhe ekonominë vendore, por edhe atyre politikave monetare, siç janë politikat financiare të pafavorshme që bëhet përmes bankave komerciale”, vlerëson Shahini.

Ai tregon se bizneset, në veçanti ato të vogla dhe të mesme, shumë herë tregojnë se një arsye tjetër që vjen deri te falimentimi, është edhe krijimi i monopolit të kompanive të mëdha.

Një nga bizneset shërbyese të falimentuara, është një dyqan i floktarisë në Prishtinë. Pronari i këtij dyqani, Fadil Mahmuti, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë dhënë kohë më parë kishte thënë se ngarkesat e larta tatimore e kishin detyruar të çregjistrojë biznesin e tij, pasi që, siç kishte thënë ai, më shumë është dashur të paguajë tatime, sesa që kishte fituar.

Pasojat e falimentimit të bizneseve

Numri i lartë i bizneseve, të cilat po shuhen në Kosovë, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, krijon problem të mëdha ekonomike.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Haki Shatri, tregon se pasojat janë tejet të larta kur kihet parasysh se një biznes, i cili ka vepruar me vjet dhe ka pasur të punësuar shumë njerëz, ata do të mbesin pa punë.

“Pasojat në mbylljen e një biznesi janë të mëdha, njerëzit që kanë qenë të punësuar do të mbesin pa punë, pa të ardhura personale, çdo zvogëlim i punësimit sjell pasojën tjetër, kërkesën më të vogël në treg për mallra të konsumit të gjerë”, shton Shatri.

Papunësia në Kosovë sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës është 30.9 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG